TIRANË – Drejtuesi i prokurorisë fashiste të SPAK-ut urdhëroi të errësohej dhoma ku kishte mbledhur gjithë hierarkët e tjerë spakistë, ndërsa në murin përballë u projektua fotografia e një burri në moshë.
“Dhe tani fiksojeni mirë këtë emër”, foli ai, “quhet Salih Berisha. E njohin mirë në Tropojë, Tiranë dhe Paris. Në Tropojë, se aty ka lindur. Në Tiranë operonte i maskuar si tregtar, ndërsa në Paris sepse është specializuar në mjekësi me një bursë të fondacionit bamirës të UDB-së. Kapeni, dhe lëvizja rithemeluese në Shqipëri merr fund”.
Në vijim, krye-spakisti rrëfeu se Salihi lëviz me disa pseudonime, si Usta Hasani, Maestro Udbashi, Byrek-Byrek o Usta Murat, Vefa Sudja etj. Milicët e regjimit kanë bërë të pamundurën për ta gjetur dhe për t’i dorëzuar një copë letër për paraqitje në gjyq, por ka qenë e pamundur.
“Ne e kërkojmë në vrimë të miut, kurse ai jeton dhe vepron nën hundën tonë. Oficerët syleshë po e marrin më qafë imperatorinë,” deklaroi i vrenjtur shefi i madh.
***
Fakt është që kreu i opozitës së vërtetë shqiptare realisht lëviz para syve të milicëve, por ata nuk arrijnë ta shohin e jo më ta kapin. Sepse atë e mbron populli. Edhe vetë Salihi kështu i kishte thënë njëherë dhëndrrit të vet: “Në popull i kemi rrënjët o Abi!”
Madje Salihi merr pjesë personalisht në demonstrata, ngjit trakte, jep konferenca për shtyp, hyn e del nga parlamenti, dhe prapë letrën s’ja japin që s’ja japin dot. Ka ngelur proverbial episodi kur milicët e gjejnë Salihin të maskuar si tregtar në dyqanin Vlora, por nuk e njohën dot se kishte veshur taka dhe kishte vënë buzëkuq.
“A është këtu Salihi?”, pyetën milicët. Ky nuk e humbi toruan, por buzëqeshi dhe u përgjigj:
“Aaa, Salihin doni a? Ja ta njoftoj unë,” dhe u nis drejt depos pas dyqanit duke bërtitur, “Salih, o Salih, dil bre se asht kah të kërkon shteti”. Dhe fap, doli nga dera e pasme dhe ja mbathi.
***
Çfarë s’ka bërë SPAK për ta gjetur Salihin. Në një operacion gjigand në gjithë Tiranën, njëherë u arrestuan të gjithë opozitarët sipas një liste emrash që kishin gjetur në bodrumin e shtëpisë së Aldo Bumçit. Befas, një prej të arrestuarve deklaroi në mënyrë sfiduese se ai ishte kryetari i partisë opozitare. Ma sillni shpejt, tha shefi i SPAK-ut duke iu marrë fryma nga gëzimi.
“Unë jam kryetari i partisë opozitare të vërtetë,” tha i arrestuari me krenari, “quhem Lulzim Xinxo”. Të pranishmit panë njëri-tjetrin të hutuar. “Nuk të kemi thirrur për t’u tallur këtu,” i bërtiti shefi spakist, “por për të të dorëzuar një letër nga prokuroria. Gjeji cilët janë njerëzit e tu në këtë listë,” dhe i zgjati një letër me emra.
Lul Xinxo i hodhi një sy letrës dhe u step. “Nuk kam të bëj me këta,” tha ai, “këta më kanë marrë gjithë bazën e partisë. Kemi mbetur vetëm ne që kemi studiuar në Hollandë”…
***
Vuajtjet e SPAK-ut për t’i dorëzuar letrën Salihit nuk kanë të rrëfyer. Disa herë ata kanë gjetur me njëmijë mundime, bazën ku strehohej Salihi, kanë trokitur dhe ua kanë hapur gratë e shtëpisë. Ndërsa Salihi dilte nga një derë e fshehtë në hale, që lidhej me halen e fqinjit, njëra nga gratë u thosh milicëve:
“Mos kërkoni kot, Salihi nuk është këtu. Ka shkuar në mal me shokët. Kur iku, më puthi me mall dhe më tha: Mirupafshim, do kthehem bashkë me Lirinë. Qyqja, i thashë, po Liria jam unë. Unë në mal nuk të vij, mblidhe mendjen. Mirë, më tha, do kthehem me Albana Vokshin…”
E ndërsa ajo fliste, Salihi kishte dalë nga rrethimi dhe kishte mbërritur në selinë e PD-së, ku nuk e kapnin dot sepse ishte zonë e lirë si Peza vaktit.
***
Milicinë fashiste të SPAK-ut e ka zënë halli i madh. Plane djallëzore po mendohen, si e si Salihi të zërë me dorë letrën. Dikush propozoi që të fotokopjohen shumë letra thirrjeje, të cilat do maskohen në mënyra nga më të ndryshmet: Si kartopeceta, si letër byreku, ftesa për koncert, fatura dritash e uji, kartolina për festën e PD-së etj.
“Herët a vonë, Salihi do ta marrë në dorë njërën nga këto letra,” tha propozuesi, “atëherë mbaron filmi!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike filo-kinematografike