TIRANË / VATIKAN / MEKË – Është çelur në kryeqytetin shqiptar panairi i Librit të Fevzos, në edicionin e vet të 26-të, njoftojnë mediat lokale. Ministrja e Kulturës Hallva Margarina në ceremoninë e hapjes deklaroi se ishte nder për Shqipërinë, që kësaj here Panairi më i famshëm i librit – që ndërkombëtarisht njihet si FB, Fevzobook - u hap në Tiranë, për hir të zemërgjerësisë së shkrimtarit, gazetarit, publicistit, opinionistit, analistit, inxhinierit, minatorit, udhëtarit profesionist që emrin e gjatë e ka Fevzi Bej Toptan Qyprilli Kristoforidhi, i thirrur me përkëdheli Fantomasi.
“Fevzobook mund të hapej kudo në botë, në Vatikan, Mekë, Londër apo Roskovec,” tha Margarina, “por tolerimi i autorit për të hapur panairin e vet në Tiranë, është një tjetër kulminacion kulturor për Shqipërinë e rilindur”.
Por modestia dhe përulësia e Fevzos nuk mbaron këtu. Në një gjest të hatashëm mirësie, që ua kalon edhe dhuratave për vobektët që bëjnë herë pas here Leonidha Mesi e Kristaq Ronaldo, Fevzo pranoi që në panairin e tij të marrin pjesë edhe autorë të tjerë, kryesisht aborigjenë lokalë.
“Dua të nxis letërsinë vendase, ndaj le të vijnë dhe katundarët e këtushëm,” tha Fevzo, “vendi juaj i vogël ka potenciale të mëdha”.
***
Duke rrëfyer për mediat të fshehtat e librit të tij të fundit, “39 të shtuna pa një të diel”, Fevzo foli me modesti edhe për inatin që i kishte mbajtur dy vjet rresht Nënë Terezës, pasi ajo i kishte marrë pa e pyetur një sanduiç. “Nuk i kam folur për dy vjet, të betohem,” kujtoi ai me nostalgji episodin, i pyetur nga gazetarsja Rudica Magjistrica, “sa herë këmbeheshim në rrugë, ktheja kokën nga ana tjetër gjasme nuk e vija re. More na, më thoshte, ktheje kokën këtej. Hiç unë”.
Madje në shenjë proteste ndaj shenjtores katolike, asokohe Fevzo shkoi dhe për haxhillëk në Mekë, dhe hodhi një seri fotosh në FB, domethënë në Fevzobook.
Por episodet e inatit proverbial të pinjollit të Toptan Qyprilli Kristoforidhëve nuk mbarojnë këtu. Ka mbetur në histori zemërimi i tij ndaj Papa Gjon Palit II, që iku me pishman nga kjo botë pse nuk bëri paqe me Fevzon. Historia nisi me kërkesën këmbëngulëse të Vatikanit, që Papa t’i jepte një intervistë Fevzos. Por Fevzo e kishte gjithë kalendarin e atij viti të zënë, pasi kishte ftuar Tan Lamen me shkop në dorë, dy gazetarë të famshëm kronike që i dinë krimet që do ndodhin, para se ta dinë vetë autorët e krimeve, si dhe tre ekspertë kuzhine që do flisnin për bukën pa maja.
“Ik mër çun, se nuk kam kohë,” i tha Fevzo Papës. Lutjet pafund të Gjon Palit të shkretë nuk bënë fajde. “Dëgjo këtu, mos më merr më në telefon,” i tha Fevzo, “po deshe, do ta rregulloj të të intervistojë Bruno Vespa, është djalë me perspektivë. Me mua s’ke më punë!”
***
Inate të tjera me nam të Fevzos janë ato ndaj Presidentëve amerikanë Klinton, Bush i Ri dhe Obama, kancelares Merkel, Nelson Mandelës, kardinalit të shquar Desmond Tutu, Boris Jelcinit, Mbretit Zog, ish-presidentit kinez Hu Jintao, mbretit Faruk të Egjiptit, etj. Megjithëse jo për të gjithë ka shkruar libra, ai ka plot rrëfenja për secilin prej tyre, të cilat ai ua tregon fansave në Panairin e 26-të të Librit të Fevzos.
Kështu ndodhi edhe ditën e djeshme, kur Fevzo po rrëfente sesi i lutej njëherë Mbretëresha Elisabetë për ta thirrur në emision. Atë çast u afrua me drojë një burrë i moshuar, tërë siklet se ishte me vonesë.
“Moos, paska filluar?”, pëshpëriti burri, por Fevzo e dëgjoi dhe e ndërpreu tregimin.
“Pa shiko, na paska begenisur dhe zoti Kadare,” e qesëndisi me modestinë e tij tipike Fevzo, “po hë more Malo, prapë me vonesë ti?”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-palaço