TALENTI / Parlamentari nënkryetar i përvishet edhe njëherë satiristikës satirike

8 Dhjetor 2023, 16:57Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjecbelanaj duke fjalosur ne shesh te burrave

TIRANË – Atë mëngjes, Gorgon Gjeçbelanaj po i nxitonte hapat për të sosur në dekikën e duhur para derës së parlamentit. Donte ta shihte me sytë e tij katrahurën parake, për të mprehur pastaj pendën – të cilën gjithkujt i thoshte se ja kishte lënë me vasijet vetë at Pllumi, që ai e paskësh patur gjini të afërt – dhe për të qëndisur një nga ato kronikat e tija aq të holla, saqë konkurronin në llojin e vet, me zhgarravinat e të Gjatit gjatë mbledhjeve të gubernës.

Gorgoni nuk është deputet dosido. Dhe as petakok doçkado. Fytyrëkuqi i pandreqshëm që duket sikur ka punuar në tre breza nën diellin e thekur të Myzeqesë hambar mushkonjash, është nënkryetar i Kuvendit nga ana e opozitës. Dhe paçka se vetë nuk përzihet në kontrabandën e fishekzjarreve dhe tymuesve që kolegët fusin në sallën e Kuvendit – atë e detyrë e ka marrë bashkimi i gruas demokrate, që përdor getat, tangat, shishet e parfumeve dhe kutiçkat e gjyslyqeve për të mçefur mallin e çmuar – Gjeçbelanaj është gjithmonë diku aty afër, dëshmitar dhe kronikan i historisë parlamentare. Nuk përzihet, ama as nuk rri larg. Rri diku në mes, aq sa të mos e shajnë të tijët dhe aq sa kundërshtarët ta marrin me vete nëpër delegacione jashtë shtetit.

Sa kohë ishte jashtë, mezi ç’priste të hynte brenda. Por në momentin që hyri brenda politikës së djathtë të drejtuar nga anti-komunisti më komunist që ka parë historia, këtë të fundit e nxorrën jashtë historisë me urdhër nga Amerika.

Gorgon Gjeçbelanaj, i shastisur, e gjeti veten në njëfarë purgatori politik, as ferr e as parajsë, as brenda e as jashtë, as i ngrirë e as i ngrohtë. Njësoj si ato copat e mishit që nikoqiret i nxjerrin nga ngrirja dhe i lënë katin kryesor të frigoriferit, tek departamenti i 2-5 gradëve, që të shkrijnë kadal’ kadal dhe të jenë gati për gatim. Por për kushedi ç’arsye pastaj i harrojnë aty, as në qiell e as në tokë.

“Gorgon, mor gjeç belanë”, i tha vetes aherzaj me një mishmash dialektesh, “qysh do ja besh o t’u mbylltë? Me shkue me Lulashin, asht ma mir, se dishmohesh pro-amerikan. Por zgjon mërinë akiliane të Doktorit. Pastaj kush më siguron se Amerika dhe Doktori nuk e gjejnë llafin nesër-pasnesër, dhe unë ngel si guak në purgatorin e përjetshëm”.

Dhe që atëherë i dha karar të bëjë atë që s’kishte bërë kur duhej bërë: Të zhgrapsë prozë me rromuze në vetë të parë, mbi të bërat dhe të pabërat e miqve – dhe armiqve – deputetë. Thënë ndryshe, të hedhë në letër ato që i ndodhin para syve, zëre se është reporter i paanshëm, objektiv dhe i distancuar nga mëritë e vogla meskine të kësaj bote jallane, të në cilën gdhihesh piperkë dhe gdhin patëllxhane, siç do thoshte një vjershaxhi satirik komunist.

***

Gjeçbelanaj u kënaq nga skenat që pa në hyrje të Kuvendit. Gardistë, deputetë të majtë e të djathtë, ministra, kontrolle, protesta koketërore grash deputete (zoti oficer, s’ke të drejtë të më kontrollosh nga shalët), shkelje syri, të bërtitura false… Kishte material boll për të filluar satirën satiristike të rradhës, që votuesit e tij në Lezhë, Manati dhe ishull-Shëngjin mezi e prisnin.

Do përdorte në fillim ca turqizma – janë të lezetshme e të shijshme si beharnat e Cejlonit, të flamosurat – por për të mos rënë në kontradiktë me sfondin e tij të theksuar katolik, do fuste në punë edhe mjaft dialektizma shkodranoidale. Kishte kohë që shpluhuroste e mbante shënim shprehje e fjalë fishtiane, mjediane e zef-pllumiane. I përziente me turqizmat dhe dilte një tavë krapi gjuhësore për të lëpirë gishtat.

Emrat e deputetëve, e kishte ndarë kaplloqen t’i ndryshonte vetëm pakëz, por ama të mbeteshin të identifikueshëm. Por jo të gjithë. Kryeministrin, për shembull, nuk do ta përmendte fare me emër, por do t’i thoshte Babo. Jorida do bëhej Jorushja e Tabakëve (nga forma përkëdhelore do duket sikur i kruhem, por arti ka sakrifica, tha me vete), ndërsa Taulanti do bëhej veziri Tao.

***

Që me fejtonin e parë, kishte marrë lëvdata. Qerrata, i thanë ish-kolegët petakokë dhe kolegët deputetë, “sa humor të holl’ paske pas mër dreq. Edhe ne mezi e kuptojmë, mendo pastaj mileti që s’merr vesh nga lidhet magjari”. Aty për aty u gëzua, por duke vrarë mendjen më pas, lindi krymi i dyshimit: “A kanë dasht me thanë se njerzia sun me m’kuptue? Apo se unë jam kaq inteligjent sa vetëm dikush i sërës sime mund t’i bie në të se ku dua të dal?”. Por shpejt e mblodhi mendjen, “bo, e chi se ne frega”.

Pati dhe nga ata që thanë - e vazhdojnë të thonë – se humori kaps i Gorgon Gjeçbelanajt është një tjetër nënprodukt lëtyror i kësaj opozite të shkalafitur, të kashtë-e-koqepsur e të diskretituar që nuk ka asnjë sy për Qabe të riformatohet e të ringjallet. Dhe se vetë Gorgoni ka gjetur rehat – duke kujtuar bile se i kontribuon parlamentarizmit shqiptar – duke i rënë dybekut të pseudo-barcaletave dylekëshe.

Të tjera akoma e krahasojnë me orkestrën e Titanikut, që tuj u zhyt në ujërat e akullta këndonte Ra Faja Pri Fiku / Iku Titaniku.

Por në një moment dobësie, vetë Gorgoni tha se maksimumi, mund ta krahasojnë me Fan Nolin, kryeministrin që hala i binte flautit teksa forcat e Ahmed Zogjit po rrethonin Tiranën. “Po ju nuk kuptoni, se jeni derra,” tha Gorgoni, “nga ta dini ju mor të mjerë, se politika shkon e vjen, por arti ngelet!”

Dhe hodhi në letër ca fjalë të rralla që do t’i përdorte në satirën satiristike të rradhës: “Hyxhym… Të pëgërat… Çehreli… pooo, e bukur kjo”.  

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike kuazi-parlamentare

Video