SINDROMA / I varuri viziton një fabrikë litarësh!

12 Dhjetor 2023, 22:42Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I varuri me të shoqen duke vizituar fabrikën e litarëve

TIRANË – Patronazhisti sapo ka mësuar se i ashtuquajturi doktor, në fakt pacient shumëvjeçar i varësisë ndaj pushtetit, ka vizituar në fabrikë litarësh në periferi të Tiranës. Edhe pse shumëkujt iu duk paksa shqetësuese që një i varur të vizitojë një fabrikë litarësh, doktori shpjegoi se fabrika ishte një investim i 33 viteve më parë, pikërisht atëherë kur u themelua partia që ai e mori në pronësi brenda javës së parë me ligjin e kthim-kompesimit.

Dhe në ditën që pjella e tij politike festonte moshën e Krishtit (pa e menduar gjatë se ai ishte viti i fundit i Jezuit në këtë jetë), i varuri vizitoi - bashkë me Lirinë - fabrikën ku spikaste një konop i varur bukur që në hyrje. Të varurit i vërshuan në kujtesë sekuencat e atyre ditëve të bukura sapo-demokratike, dhe nisi instiktivisht një fjalim si dikur:

“Ky asht litari i lirisë, ky asht litari i demokracisë! Se Liria…”, por e ndërpreu e shoqja. “Ua qyqja, si qenka litari im ky? Jooo, të lutem, mos më ngatërro me litarë, unë as spango nuk kam zënë ndonjëherë me dorë”.

I varuri u frenua pak, sepse e kuptoi që e shoqja ishte lemerisur. Vijoi bisedën me pronarin e fabrikës.

“Po hë, a ke pasur ndopak punë? Se qeveria e Edvin kriminelit e ka asfiksuar klimën e biznesit”.

“Jo vallahi, doktor,” ja ktheu pronari, “kohët e fundit kena pas porosi të mëdha për litarë me shumicë nga SPAKU”.

Dhe ai shtoi se duke parë kërkesat, ka vendosur të hapë dhe një fabrikë sapuni. “Se e ke parasysh doktor, litari dhe sapuni shkojnë bashkë. Kur var dikë, litari duhet sapunisur që të rrëshqasë mirë. Po edhe po nuk të varën, sapuni nuk shkon dëm. Se fjala vjen, do shkosh në burg. Ja që duhet sapuni prapë…”.

Doktori dhe Liria u zverdhën dhe e lanë vizitën në mes.  

***  

Në vijim, i varuri vendosi të vizitojë një fabrikë gijotinash. Parapëlqente më shumë objektet e ftohta, se e kishte pësuar keq me punishtet që prodhonin lëndë të nxehta. Para shumë vitesh i kishte thënë i biri, “po si nuk erdhe një herë të inaugurosh një fabrikë që kemi bërë në bashkëpunim me NATO-n në Gërdec? Prodhojmë barut të cilësisë së parë. Domethënë, nuk e prodhojmë ne, po e heqim mënjanë nga predhat e vjetra, dhe e rishesim. Ky është riciklimi bab, mund ta quash edhe biznes i gjelbër”.

Mirëpo kur vriste mendjen nëse duhej vizituar fabrika e gjelbër e Gërdecit apo jo, kjo e shkreta shpërtheu nga marazi dhe vrau 26 njerëz. I biri qante me kokrrën e lotit: “Më ikën 26 tonë barut, o i shkreti unë…”. 

Krahasuar me këtë episod të dhimbshëm për djalin, fabrika e gijotinës ishte më e sigurtë. Hyri brenda dhe u kënaq nga ajo që pa. Hanxharë të pastër që shkëlqenin, higjienë sipas standardeve të BE-së, mjedise të ndriçuara e të ajrosura, punonjës me përparëse dhe me kapuçë në kokë.

“Aaaa, çdo gjë me rregulla doktor,” i tha pronari të varurit, “te siguria teknike nuk tolerojmë. Plus që na ka kërkuar nja 300 gijotina SPAKU dhe po punojmë me tre turne…”.

*** 

Në përvjetorin e partisë, i varuri kishte planifikuar të vizitonte edhe një fabrikë prangash, edhe kjo një dallëndyshe e kapitalizmit shqiptar e hapur kur ai ishte president. Por rrugës për tek prangat, i erdhi lajmi se SPAKU i kishte kërkuar parlamentit leje me shkrim për ta arrestuar ose syrgjynosur të varurin me arrest shtëpie.

I varuri u çakërdis. Nisi fjalimin që tek oborri i fabrikës së prangave: “Duan t’i marrin lirinë kryetarit të opozitës. Diktatura neokomuniste e Sorosit… Por a i merret liria demokracisë mor të mjerë?”

Atë çast Liria e tërhoqi nga mënga. “Lëre fare se s’ta merr njeri Lirinë. Maksimumi do caktojnë arrest shtëpie. Do jemi bashkë gjithë ditën… Kam menduar diçka: A ja lë partinë me testament vajzës?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike sapunistike             

Video