PROFIL / Gas White, Gazi i Bardhë i Marrëveshjes Rama-Basha dhe tymi me ngjyra i Parlamentit

20 Nëntor 2023, 18:31Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Jeshilja dhe portokallia, dy nga gazrat më me gusto të hedhura nga Gazi në Kuvend

TIRANË – Kur Edi me Lulin bënë çuçuçu për gjashtë orë rresht më 17 maj 2017 në kryesinë e Kuvendit, dhe në fund dolën me marrëveshjen për një qeveri teknike, të gjitha mediat përdorën metaforën e tymit të bardhë të një negociate të suksesshme. Në fakt, prurja më spektakolare e atyre bisedimeve ishte Gazi i Bardhë, dmth emri i ministrit teknik të Drejtësisë, Gaz Bardhi. E kishte propozuar vetë Luli, dhe e kishte miratuar në sekondë Salihi.

“Emri i tij është sinonim suksesi, Lulzim,” i kishte thënë Salihi nxënësit të tij, “ne nuk përdorim tym të bardhë, se nuk jemi Vatikani, “por edhe Gazi i Bardhë shumë mirë është”. 

Ishte një ngritje e rrufeshme për Gazin. Kishte punuar si specialist kodifikimi në Ministrinë e Drejtësisë, dhe për ca muaj ishte sekretar i përgjithshëm i ministrit Eduard Halimi, avukatit të Rezart Taçit. Por nuk ishin këto kriteret kryesore që sollën emrin e tij në tavolinë. Faktori madhor ishte që Gazi i Bardhë qe nga Kavaja, domethënë një demokrat gjenetik. 

“Kavaja për PD-në është si Barcelona për futbollin,” do thosh Salihi, “do ta nxjerrë se s’bën një talent”.

Edhe mediat botërore kështu e komentuan zhbllokimin e krizës shqiptare: “Nga tymi i oxhakut të bisedimeve Rama-Basha më në fund del White Gas”, shkruante letra higjienike Nju Jork Tajms.

*** 

Kështu nisi karriera e rrufeshme e Gazit. Në fillim ai pati keqkuptimin se duhej t’ja dinte për nder Lulit. Tek e fundit, nga sekretar i përgjithshëm i një ministrie, tek sekretar i përgjithshëm i një partie, ishte hap i madh. Qëndroi me Lulin edhe kur Amerika e shpalli Salihin kulak. “Kavaja dhe Amerika nuk prishen kurrë,” deklaroi Gazi, “pastaj unë historikisht kam qenë fshatar i mesëm, kështu që Salihi duhet të hapë krahin për të mirën e partisë”.

Por Luli nuk ishte trim i çartur si Gazi. Kur konstatoi se Gazi ishte përfshirë në të shtëna e vrasje në zgjedhjet e Elbasanit, Luli filloi ta shmangte me lezet. Kulmi erdhi kur ai shkoi nja dy javë me pushime në Hollandë dhe nuk e mori me vete.

“Ua, rrugaçi,” tha me vete Gazi, “mua më lusin gjysma e djemve të Kavajës dhe Elbasanit për pushime, ky s’dashka”.

Mori vendimin e madh: Ishte prishur kot me Salihin, ndaj i çoi mesazh: “Doktor, më fal. Nuk e dija që Luli kishte një dajo me Ballin. Amerika të marrtë pleshtat, sa të kesh mua me vete. Do t’i nxjerrim ujët e zi Parlamentit”. 

“Mirë se u ktheve or trim. Jo ujë, por tym të zi dua të dalë nga oxhaku i parlamentit,” e korrigjoi Salihi i buzëqeshur, “që ta kuptojë Amerika se nuk ka zgjidhje pa më kërkuar mua të falur.”

***

Mirëpo njeriu nuk vepron dot kundër natyrës. Sado që kolegët i sugjeronin çfarë lloj tymuesesh duhet të blinte për të nxjerrë tym të zi në parlament, Gazit gjithmonë i shkonte dora tek tymuesit me ngjyra. Dhe në çdo krizë të stisur në Kuvend, hidhte tymuese me ngjyra të ndezura, çiklaminë, portokalli, manushaqe, ngjyrë kanarinë, jeshile e fortë…

“Ja, kjo portokallia shkon me karriget e Kuvendit. Do çmendet Rama,” thoshte Gazi dhe fap, hidhte fishekzjarrin tymues. “Doktor, kam gjetur një gaz me ngjyrat e ylberit, do tërbohen socialistët”, njoftonte Salihin, dhe ja çonte fotot në uacap.

Në fillim, njerëzit e gardës pretoriane si Edi Palosja, Nul Moka e të tjerë, ishin në siklet me gustot e Gazit. Por Doktori ua bëri të qartë:

“Nuk na prishin punë shijet e zotit Gas White. Siç ka thënë Ten Hsiao Pini, nuk ka rëndësi ç’ngjyra pëlqen macja, mjafton që të kapë minjtë”.

Deri tani, Gazi nuk ka kapur ende ndonjë mi, megjithëse përpiqet të afrohet e të fërkohet me kreshnikët e Gardës në përplasjet e parlamentit, për të krijuar incidente.

“Ore rrugaça, mos më prekni me dorë mua! Hajde, më prekni po jua mbajti! Ja, më prekni këtu te gusha”, provokoi ai disa punonjës këtë të hënë. Por ata nuk u kuptua tamam, se të sikletosur, se të neveritur, mbanin distancë. I zemëruar, Gazi u vuri zjarrin karrigeve… 

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-skuthllëk

Video