TIRANË / VLORË / ELBASAN – Sipas një analize të thelluar të Policisë së Shtetit, arsyeja kryesore e ngjarjeve të rënda kriminale, sidomos atyre me sfond import-eksportin e drogave, e kryesisht kokainës, rezulton të jetë mungesa e zotnillëkut.
Studimi i kryer nga një grup ekspertësh konstaton se shumica e vrasjeve në mes të kafenesë, rasteve me shkëmbim të shtënash nga dy ose më shumë makina në ecje e sipër, thirrja për një takim miqësor dhe zhdukja pa gjurmë, goditjet me snajper etj, as që do ekzistonin në regjistrat dhe dosjet e policisë, nëse personat e përfshirë nuk do ishin treguar harbutë, të pangopur dhe të paburra.
“Është shumë e thjeshtë,” thotë për Patronazhistin analisti policor Hasho Shashaj, “o vlla, ke rënë dakord ta blesh kokainën me 13 mijë euro kilen? Merr mallin, jep paratë dhe mbaron punë. Ka për të gjithë, do ta nxjerrësh edhe ti fitimin tënd. Ose, në qoftë se ke premtuar kokainë të pastër, ç’ke që e përzien dhe ja fut tjetrit? Je burrë apo ç’dreqin je? Njeriu për një nder jeton”.
Në përgjithësi, thotë raporti, vihet re një rënie drastike e përqindjes së zotnillëkut në tratativat tregtare të kësaj fushe, edhe kur malli vjen nga mali.
Analistja e kriminalistikës Ina Koka pohon se spiunimi mes kultivuesish i parcelave të hashashit mes maleve, vë në siklet edhe inspektorët policorë që kanë rënë dakord të mbikqyrin zonën.
“Një miku im inspektor zone, Sofua, kishte marrë përsipër të ruante parcelat e dy shokëve. Mirëpo njëri nga këta spiunoi tjetrin, seç kishte dhe një fejesë të prishur në këtë mes. E hëngrën dy kultivuesit, e hëngri dhe Sofua. Dolën të gjithë të humbur! Ku vajti fisnikëria, fjala e dhënë? Tani secili do kishte futur pjesën e vet në xhep, dhe do rrinte si pasha!”, tund kokën me keqardhje Ina Koka.
I kësaj mendjeje është dhe drejtori i madh i policisë, Rrumbullak Strumbullaku. Zotnillëku, thotë zoti Strumbullaku, është karburanti që e sjell botën rrotull.
“Sa i përket drogës, të gjitha librat e shkencës thonë se ka për të terë. Edhe për atë që e mbjell dhe paketon. Edhe për atë që e blen toptan dhe e transporton. Edhe për blerësit me shumicë dhe shpërndarësit me pakicë,” reflekton drejtori për Patronazhistin, “po ahere çfarë ke që ja fut tjetrit mor qën bir qëni? Apo që pastaj të bredh unë nëpër vendngjarje dhe të shkruaj raporte çarçaf? Shkurt, zotnillëku ka vdekur. Ka rënë droga në dorë të katundarëve dhe njerëzve që s’kanë lexuar një libër në jetë të vet!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike kundër substancave psikotike