EKSKLUZIVE / Argjila Malltezi: Prioriteti im kryesor në politikë, luftë nepotizmit!

29 Maj 2024, 12:43Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Argjila duke i shpallur luftë nepotizmit politik

RRUGICA E SALËS – Ka surprizuar reporterët dhe opinionin publik deklarata e fundit e Argjila Malltezit, se po e mendon seriozisht angazhimin politik në Partinë Demokratike. E shfaqur me një t-shirt (bluzë pe pambuku në shqipen arkaike) ku ishte stampuar shprehja “Lironi Liderin e Opozitës”, Argjila deklaroi se situata e lirive demokratike në vend po e shtyn të bluajë në mendje lënien mënjanë të angazhimit akademik apolitik si pedagoge e jurisprudencës që furnizon PD-në me juristë rinorë,  konsulentë pronash dhe përmbarues skutha.

“Vetë slogani i stampuar në bluzën time tregon sesa e shqetësuar jam”, deklaroi Argjila, “unë mund të rrija rehat në shtëpinë time, me burrin, kalamajtë dhe babanë tim duke bërë biseda filozofike mbi transferimin e pronave dhe llogarive bankare në emra të tjerë. Por demokracia shqiptare është në rrezik”.

***

Argjila u pyet secili lider i opozitës është i arrestuar, sepse deri tani nuk kishte ndonjë lajm se është prangosur Lulzim Basha. Ajo buzëqeshi – duke trembur pak reporterët – dhe u përgjigj lakonikisht se lideri i vërtetë i opozitës është një dhe vetëm një.

Atë moment reagoi Bilushi, që ndodhej aty pranë:

“Siç e dëgjuat”, u tha ai mediave të pranishme, “edhe vetë zonja Argjila e pohon që shefi real i opozitës është zoti Lilo Çepani”.

Por Argjila buzëqeshi akoma më shumë, duke i kallur datën edhe Bilushit.

 “Mesa di unë, kryetar i PD-së së vërtetë është njëfarë Sali, Sali. Berisha e ka mbiemrin, në mos gaboj,” tha Argjila, “bile të shoqen e tij dhe dhëndrin unë i njoh mirë, se më ka lidhur puna. Por kjo s’ka rëndësi. Kryesore është që opozita shqiptare të rikthehet fuqishëm në skenën politike”.

*** 

Kyçi i rikthimit të opozitës në pushtet, është lufta kundër nepotizmit, deklaroi Argjila Malltezi.

“Shikoni socialistët: Bijtë e prindërve, nipat e mbesat e nomenklaturës, farefisi i diktaturës, të afërmit e ish-sekretarëve të Partisë së Punës që i kanë sjellë nga zgëqet e Shqipërisë me punë në Tiranën tonë të dashur, kanë marrë pushtetin. Nëse unë marr drejtimin e Partisë Demokratike, do kem zero tolerancë për nepotizmin. Zoti Lilo Çepani e ka nisur shumë mirë këtë lëvizje në partinë që mban emrin e sime mëje. Ai bile dëboi të shoqen nga partia, e cila ja la vendin ish-kujdestares së fëmijëve. Jo vetëm kaq, por edhe kushërinjtë e bashkëshortes i largoi, për t’i hapur vendin meritokracisë së kushërinjve të vet. Kjo është rruga e duhur”.    

***

Një pyetje tjetër për Argjilën, ishte nëse kishte biseduar me të atin dhe bashkëshortin mbi këtë vendim. Atë çast ndodhi një skenë e papritur: Ajo hoqi bluzën që mbante dhe veshi një tjetër, ku shkruhej: “Lironi Dhëndrin e Liderit të Opozitës”.

“Siç e shikoni”, deklaroi Argjila, “gjysma e familjes së liderit të opozitës është në arrest shtëpie. E bukura është, se si liderin ashtu dhe dhëndrin, i akuzojnë për përvetësim të aseteve të ish-klubit Partizani. Po kjo është gënjeshtra më e madhe more zotërinj! Po të donin të vidhnin, ata do kishin përvetësuar pronat e ish-pronarëve të mëdhenj, latifondistëve dhe tregtarëve me emër, jo pronat e partizanëve brekëgrisur! Ça t’u vjedhësh partizanëve, morrat?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-balliste

Video