MREKULLIA / Dishepujt mblidhen çdo mbrëmje të dëgjojnë zërin e Profetit nga dritarja e halesë

15 Janar 2024, 23:44Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dishepujt duke dëgjuar 100 urdhëresat e përnatshme te Profetit

TIRANË – Ata mblidhen njëri pas tjetrit çdo mbrëmje, dhe bëhen bashkë në rrugicën gjysmë të ndriçuar ku Muli i njoftoi se kishte dëgjuar për herë të parë zërin e madhërishëm. Ç’është e vërteta, në fillim nuk e besuan dhe kujtuan se kishte shkarë, siç e pësojnë ndonjëherë njerëzit me koeficient inteligjence të jashtëzakonshëm.

Muli u zemërua, por e kuptoi se rruga për të dëshmuar mrekullitë është e gjatë dhe e vështirë. “Nuk ju thashë që dëgjoj zëra,” iu përgjigj Aldo Bumjes dhe Tritol Shehut, “por dëgjoj Zërin. Është një dhe i pagabueshëm. Ngre kokën lart, kur më vjen i qartë si kristali mesazhi: Mblidhi dishepujt, biri im, dhe silli të dëgjojnë fjalën time! Ju po deshët mos ejani”.

Dhe kështu ndodhi që mbrëmje pas mbrëmjeje, ndjekësit që donin të dëgjonin Zërin u shtuan dhe u bënë plot dymbëdhjetë. Vinin nga të gjitha zejet e zanatet; Bullukbashi ishte qatip, Genci i Pollos dragoman, Laki Luçiano prefesor; të tjerë nxirrnin bukën e gojës si tyxharë, talibë e avuketër. Albana i garantoi të pranishmit se feja e re pranonte edhe femrat, madje për këtë kishte porosi të veçantë nga gruaja dhe vajza e Profetit, përkatësisht Sllobodanka dhe Gërgita.

*** 

Nata e parë kur u mblodhën të gjithë bashkë te rrugica e Lajmit dhe ngritën kokën lart me shpresë se mos u zinte veshi ndonjë llaf, ishte historike. Mrekullia nuk kishte as shkurre që nxirrte flakë, as tetraplegjikë që shëroheshin e bëheshin si kokrra e mollës. Mrekulli të tilla të vogla, Profeti Doktor kishte bërë prej kohësh. Ndjekësve u mjaftonte fakti që handikapati Mul po merrej me politikë të madhe për të kuptuar se me të Madhërishmin, gjithçka ishte e mundur.

Jo. Mrekullia ishte se kur ngritën kokën lart, nuk u ndez flakëza e ndonjë shkurreje, por drita e halesë në katin e fundit të pallatit. Profeti nxorri kryet në dritaren e baxhasë dhe të gjithë e kuptuan se Muli nuk gënjente. Nuk paskësh qenë nevoja që Mul ziu të ngjitej në malin e Sinait për të marrë 10 urdhëresat. Nga maja e pallatit, Profeti Doktor jepte nga 100 porosi çdo mbrëmje, si për shembull: “Jepini Cezarit atë që i takon Cezarit, vetëm kur nxjerr leje kullash prapa Pallatit të Kulturës. Për çdo gjë tjetër, ça keni për Cezarin ma jepni mua”.

Apo: “Mos vidhni. Do kemi kohë për këtë, kur të rikthehemi në pushtet”. Ose tjetra, “Mos bëni dëshmi të rreme kot më kot. Dëshmitë e rreme ruajini për gjyqin e Gërdecit dhe atë të Kompleksit Partizani”.

Që dishepujt të mos kishin asnjë dyshim se ai ishte Zëri, çuni i Profetit instaloi një sistem modern fonie që ua kishte marrë farisejve. Urdhëresat derdheshin lumë, të pastra dhe të qarta. Por ishin aq shumë sa ndjekësit u detyruan të mbajnë shënime. Madje filluan të konsultohen me njëri-tjetrin që të mos ngatërroheshin.

“E more ti këtë, ‘Mos shko me gruan e komshiut?’ apo ta marr unë?”, i thosh Luçiano Albanës.

“Gruan e komshiut merre vetë,” ja kthente Albana, “unë kam marrë këtë tjetrën: Mos ndero perëndi të rreme si Luli, por vetëm Profetin Doktor!”

***

Dhe vërtet. Si çdo fe për së mbari, edhe feja e re kishte Judën e vet. Luli e kishte shitur Doktorin për tridhjetë monedha. Bile një ditë para se ta shiste, e kishte puthur tre herë në faqe. Feja kishte dhe Shën Pjetrin në mangall, që e mohoi tre herë Profetin para se të pendohej. Ishte Gazi, i cili sa më shumë e rriste mjekrën për t’u ndjerë komod në kuvend të burrave, aq më shumë i hollohej zëri. Por gjene mirë që ishte penduar, e madje kishte dhënë fjalën se do bënte kthesë. Premtimin e bëri në italisht:

“Faro curva”, u tha Gazi dishepujve, por këta e keqkuptuan dhe ja kthyen: “Atë e dimë, se dukesh ç’plaçkë je, po ça t’i bëjmë Doktorit…”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike para-profetike

Video