LONDËR - Keqbërësja britanike me origjinë shqiptare nga Kosova ka goditur sërish, duke mbjellë panik nëpër Europë dhe turpëruar shërbimet sekrete dhe policitë e kontinentit.
Agjencitë e lajmeve bëjnë me dije se 29 vjeçarja që njihet me emrin e pafajshëm Dua Lipa, ka rrëmbyer para një jave një tjetër sasi zemrash, këtë herë në Shtetet e Bashkuara, dhe është zhdukur në drejtim të paditur.
Titujt e mediave vendase dhe jo vetëm, kanë dhënë menjëherë alarmin: “Dua Lipa rrëmben sërish zemrat e fansave amerikanë”, por kjo ishte veçse një episod i përsëritur i ngjarjeve në ngjashme në Londër, Paris, Prishtinë, Budapest etj. Siç dihet tashmë, Dua ka arritur të grabisë një numër të papërcaktuar zemrash amerikane para se të largohej në mënyrë misterioze nga vendi.
***
As shërbimet e inteligjencës dhe policia, as investigimet mediatike, nuk kanë arritur të zbardhin saktësisht mënyrën sesi kriminelja me origjinë nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, ja del të mbledhë një sasi kaq të madhe zemrash dhe ku i çon ato. Aq më tepër pa traumatizuar viktimat, që në pamje të parë duken të kënaqur e të gëzuar me aktin makabër.
Gjasat janë të bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar me lidhje në qarqet më të larta, që ofron shumë burime financiare e njerëzore në këtë operacion. Zëra të pakonfirmuar bëjnë me dije me gjysmë zëri, se Dua Lipa përdor armën e saj sekrete, pra pikërisht zërin, me të cilin fton turma njerëzish të pafajshëm në ndonjë të ashtuquajtur “koncert”. Në prag të kësaj ngjarjeje, njerëz misteriozë lidhin kabllo e fisha, bëjnë teste të çuditshme dhe ndezin e fikin dritat disa herë, duke bërtitur, “prova teknike, prova teknike”.
Gjasat janë që kordat vokale të Duas të emetojnë ndonjë frekuencë trallisëse apo hipnotike, me anë të së cilës spektatorët kalojnë në gjendje transi. Kaq mesa duket mjafton që Lipa t’i hyjë punës së saj makabre.
Një tjetër armë psikedelike e Duas është njëfarë vallëzimi i sinkronizuar me disa femra të tjera, me tundje e përdredhje që shokojnë dhe u heqin arsyen të pranishmëve në atë farë feje, sa duket qartë që dikush mund t’u rrëmbejë jo vetëm zemrat, por edhe veshkat dhe mëlçitë, dhe ata të mos kuptojnë asgjë.
Interesant është fakti se dosja sekrete e Dua Lipës thuhet se ka mbërritur edhe në Interpolin shqiptar, por ky i fundit nuk konfirmon asgjë, pasi krejt stafi rezulton me pushime.
***
Investigimet e fundit thonë se në këtë operacion kriminal, njeriu që drejton të gjitha punët e zeza në prapaskenë, është pikërisht babai i Duas, Dukagjin Lipa. Ky i fundit, para pak javësh ftoi në Prishtinë edhe kolegë të tjerë banditë të Duas, në një të ashtuquajtur festival të titulluar Sunny Hill. Grupi i sofistikuar besohet se rrëmbeu një sasi të pakonfirmuar zemrash të tjera, në rendin e disa mijërave.
Vini Re: Patronazhisti si rubrikë satirike serioze, i bën thirrje Duas të rikthejë urgjentisht zemrat e grabitura