
TIRANË – Ministrave u iku gjaku në fund të këmbëve kur I Gjati u tha: Kam një rrugë për Dubai, në Samitin Botëror të Qeverisjes, kush do të vijë?
Të gjithëve iu kujtua udhëtimi famshëm i Tigrit dhe darka e tij në Dubai. Atëherë çoç u firmosën ca letra me Alabarin për portin e Durrësit dhe pastaj hëngrën mish dhie në rastorantin e atij kuzhinierit turk që e hidhte kripën me brrylin e djathtë. Menjëherë më pas, filloi rënia dhe dihet se si vajti puna e Tigrit të shkretë.
Asokohe kishte qenë edhe Bella Ballukja në Dubai, por ajo kishte fituar imunitet në sytë e Të Gjatit, që e gradoi me statusin e shtrigës zyrtare të partisë. Ama kësaj here, edhe Shtriga u shmang.
“Shkoni ju zoti Kryeministër, shkoni pa merak,” i tha Bella me taktin që e karakterizon, “ja, unë po e ruaj qeverinë si sytë e ballit sa të kthehesh zotrote”.
***
Por Edi – I Gjati pra – e kishte hallin gjetkë. Ndaj u kërkoi ministrave t’i gjenin ndonjë nga ata zëvendësministrat që janë gati të firmosin gjithçka u vë përpara. “Dua t’i kem nja dy-tre me vete në Dubai,” i tha Bellës, “nuk i dihet ç’na del përpara atje”.
Por Bella ja bëri të qartë: Të gjithë ata që pranonin të firmosnin, me zëvendësministra e drejtorë, ose ishin në burg, ose në ndjekje penale, ose kishin ikur infermierë në Gjermani.
I Gjati e mblodhi mendjen dhe i telefonoi Toni Blerit.
“Tonçe, hajde të vemi një xhiro andej nga Dubai të flasim për qeverisjen globale,” i tha. Por Tonçja si ujk i vjetër, iu përgjigj:
“Vemi o, pse të mos vemi? Po dije se po deshe firma, nga unë s’të del gjë. Edhe ato që më jep si këshilltar, nuk i kam të deklaruara”.
“Hajde o shejtan, se nuk do firmosim tendera, po do flasim për qeverisjen virtuale,” qeshi Edi.
***
Atje në Dubai, I Gjati nisi të bluajë ca mendime të vlershme. Iu kujtua prapë shpikësja shqiptare e CHAT Gpt-së, Mira e Murat Bënçës nga Progonati, që ishte lidere e inteligjencës artificiale. Duhej bërë diçka. Ishte lodhur me sulmet kibernetike ndaj faqeve qeveritare shqiptare, që ai ua kishte veshur ajatollahëve të Iranit, por që në fakt i bënin klientë të pakënaqur me tenderat e AKSHI-t. Nuk kishin të ngopur ata derra.
E mblodhi mendjen. Doli para samitaxhinjve dhe deklaroi:
“Shqipëria do bëhet lidere në qeverisjen virtuale. Ne kemi vendosur që tenderat për inceneratorët, programet e teknologjisë, rrugët, tunelet, hidrocentralet, portet e jahteve etj etj, t’i bëjmë me CHAT Gpt. Në këtë mënyrë, nuk ka pse t’i mbetet hatri asnjërit, as Çetit, as Ulajt dhe as Zames. Të gjithë do t’u themi: Kështu e nxorri kompjutri mor vlla. Nga ana tjetër, në këtë mënyrë nuk do kemi nevojë as për firmat e zv.ministrave dhe ministrave nursëzë që kanë frikë mos shkojnë në burg. E çfarë burgu se? Me sauna, televizor, wi-fi, kuzhinë japoneze dhe palestër.
Do thoni ju, po pse, CHAT-i nuk kushton? Ne kemi një avantazh, se Mira e Murat Bënçës, që ka dhe një djalë partizan, do na e japë programin veresie, për nevojat e luftës. Ja kështu!”
Toni Bler nuk u përmbajt. Nga entuziazmi, ja plasi një duartrokitjeje të gjatë, që u mbështet nga gjithë arabët e pranishëm.
Një nga ministrat arabë, ja shtrëngoi dorën personalisht: “Fjalimin nuk e kuptova të gjithin, por më pëlqeu që përmende këngën e asaj Mirës, Byrek-byrek, o Usta Murat!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike chatistike