
TIRANË/ PESHKOPI/ DOHOSHISHT - Duket se Perëndia, fati, apo destini, kishte bërë plane të tjera për Hulusiun, edhe pse vetë fatlumi më shumë preferon të besojë tek Drejtësia. Domethënë tek ajo femra bukuroshe me sy të lidhur dhe gjysmë e zhveshur që mban në njërën dorë një kandar dhe në tjetrën një jatagan.
Edhe kur ishte student drejtësie, e më pas me detyra të ndryshme në sistemin e drejtësisë, madje edhe prekuror – siç - thoshte shoku Gramoz - , Hulusiu kishte qejf të thoshte se mbiemri i tij, Manja, kishte lidhje me Manja Kartën e Anglisë, dokumenti i parë juridik që shënon ndarjen e pushteteve.
“E shikoni? Unë jam i destinuar për drejtësinë mor zotëri,” thoshte Hulusiu duke qeshur.
Por e gjithë karriera e tij do kishte ngelur një ëndërr e lënë në mes, dhe femra gjysmë-gollomesh e simbolit të drejtësisë do kishte mbetur njeri pa njeri, sikur Hulusiun ta kishte vënë poshtë tërmeti i vendlindjes së tij, Dibrës. Prandaj me të drejtë Hulusiu mund të quhet i mbijetuar i tërmetit.
***
Siç e dinë të gjitha agjencitë e sizmologjisë, tërmeti famëkeq i Dibrës i vitit 2016, ishte një pirg i madh përgjimesh për blerje votash që u rrëzua dhe ra mbi kokat e pafajshme të eksponentëve socialistë. I pari që e ndjeu shkundjen ishte Dhamiani, që për fat iu dha të bërtiste “tërmet, tërmeeet” dhe kështu shpëtuan shokët. Mes përgjimeve ishte dhe një shef policie që pasi raportoi se detyra u krye me sukses, kërkonte me ngulm të transferohej nga Peshkopia në Bulqizë, për të ndihmuan minatorët të nxirrnin më shumë krom. Mes të tjerësh, polici foli në telefon dhe me Hulusiun, i cili dha pëlqimin që ai të shkonte në Bulqizë.
Tërmeti i Dibrës e gërvishti ca Hulusiun, por ja hodhi paq. Bile kur hyri në selinë socialiste pas tërmetit, e pritën me duartrokitje si hero. Që atëherë, edhe I Gjati e shihte me sy tjetër. Dhe në qeverinë e dytë, në 2021-in, vendosi ta bëjë as më shumë e as më pak, por ministër të asaj gruas gjysmë të xheshur me sy të lidhur, drejtësisë.
Hulusia e falenderoi i emocionuar. “Ta paça borxh zoti I Gjatë,” i tha Hulusiu, “ta dish se edhe unë, si ajo pjeshka me kandar në dorë, do zbatoj vetëm ligjin me sy mbyllur”.
“Ti zbatoje ligjin po e pate fiksim,” ja ktheu I Gjati, “po mbaji sytë hapur, se desh vajte për lesh me tërmetin e Dhamianit. Na duhen energji të reja”.
***
Dhe Hulusiu vendosi ta nisë punën si ministër me energji të reja. Për këtë, regjistroi disa kompani të reja energjetike dhe minerare, por jo për vete. Ua dha shtresave në nevojë, si shoferit të vet, drejtorave të burgjeve të veta, grave të drejtorave të vet e kështu me rradhë.
“Merrini se nuk dua t’i shoh me sy, unë i kam sytë lidhur për këto punë, si ajo gruaja e Drejtësisë që rri dimër-verë me penjuar,” tha Hulusiu.
Dhe vërtet, me këto kompani s’para merrej. Vetëm i regjistronte në emër të nevojtarëve të besuar dhe ndërronte herë pas here pronësitë dhe aksionet. Gdhihej e ngrysej në krye të detyrës. Kontrollonte që në burgje të mos kurrsesi futeshin celularë pocaqi, por vetëm aparate 1 mijë euro e lart. Bile në një burg kishin futur njëherë një pistoletë gjysmë të ndryshkur që mezi punonte, dhe ai e bëri rezil drejtorin. “Ku jemi këtu, në ndonjë burg afrikan?”, i tha, “mirë që s’na fute ndonjë hark me shigjetë, fshatar!”
***
I mbijetuari i tërmetit të Dibrës nuk është më ai i pari. Këpucët gjysmë të shqyera si ndihmës-prokuror dhe xhaketa që kishte marrë kur zbriti nga fshati i vet, Dohoshishti i Dibrës, janë zëvendësuar nga këpucët lustrafin dhe kostumet firmato. Edhe vetë fshati është zbrazur, se gjysma kanë ardhur drejtorë në Tiranë. Bile njëherë pati idenë t’i hidhte ndonjë velenxë krahëve dhe asaj derëzezës, Drejtësisë, që kishte shekuj me fustanin e shqyer dhe sytë e lidhur. Por shefi artist, I Gjati, ja ftohu entuziazmin.
“Atë femër mos e prek me dorë se është art,” i tha, “po ku merr vesh ti nga nudot mo derëzi!”
Hulusiu e kuptoi që e teproi dhe vendosi të luajë kartën e vjetër për të shpëtuar.
“Ke të drejtë shef,” mërmëriti me sytë ulur, “po mos ma vër re. Më janë prishur nervat që atëherë me tërmetin e Dibrës…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-juridike