SHQETËSUESE / Hendeku social; partitë në nevojë i kërkojnë qeverisë të indeksojë votat!

2 Dhjetor 2023, 19:14Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hendeku social; partitë në nevojë i kërkojnë qeverisë të indeksojë votat!

TIRANË – Dy ngjarje shqetësuese të kësaj jave në kryeqytetin shqiptar, dëshmuan se përkundër pretendimeve dhe propagandës së qeverisë, pabarazia dhe hendeqet sociale në vend vijnë duke u thelluar.

Në ngjarjen e parë, një grup partish të vockla që mezi mbajnë frymën gjallë, deleguan kryetarët e tyre që të mblidhen dhe të diskutojnë mundësinë e bashkimit të forcave të tyre dhe krijimin e një sindikate. Patronazhisti mëson se në fakt kryetarët deleguan vetveten pasi partitë në fjalë, për shkak të politikave represive të qeverisë, nuk kanë as anëtarë. Shumica e tyre janë regjistruar si biznes i vogël në politikë, ndërsa kryetarët figurojnë persona fizikë. Por problemet nuk mbarojnë këtu. Disa prej tyre nuk kanë nipt, njëri është në gjyq për një shpërthim të vjetër që ja risollën në vëmendje nga inati se ka miqësi në republikanët në Amerikë, ndërsa një tjetër akoma nuk e ka vendosur nëse do ta mbajë niptin për bizneset e vërteta agro-ushqimore dhe do t’i vërë drynin partisë përfare.  

*** 

Kryetarët në fjalë, dolën para mikrofonave dhe deklaruan se prej 10 vjetësh ata kanë mbetur me të njëjtat vota ose dhe u janë pakësuar.

“Është e tmerrshme, a mund të jetohet me kaq pak vota,” protestoi një kryetar partie ish-karrocier nga Vadejsi, i cili sot e kësaj dite vesh rroba-banje trekëndëshe prej siloni, “ka dhet vjet që qeveria nuk na i indekson. Kështu kena me dek unit!” (Përkth; O vdesëm për bukë)

Fjalën e mori kreu republikan, ish-inxhiner nafte që nuk kishte punuar asnjë ditë në zanat e megjithatë ua kishte marrë dorën shpërthimeve për bukuri.

Që kur kryetari i ndjerë zotni Sabriu ma la partinë me vasijet, unë veç mundime e vuajtje kam pas. Mezi i mblidhja ato çikë vota me thërrime, e mezi dilja deputet. Sesi kurseja e sesi manovroja, nuk e di as vetë. Por ja, me njëqind halle, mezi bëhesha ministër. Ngushtohu këtu e hollohu atje, mezi e merrja ndonjë trafikant droge me vete në delegacione jashtë shtetit. Por tani nuk mundem më. Qeveria të vërë dorë se ndryshe nuk hyjmë në BE!”

Fjalën e mori mësuesi i anglishtes, eksperti i të drejtave të ca njerëzve, Vandul Gjeli.

“Unë nuk dua të hyj në BE. Unë dua të hyj në Greqi po s’më lënë. Më thonë se je zgjedhur deputet me 800 vota, treçereku i të cilave s’ishin as të tuat, aj sto dhiaolo”.

Gjithë të pranishmit ranë dakord që duhet të bashkoheshin, të formonin një sindikatë në mënyrë që të ushtronin presion mbi qeverinë. Tek e fundit, thanë ata, qeveria le të përdorë fondin e emergjencës, si atëherë me tërmetin. “Ky është tërmeti ynë,” thanë ata, “euro e dollari kanë rënë përtokë, e prapë votat tona në vend numëro. Kjo nuk durohet!

Në fund partitë deklaruan se do pijnë kafe prapë, nën moton “Gërxho e merhumë të të gjitha zonave, bashkohuni!”

***  

Por ngjarja që vërtet la përshtypje dramatike dhe tregoi se rripi është shtrënguar deri aty ku s’mban më, ndodhi në fundjavë.

Për të treguar nevojën urgjente për vota, një plak i gjorë bashkë me të shoqen, ashtu zdruq-zdruq ecën deri tek pallati i Kongreseve, që e kishin prenotuar me lekët e pensionit dhe mezi kishin mbushur dy rradhët e para të karrigeve me delegatë.

SHQETËSUESE / Hendeku social; partitë në nevojë i

“Ja,” tha plaku me zërin që i dridhej, “le ta shikojë qeveria si jemi katandisur. Unë dikur e mbushja sallën plot, dhe po kaq prisnin përjashta. Po tani? Më vjen të vë kujën. Pse jemi kaq vend i mallkum?”

Në vijim plaku tha se, me dorë në zemër, nuk kërkon mrekullira, dhe as mbajtje me hatër nga qeveria. “Unë jam partia kryesore opozitare mor zotëri. Unë nuk dua ndere të veçanta, por të paktën të jemi në një nivel me vendet e rajonit. Opozitat në Malin e Zi, Kosovë, Maqedoni, Serbi, kanë të paktën 20-30 përqind të votave, jo 7 dhe 10 përqind sa ne. Pse nuk barazohemi me fqinjët? A punon Ministria e Financave?”

Dhe për ta bërë skenën edhe më të dhimbshme, pleqtë kishin marrë me vete edhe vajzën e tyre, që i ndiqte pas si somnabul. Të shkretën ishin përpjekur ta zbukuronin disi e ta ngjyenin me këto kozmetikat që vënë vajzat e sotme, por nuk kishte asnjë shpresë. Edhe pse prindërit përpiqeshin ta nxisnin me marifet që të buzëqeshte pak, të gjithë të pranishmëve u erdhi keq.

Duke treguar të bijën, plaku u drejtua nga kamerat dhe tha: “Ja si jemi katandisur! Shteti të vërë dorë! Votat nuk ka pse të jenë ca të nënës e ca të njerkës. Të marrim të gjithë nga pak. U drejtohem të gjithë atyre që kanë mundësi, biznesmenëve, shqiptarëve të diasporës, na ndihmoni!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-hendek, por edhe anti-merhum    

Video