SOCIALE / Djaloshi shembullor shqiptar, në merak për prindërit dorëshpuar

9 Janar 2024, 17:37Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I riu i përgjegjshëm Elton Veresija

TIRANË /LESKOVIK – Patronazhisti ka vendosur të trajtojë në këtë edicion një çështje sociale, konkretisht historinë e 29-vjeçarit Elton Veresija, graduat i universitetit privat “Universiteti Siberian i Tiranës”, UST. Në bisedë me të riun e përgjegjshëm që duhej ta kishte mbaruar shkollën e lartë të paktën 7 vjet të shkuara, ai thotë se tani që ka futur diplomën universitare në xhep, supozohet ta ketë mendjen e fjetur dhe të fokusohet vetëm tek gjetja e punës dhe e drejtimit në jetë.

Por në realitetin shqiptar gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Dhe Elton Veresija e kupton këtë. Problemi i tij është se mesa duket, 29-vjeçari i sapodiplomuar është i vetmi individ i kthjellët dhe me përgjegjësi për jetën, në familjen e tij. Shkurt hesapi, Eltoni ankohet se prindërit e tij janë dorëshpuar.

“Pleqtë e mi, Katran dhe Borxhlije Veresija, harxhojnë pa fund. Konkretisht, një pjesë e mirë e dy pensioneve dhe disa të ardhurave që kanë kursyer në vite, shkojnë për të paguar këstet e kredisë 20 mijë euro që kanë marrë për shkollimin tim. Një zot e di nëse arrijnë ta shlyejnë kredinë derisa të kapin të 70-tat”, reagon me empati djaloshi.

Ai pohon se prindërit duhej të ishin treguar më kursimtarë sa kohë ishin në marrëdhënie pune.

“Nëse do kishin vënë mënjanë mjaftueshëm të ardhura, nuk do ishte nevoja të merrnin kredi për shkollimin tim. Por ja që janë treguar dorëshpuar,” pohon i riu.

Si një njeri me norma dhe parime, ndër të rrallët e brezit të tij, Eltoni është koshient për pensionet e ulëta që marrin prindërit.

“Edhe pse vëllai i madh Myfiti, u dërgon ndonjë para nga Kosturi i Greqisë ku punon si çoban, prapë llogaria nuk del”, thotë Eltoni, duke shtuar i merakosur, “vallahi, ata i kanë hyrë një aventure që s’e di ku do të dalë”.

***

Djaloshi rikthehet në vitet e shkollës, kur prindërit e tij mendjelehtë vendosë të marrin kredi për arsimimin e evlatit të vogël. Duke e mposhtur dhimbjen e detyrimit për të paguar këstet, Katrani dhe Borxhlija gëzoheshin me mesataren 7.2 të Eltonit, në universitetin që nuk vë asnjë notë poshtë 6-ës.

Por aventurat e prindërve shpenzimtarë arritën deri aty sa, për ta inkurajuar djalin të ecte përpara, shitën një ngastër tokë në fshatin e origjinës diku nga Leskoviku dhe i blenë edhe një makinë simpatike.

“E kupton sa të papërgjegjshëm janë treguar?”, reflekton sot Eltoni, “kishin lekë edhe për makinë. Bile harxhonin edhe për rroba, këpucë, celular të ri, laptop e ku di unë se çfarë. Kujtuan se do sillte gjithmonë lumi kërcunj. Harruan që jeta është e gjatë dhe ka të papritura”.

Dhe vërtet. Vitet e lumtura të shkollës mbaruan shpejt.

“Sot ata duhet ta kuptojnë se realiteti është i egër. Nuk ka më provime, festa e kafe me shoqërinë. Duhet të mbledhin mendjen dhe të më gjejnë një punë të hajrit me rrogë të mirë, ndryshe nuk kemi gjë në vijë,” thotë djaloshi shembullor.

Shton Veresija: “Unë i kam prindër dhe nuk mund t’i hedh poshtë. Por kaq dorëshpuar sa janë, kam frikë se nuk do t’u rezistojnë gjatë dallgëve të jetës. A do t’ia dalin prindërit e mi të paguajnë të gjitha detyrimet në kohë ? Nuk e di, jam në merak”.

Vini re: Patronazhisti është rubrikë satirike entuziaste për brezat e rinj që po rrit ky vend   

 

Video