TIRANË – Edhe pse vend i vogël, Shqipëria po zë një hapësirë gjithnjë e më të dukshme – dhe kësaj here për mirë – në mediat dhe institucionet ndërkombëtare.
Siç mëson Patronazhisti, suksesi më i fundit vjen nga fusha e prestigjiaturës turistike. Sipas statistikave më të freskëta zyrtare, vendi i shqiponjave ka bërë të mundur avullimin e gati 850 mijë vizitorëve të huaj vetëm brenda nëntorit të kaluar.
Si në një dukuri prej trekëndëshi Bermudian, atë muaj figuron se në Shqipëri kanë hyrë mbi 1 milion vizitorë të huaj, që INSTAT i quan detyrimisht turistë; por rezulton se në hotele, bujtina, hostele, agrobiznese etj, kanë fjetur vetëm 150 mijë. Magjia e pushtetit qendror në bashkëpunim me atë lokal dhe grupet e painteresit, ka bërë që kusuri të mos merret vesh nga shkoi. Ç’u bënë?
A ishin shqiptarë me pasaportë të huaj që thjesht shkuan në shtëpitë e tyre? A u strehuan në apartamente, garsoniera e air/bnb të panjohura nga shteti? A shkuan në tubimet e Rithemelimit dhe kanë vendosur të mos shkulen prej andej?
Asgjë e saktë nuk dihet. Policia e Shtetit ka deklaruar se ka dërguar ekspertë të posaçëm në vendngjarje dhe po zhvillohen hetime intensive për zverdhjen e ngjarjes. Por edhe ekspertët janë zhdukur.
***
Nuk është hera e parë, dhe s’do jetë as e fundit, që Shqipëria dhe qeveritë e saj lëvdohen nga opinioni perëndimor për këto talente aspak të zakonshme në iluzionizëm. Që në fillim të viteve 90-të e deri më sot, vendi ka mahnitur mjaft naivë e leshko të huaj që bënin be e rrufe se i kishin dhënë Shqipërisë miliona dollarë, franga, marka e më pas euro, por ishte vetëm imagjinata e tyre e sëmurë.
Me buzëqeshjen e lehtë stoike, Shqipëria dhe qeveritë e saj ja kthenin donatorit të rradhës: “Ashtu të duket zotëri, por nuk më ke dhënë gjë para në dorë. The që do m’i japësh, po harrove”. Dhe kthente xhepat mbrapsht me qetësi: “Ja, kontrollo po deshe”.
Kështu Patronazhisti mëson se gjatë 25 viteve janë dhënë e barazvlefshmja e mbi 300 milionë eurove për integrimin e romëve dhe egjiptianëve. Sikur secilit prej tyre t’u ishte ndërtuar nga një shtëpi dhe një dyqan, shuma do ishte më e vogël. Por duhet të tregohemi mirëkuptues, se fletëpalosjet, projektorët, kompjuterat dhe sallat me qira për konferenca mbi të drejtat e romëve nuk t’i jep njeri falas.
Një magji e vërtetë, mes shumë të tillave, janë ujësjellësat e fshatrave të qyteteve shqiptare më 30 vjet. Qytetet po e po, por edhe çdo komunë e Shqipërisë i ka marrë – përgjithësisht nga dashamirë të huaj – fondet për ndërtimin e të paktën tre ujësjellësave secili.
Por diç ndodhte, dhe gjithmonë mbeteshin gjëra mangut. Ose paratë harxhoheshin vetëm për projektin në letër, dhe nuk mbetej gjë për zbatimin; ose ndërtohej vetëm gjysma e depos së ujit dhe harrohej hapja e kanalit e kështu me rradhë. Megjithatë, përveç prestigjiatorizmit, më të rrallë ndodhte që kryekomunarët bënin edhe ndonjë sadaka, pra vepër bamirëse. Kështu, kryekomunari i Lozhanit diku nga Korça, një pjesë të fondeve ujore i rialokoi për të shkolluar evlatin në Tiranttt, dhe investimi qëlloi në shenjë: Evlati mori shkollë private me fonde publike, u bë dhe deputet me mbiemër që të kujton Salinë dhe ca kohë vinte vërdallë nëpër kryeqytet me një peshk në dorë.
***
Iluzionisti i famshëm Dejvid Koperfild, njëherë mendoi një numër shumë klasik: Të fuste një njeri në Shqipëri, ta mbyllte me kapak, pastaj ta sharronte vendin në dy gjysma….
Mos u lodh, i thanë. Atë vend e kanë sharruar që në 1913 dhe ashtu ka mbet, me copa.
Por magjistari i famshëm nuk u dorëzua.
“Po atë numrin që merr një vajzë të bukur, e fut në një dollap, e mbyll mirë e mirë, dhe pastaj kur hap dollapin, vajza është zhdukur, e ka bërë njeri?”
Të pranishmit, që e dinin situatën, panë shoshoqin dhe u gajasën në kor.
“Dëgjo mjeshtër,” i thanë, me durimin që duhet për t’ja shpjeguar gjërat një kalamani, “Ai vend që ty s’ta mbush mendjen, nuk ka zhdukur thjesht një apo dy bukurane. Shqipëria, që në pamje të parë duhet të kishte mbi 4.5 milionë njerëz, po ta hapësh e ta shkundësh, nuk gjen brenda as 2 milionë. Domethënë, 2.5 milionë të tjerë i ka zhdukur, avulluar! Veç një bukuran ka mbetur, Luli. Edhe ai gjysmë i zhdukur është”.
Iluzionisti i trishtuar, bëri dhe një pyetje të fundit. “Po mirë mor vlla. Këta çfarë t’u hedhësh, e tretin nga faqja e dheut. Turista, para, ujësjellësa, shkolla, veten e tyre… Po jashtë e nxjerrin gjë?”
“Po mo,” i thanë, “eksportojnë tek-tuk ndonjë maune kastravec, por edhe atë ua kthejnë mbrapsht se e kanë ngopur me pesticide!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-iluzioniste