TIRANË – Arkeologët shqiptarë sapo njoftuan një zbulim me rëndësi historike, që hedh dritë mbi marrëdhëniet e administratës arbërore të Skënderbeut 2.0 me Venedikun. Kështu, bëhet me dije se në një hard-disk të vjetër është zbuluar një email i lashtë që Mamica ja dërgon parisë së Venedikut, me titullin: “Për atë punën e Volta Llaçkës”.
Siç dihet, megjithëse Skënderbeu 2.0 portet strategjike ua dha tregtarëve të Jarabisë dhe lidhi marrëdhënie të ngrohta me vetë sulltanin, ai nuk harronte që herë pas here të ngarkonte Mamicën që t’i kërkonte ndonjë mendje Venedikut, sa herë i duhej të fitonte kohë.
Ja disa pjesë nga emaili i shpluhurosur me kujdes nga arkeologët:
“I dashur Venedik. Po ju shkruaj jo si një Mamicë çfarëdo, por me cilësinë e krye-sekretaricës së Skënderbeut 2.0, për atë punën e deputetes sonë, Volta Llaçka. Siç e dini, Volta ka qenë edhe ministre e Mbrojtjes, edhe e Jashtme, dhe po ta linin të qetë cmirëzinjtë, mund të ishte bërë edhe biznesgërll. Por nuk qe e thënë.
Të liqtë duan t’i heqin mandatin e deputetes se gjasme paska përfituar jo vetëm tokë të vjedhur në Hiamrë, por edhe statusin investitorit sytragjik, duke qenë ministre.
Dy gjëra: Së pari, tokën e ka marrë i shoqi dhe jo ajo. Kur ishin të dy deputetë, Skënderbeu ynë rigoroz u tha se kanë konflikt interesi, ndaj duhej të zgjidhnin; njëri të merrej me biznes privat, tjetri të merrte leje e liçenca nga shteti. Dhe kështu u bë.
Së dyti, thanë se mirë që morën statusin e investitorit sytragjik, mbi një tokë që nuk ishte e tyrja, por edhe ai kryetari i bashkisë që ua dha, e kishte vjedhur duke falsifikuar letrat. Dhe për këtë tani ndodhet në burg.
Tani unë pyes: Sa vetë duhet të futen në burg për një copë tokë? Nuk mjafton ai merhumi i bashkisë? Pastaj, pse menjëherë te masa e burgut do shkojmë? Në fillim është këshillimi, pastaj tërheqja e vëmendjes, pastaj qortimi, kritika e butë, kritika e fortë etj etj.
Nga ana tjetër, a duhet t’ua lëmë plazhet tona atyre të malit që zbresin me çadra me vete? A nuk jeni ju Venedikasit, që u merrni nga pesë dukate vizitorëve edepsyza që duan të hyjnë në qytet me se s’bën?
…I dashur Venedik. Volta, pavarësisht mbiemrit, është vajzë e zgjuar. Tani që ra nga fiku dhe nuk më rrezikon karrierën, është akoma më e zgjuar. Unë dua një mendje nga Yve, a duhet ta humbasë Volta mandatin e deputetes apo jo. Vini dorën në zemër për shoqen tonë.
P.S. Me siguri që ju do thoni se ajo Llaçka kukumjaçka e ka të humbur automatikisht mandatin. Por thjesht ma vononi përgjigjen deri nga vera e 2025-ës, kur të bëjmë zgjedhjet e tjera. Ju premtoj se së shpejti do t’ju bëj një vizitë, e veshur me kostum tradicional venecian.”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-venedike