GËZIMI / Arrestim festiv i ish-ministrit me rastin e ditëlindjes së Kryeministrit

5 Korrik 2024, 10:42Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

TIRANË – Një ngjarje e gëzueshme ndodhi mëngjesin e 4 korrikut 2024, pak minuta pasi një grup ministrash dhe deputetësh të shkurtër socialistë ende pa dosje në SPAK, u mblodhën në kryeministri për të surprizuar kryeministrin E Gjatë.

Burimet për Patronazhistin raportojnë se ndërsa i Gjati po frynte qirinjtë e 60-vjetorit dhe bashkëluftëtarët e progresit po i këndonin “Tanti Auguri a Te”, Radio Londra raportoi se ishte arrestuar i vetëm ish-ministër i gjatë i kabineteve socialiste, Ilir B. Vetë SPAK, që ja hëngshim zemrën, i hodhi prangat për shkak se kishte abuzuar me fondet e BE-së në fatura restorantesh.

Mirë ja bëre,” i tha Mamica, “ku shkonte ai aq i gjatë, po thuajse sa ty? Vërtet ishit shokë dhe keni lojtur basket në rini, por i kishte pasur të gjithë mundësitë për të qenë më i shkurtër”.

Nga ana e saj, Bella Ballukja i përkedheli sedrën: “Ishte lëvizje e zgjuar, shef. Kështu edhe Brukseli bie rehat. Nuk i mjaftonin milionat e buxhetit atij, po deshi me vjedhë dhe qindarkat e BE-së?”

I Gjati foli mendueshëm: “Nuk e arrestova unë, shtrigë, po partia. Ca njerëz paskan qenë të pangopur!

***
Megjithëse e hëngri me shije copën e turtës nën sfondin e këngëve të Sherif Merdanit, si dikur tek Artet, I Gjati ndihej i sikletosur.

Fshiu djersët me letrën ku kishte shkruar fjalimin e të ndjerit Kadare dhe tha: “Ikni tani. Dhe le të shërbejë arrestimi i Ilir B., si paralajmërim se kushdo që ha kivi pas shpinës sime, le t’ja hedhë vetë prangat vetvetes”.
Jooo, e siguruan ministrat, “ne gjithmonë kemi ngrënë ballë përballë, duke parë shoshoqin në sy. Asnjëherë pas kurrizit”.

Pasi mbeti vetëm, I Gjati psherëtiu. Kujtoi kushedi sa dhurata ditëlindjeje që i kishte bërë përgjatë viteve Ilir B. Dhe ja, për një jubile të shënuar si 60 vjetori, i bëri dhuratë edhe vetveten.

Nuk vijnë më shokë si të dikurshmit,” tha me vete, “po çfarë deshi me fondet e Brukselit, xhanëm? Kishte të drejtë Mamica. Dhe i kam thënë firaunit, lëri paratë e mysafirëve, na mjaftojnë tonat!”

***
Pak kilometra larg në vijë ajrore, në një hotel luksoz pranë një liqeni, një palë duar të dridhura nga entuziazmi po njomnin me pështymë majën e lapsit kopjativ, për t’i shkruar një letër SPAK-ut.

I dashur SPAK! Muarrmë vesh me gëzim të parrëfyer, se i pandehuri Ilir B. është arrestuar për abuzime të frikshme me faturat e restoranteve. Në hapsanë ta çoni banditin, se na mori erzin nëpër Europë. Keni gjithë mbështetjen time.

P.S. Me këtë rast, ju kujtoj se sipas Kushtetutës, rradha e arrestimit të Ilirëve është mbyllur ndaj duhet të kaloni në emra të tjerë. Me respekt, juaji, Ilir M.

***
Në oborrin e Partisë Socialiste, një grup veteranësh të kryesuar nga shoku Gramoz, sapo dëgjuan lajmin se ish-ministrin e Shëndetësisë, armikun e popullit Ilir B. e kishte marrë gazi i degës së brendshme të SPAK-ut, ja morën këngës:

Oh ç’gëzim që ka PS-ja,
Arrestohet Ilir B-ja
Të math e kemi gëzimnë
Do këndojmë për Sigurimnë!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e shtrenjtë në krunde dhe e lirë në miell

Video