TREGIME TË MOÇME/ Eposi i Kreshnikëve 2.0: Ajkuna Topalli qan Omer Berishën

26 Dhjetor 2023, 17:38Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ajkuna Topalli në një prej vajeve mediatike për Omerin e saj

SHKODËR / VIÇIDOL / BJESHKËT E NAMUNA – Gruaja e veshur me të zeza, me rimelin e zi të syve që kishte lëshuar bojë të zezë nga të qarët dhe me velin e zi që i mbulonte flokët pis të zinj, lëshoi një piskamë: “Ahhh more B., more B., ç’ka na bane! A t’thash mos me i besue Lulit të zi!”

Ata që e njihnin, thanë se quhej Ajkuna Topalli. Ajo po vajtonte me oii për gjëmën që i kishte ndodhur kreshnikut të saj politik, njëfarë Omer, Omer Berisha.

Edhe në këto kohëra moderne, sërish Ajkuna po qan Omerin, përshpëritën me njëri-tjetrin të pranishmit e prekur nga kjo skenë tragjike…

*** 

Ajkuna ja kishte mbajtur inatin për një kohë të gjatë Omerit. Ajo i ishte afruar kreshnikut në kohë të vështirë, kur të gjithë i rrinin larg. I drejtohej me respekt “zoti Bërisha”. Rebelimi komunist i motit 97 e kishte vënë Omerin me shpatulla për muri, i akuzuar se kishte lejuar vjedhjen e kursimeve të shqiptarëve, të cilat pastaj ai i ri-vodhi dhe s’u panë nga shkuan. Ajkuna u angazhua politikisht dhe sqaroi hallexhinjtë që paratë ua kishte vjedhur Tosi që erdhi më pas në pushtet, pavarësisht se 4 vitet e fundit ishte në burg. “Pastaj çfarë parash ju ka borxh Omeri? Ai ju dha armë e municione, topa e kondratanqe nga depot e ushtrisë, kështu që jemi të larë,” deklaroi Ajkuna.

Në këmbim, Omeri e bëri deputete, dhe më vonë kryetare Kuvendi. Dhe Ajkuna, që dukej sikur ishte e prerë për Kuvendin e burrave, i kapte kuvendarët për zhelesh, i zvarriste nëpër korridore e fshinte sheshin me ta. Më pas shihnin videot e zvarrisjeve në jutub dhe gajaseshin bashkë me Omerin.

Por syzeza, flokëzeza e vetullzeza Ajkunë u bë shumë dyshuese, kur fiksimi i saj “zoti Bërisha” afroi në parti një djalosh shtatlartë, gjithashtu syzi, flokëzi e vetullzi, me pak fjalë, ekuivalentin e saj mashkull. Dhe dyshimet nuk dolën të pabaza. Luli i zi, gradualisht i zuri vendin në zemrën e Omerit, e më pas edhe postin në krye të partisë, që ajo e kishte ëndërruar fshehtaz prej vitesh. Dhe për t’u dalluar nga Ajkuna, i ngjeu flokët ngjyrë patllixhan. 

“Gabim zoti Bërisha, gabim! Lulashi ta ka me t’futme. Lui c’e l’ha con inserimento”, e paralajmëroi ajo e trishtuar në italisht dhe iku. Sapo kishte pësuar zhgënjimin më të madh në jetë, që as kishte të krahasuar me momentin fatkeq kur fejoi vajzën me një ahengxhi çapaçul.

***

Ajkunës i doli fjala. Kur erdhi bajlozi i zi amerikan përtejoqeanit dhe i kërkoi Lulit flokë-patllixhan të distancohej nga Omeri, ky e drodhi menjëherë. E dëboi plakun nga partia dhe e hodhi në mes të katër rrugëve. Të gjithë donin ta arrestonin. Atëherë Ajkuna u rikthye. Kurrë nuk ja zuri në gojë qejfmbetjen, as i tha “a nuk të paralajmërova, zoti Bërisha?”.

Përkundrazi, iu vu me mish e me shpirt mbrojtjes së Omerit. Dhe pjesa më dramatike, ngjethëse dhe epike e mbrojtjes janë vajet e saj mediatike. Dhe me të drejtë.

Donin të arrestonin kreshnikun që futi Serbinë në Shqipëri, pastaj futi dhe NATO-n si forcë paqeruajtëse në 1997-ën, e më vonë kur e pa që Serbia nuk rrinte në Shqipëri, futi Shqipërinë në NATO. Donin të prangosnin njeriun që bashkë me shokun Ramiz, pa që larg se po vinte demokracia, dhe shoku Ramiz i tha, “more Omer, si tropojan që je, a nuk i del para demokracisë ta presësh dhe t’i mbash valixhet?” Dhe Omeri doli për t’i mbajtur demokracisë bagazhet dhe nuk ja ktheu më. Me këtë rast, si tropojan me taban, hoqi qafe nja 300 bashkëpatriotë për t’i hapur vend lirisë dhe demokracisë.

Donin të martirizonin kryetarin e opozitës vetëm e vetëm se në 30 vjet, e futi vendin në të paktën dy cikle ristarti nga zero, njëherë me terapinë e shokut dhe njëherë tjetër me terapinë e shokëve të fëmijëve të vet; vetëm pse doli në dritare të kryeministrisë dhe u tregoi me gisht gardistëve të armatosur disa protestues: “Ma vrit pak atë… edhe atë tjetrin me duar në xhepa. Jo atë more hajvan, tjetrin ngjitur, të thashë. Aaaa bravo!”

Epo këto gjëra ndodhin vetëm në Rusinë e Putinit, tha Ajkuna që kishte marrë disa dekorata në Shën Pjetërburg e në Moskë. Kush arreston Bërishën është putinist, shtoi ajo, pa përmendur se bajlozi amerikan ishte i pari që e shpalli Omerin të padishrushëm…

***

Atë ditë, si herë të tjera, Ajkuna Topalli u pozicionua para zyrave të SPAK-ut, hoqi velin e zi nga koka dhe në sy të kamerave të gazetarëve, ja nisi vajit të rradhës:

Kan lan kangën zogjt e malit,

kan lan kangën me vështrue! 

Për kusur të dhandrrit e djalit,

Bërishën dojn me arrestue!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike epike           

Video