TIRANË / LALZ / ÇEPAN – “Mbaj shënim Bilush: Pika kyçe e programit tonë është që brenda dy dekadave Shqipëria të ketë 4 milionë shqiptarë,” tha Lilua nga dushi. E mbylli ujin dhe shtoi: “E shënove?” Bilushi me bllok në dorë pohoi me kokë, por kishte një pyetje: “Dakord, po duhet ta sqarojmë se në ç’mënyrë. Se ne si staf, çuna e goca jemi gati të kontribuojmë, por nuk mjafton”.
“Ta shpjegoj unë,” tha Lilua duke veshur penjuarin, dhe filloi: “A jemi dakord që SPAK-u është duke ndarë familjet shqiptare? Ja, u nda Besua me Xhentilën, po ndahem unë me Maria-Antuanetën, e kushedi sa të tjerë. Po me gjithë këto divorce, kush do bëjë fëmijë? Prandaj do zhdukim SPAK-un dhe fap, do shtohen shqiptarët!”
***
Para dy muajsh, Lilua vendosi se do rikthehej fuqishëm në politikën shqiptare. E mblodhi mendjen që të bëhej prapë kryeministër për t’i dhënë një dorë Shqipërisë, dhe kismet, pas dy dekadash mund të bëhej prapë president. Por për këtë, duhet së pari të rithemelonte partinë dhe së dyti, të ishte në formë të mirë fizike. Prandaj filloi të filmonte veten duke bërë turli lloj sportesh. Hypte në paralele, ngjitej në pemë dhe u prishte foletë zogjve socialistë, vraponte nga liqeni duke bërë garë me kalamajtë, u futej në lojë të rinjve në kalçeto, ping-pong, tenis, hedhje shtize, hedhje çekiçi, flakje pincash etj.
Njerëzit filluan të pëshpërisnin se kishte lojtur nga fiqiri. Dikush ja vinte fajin Dumanit të SPAK-ut, që medemek kishte një vit që hetonte pasuritë e tij dhe të së shoqes. Madje zërat thoshin se Lilua kishte shitur edhe gjashtë nga shtatë banjot e maces në vilën e Lalzit; të tjerë shtonin se kishte shitur edhe vetë macen.
Por Lilua nuk e prishte terezinë. Ai e dinte se SPAK-u e kishte frikë vetëm sepse ai me 300 mijë Vojo Kushërit e vet, mund t’i fitonte zgjedhjet kur të donte dhe ta shkrinte fare si strukturë. Edhe të Gjatin e kishte kapur lemeria. Në planin e fuqizmit të ushtrisë si pjesë e NATO-s, atij i propozuan t’i sillnin disa tanke të reja nga Amerika, por i Gjati refuzoi.
“Jo tanke, aman,” paskësh thënë ai, “se aq duan Vojo Kushërit e Lilos dhe u hidhen përsipër”.
***
Bilushi kishte hedhur një ide. “Dëgjo shef, nëse dynjaja mendon se ke shkalluar, le ta vazhdojmë lojën,” i kishte thënë, “e di historinë e bosit të familjes Gjenoveze në Nju Jork? Vinçent Gjigandi quhej. Ky tipi bëri si i çmendur për 20 vjet rresht dhe ecte rrugëve me robdëshambër, për t’i hedhur hi syve FBI-së. Dhe ndërkohë drejtonte punët e familjes urtë e butë”.
Lilos nuk iu duk keq si ide. Por e modifikoi. “Nuk do dal me brekë rrugëve”, tha, “por me susta, duke bërë stërvitje. Ndonjëherë edhe me gira dhe pesha. Që ta marrin vesh të gjithë se jam në formë të shkëlqyer”.
Dhe kështu bëri. Bënte susta para të gjithëve, në rrugë, në kafe, në restorant. Madje një herë doli nga zyra e partisë majë një monoçiklete, me dy shkopinj në duar, të cilat rrotullonin dy pjata plastike si në cirk. Efekti u ndje menjëherë. Follouersat iu shtuan me 700 për qind dhe të gjithë kërkonin video të reja. Madje dikush i propozoi të konkurronte në Itali, në spektaklin “Ti Vlen”.
***
Bashkëpunëtorët kishin vetëm një hall. Bilushi mori përsipër ta shprehte shqetësimin në emër të të gjithëve. “Meqë vendosëm ta rithemelojmë partinë, shokët kanë hall se po dalin ca si shumë në video me blloqe në duar duke mbajtur shënime. Mos nuk është mirë shef? Se partia e hëngri një herë nga kjo puna e bllokut,” i tha Bilushi.
Por Lilua ja preu shkurt: “Përkundrazi, i dashur trim kolonjar! Dikur isha vetëm unë me bllok në dorë, të tjerët tallnin traun. Tani unë vetëm do flas si shoku Kim Jong Un, ndërsa ju të tjerët do mbani shënime. Sepse kështu tregojmë që s’kemi gjë për të fshehur, blloku është mënyrë e zakonshme pune në një parti progresiste!”
Që nga ajo ditë, dëshmitarët vënë re nëpër Tiranë një burrë me tuta që bën susta, dhe tre-katër të tjerë që e ndjekin me bllok në dorë. Ciceronët u shpjegojnë grupeve të turistëve se burri deri pak kohë më parë ishte President i Republikës…
Vini Re: Ky shkrim nuk është raportim politik. Patronazhisti thellë-thellë është rubrikë satirike