DURRËS/PEQIN etj - Që kur qeveria shqiptare deklaroi se do të legalizojë turizmin individual dhe do të taksojë edhe mjediset strehuese që jepen me sistemin Air Bed and Breakfast, pronarët e të cilëve duhet të pajisen me Nipt, shumë qytetarë shqiptarë janë duke nxituar të modifikojnë dhe modernizojnë dhomat dhe apartamentet për t’u përgatitur për sezonin e ri turistik.
Patronazhisti sjell në vëmendje të lexuesit shifrat e Instatit, sipas të cilit Shqipërinë e kanë vizituar pothuajse 7 milionë turistë gjatë vitit 2023, pa llogaritur të huajt dhe emigrantët që do dynden në vend për festat e fundvitit.
Për të shfrytëzuar valët optimiste të këtij suksesi, edhe qytetari Gjush Dako vendosi të riparojë dhe modernizojë dupleksin e tij në qytetin bregdetar të Durrësit.
“Unë besoj se vitin tjetër do jem gati të pres vizitorë shqiptarë dhe të huaj në mjedisin tim modest,” deklaroi Dako për Patronazhistin. Ai theksoi se kishte angazhuar një arkitekt të talentuar dhe disa ustallarë profesionistë për pajisjet e reja elektrike, sistemet e kondicionimit, pllakat, hidrosanitaret etj. “Nëse do ta bësh mirë punën, merr profesionistë, paçka se zanatçinjtë e mirë po ikin në Gjermani”, sugjeroi Gjushi, “këtij dupleksit tim unë i them me shaka, burgu. Sepse është relativisht i vogël, vetëm 90 metra katrorë, por ama është i rehatshëm. Ka sauna, bilardo, palestër. Për një çmim të leverdisshëm, turistët e huaj do mbeten të kënaqur”.
Dako tregoi se kërkesa të shumta për “burgun” e tij kanë ardhur edhe nga shqiptarë që jetojnë në Angli, Francë etj.
“Bashkëkombas tanët më kanë shkruar se edhe ata jetojnë në “burg” në Angli apo gjetkë nëpër Europë, por duan të transferohen në “burgun” tim pasi kanë parë kushtet optimale në instagram,” thotë Dako që nuk e ndan buzëqeshjen, çka i shkon shumë tipit të tij të hareshëm.
***
Punime të ndryshme riparuese në apartamentin e tij airbnb ka bërë edhe qytetari Ter Koka. “Për të mbetur në krye të turizmit elitar, është shumë më e vështirë sesa thjesht të mbërrish në krye. Suksesi kërkon sakrifica,” thotë Teri, që rrëfen sesi ka ndërruar dyshekët e vjetër me modelet e reja anti-stres me aloe vera, për një gjumë të rehatshëm dhe ëndrra të bukura.
“Ato dyshekë nuk mbaheshin më. Më vinte turp nga vetja, se mbahem dhe demek për ambientalist. Teri, i thashë vetes, merr dyshekë të rinj ergonomikë dhe miqësorë ndaj mjedisit, se do lësh nam. Si do arrijmë në 10 milionë vizitorë vitin tjetër, nëse nuk investojmë?”
Teri tregon për Patronazhistin se edhe mjaft të njohur të tij, si Fredi, Fatosi, Alqi, Lefteri, Xhevahiri etj, kanë marrë masa që të presin sa më të përgatitur sezonin e ri turistik. Ai thotë se i ka këshilluar me shaka: “Ç’i kini këto apartamente që ngjajnë si qeli burgu? Kush ju vjen këtu, qoftë dhe për një ditë? Rregullojini pak, investoni se do ju kthehet mbrapsht. Si do ta mposhtim ne turizmin grek, kroat dhe malazez, me këto vrima që keni ju?” Dhe ata e ndoqën këshillën e tij.
***
Po shembull për t’u ndjekur nuk janë vetëm pronarët e vegjël të apartamenteve të Durrësit. Qyteti i Peqinit ka bërë surprizën e madhe këtë vit. Apartamentet dikur modeste peqinase, që më shumë ngjanin me qeli burgu, tashmë u ofrojnë turistëve edhe celularë personalë nëpër dhoma, që mund t’i përdorin për sa kohë. Jo vetëm kaq: Një bllok modern banimi në Peqin, ka ndërtuar edhe një poligon qitjeje në mjediset e veta, për të apasionuarit e shënjestrës. Madje vizitorëve të nderuar u vijnë pistoletat me dron; ata kryejnë qitjet, dhe po me dron pistoletat kthehen andej nga erdhën.
“Është gjetje e bukur. Kjo tregon se shqiptari edhe pse është modernizuar dhe përshtatur me kërkesat e Bashkimit Europian, prapë nuk e ndan pushkën nga dora,” thotë i entuziazmuar Ministri Turistik i Drejtësisë Kulturore Patriotike Hulusi Manja Karta.
Hulusiu rrëfen për Patronazhistin edhe projektet e reja për Peqinin. “Për të surprizuar vizitorët, kemi menduar edhe skema të tjera zbavitëse. Si për shembull, t’ua fshehim pistoletat brenda franxhollave të bukës, shisheve të qumështit apo tasave me hashure,” thotë Manja Karta, “për shembull, do marrësh ti lugën të hash hashure? Fap, të del pistoleta Berretta ose Sig Sauer! Ça gallate…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike kulturoro-burgistike