KRYEBANKIERI / Ekonomia është shkëlqyeshëm, thotë Guvernatori Sejko, ja, shihni fletën këtu…

31 Janar 2024, 18:51Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Guvernatori Bejko Sejko me nje televizor mbi koke per te treguar se konferenca per shtyp eshte serioze

TIRANË – Për të disatën herë këto pesë vitet e fundit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Bejko Sejko deklaroi me lezetin që i rrezatonte në fytyrë se ekonomia shqiptare është shkëlqyeshëm.

Duke prezantuar raportin e fundit të bankës për ecurinë e ekonomisë dhe financave shqiptare, Sejko u ndal vetëm tek paragrafi që thoshte se ekonomia kishte shënuar një rritje prej 3.3 përqind vitin e kaluar.

“Ja, e thotë këtu,” deklaroi Sejko duke treguar me stilolaps fletën e raportit, “rritje prej 3.3 përqind”. Në vijim kryebankieri shqiptar theksoi se promotorë të zhvillimit ishin edhe këtë vit, ndërtimet e kullave gjigande, veprat e infrastrukturës me tendera publikë që u shkonin gjithsej 4-5 kompanive, turizmi i cili ishte i matshëm vetëm me sa vetë me pasaportë të huaj hynin në vend, si dhe eksporti stinor i mandarinave.

“Duke parë të dhënat, unë mendoj se jemi mirë,” shtoi Sejko duke vënë syzet me numër që të dukej edhe më ekspert se ç’është, “kështu thonë dhe paragrafe të caktuara të institucioneve ndërkombëtare si FMN, BB, BERZH etj”.

*** 

Guvernatori gjithashtu shpjegoi për gazetarët qurrashë se përpjestimi i shtimit të të ardhurave totale të subjekteve ekonomike e fizike me numrin e banorëve rezidentë në Shqipëri, tregon se edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur goxha.

“Ja”, tregoi sërish Sejko fletën, “e lexoni dot këtë rreshtin? Është rrituuur gooxha. E patë?” Pavarësisht se të ardhurat për njëqind individë në vend janë rritur me një milion fish dhe për gjithë pjesën tjetër janë përgjysmuar, kjo në raport edhe me inflacionin që ka ulur fuqinë blerëse të konsumatorëve, Bejko Sejko deklaroi se totali del në rregull. Duke bërë një demonstrim live pra gazetarëve me makinë llogaritëse, kryebankieri mblodhi, zbriti, shumëzoi dhe pjestoi, dhe pastaj u shfaqi atyre përfundimin matematik: “Ja, e shikoni si rriten të ardhurat për frymë?”

Në vijim Sejko përsëriti me krenari disa argumente të raporteve të mëhershme, sesi ekonomia dhe shoqëria shqiptare kanë përballuar dhe po përballojnë me guxim disa kriza të rënda si tërmeti i 2019-ës, tërmeti i Gjiknurit, pandemia e 2020-ës, lufta në Ukrainë, përplasjet në Gjirin Persik, fërkimet në Gjirin e Lalzit, krizën e lokaleve të peshkut në Gjirin e Patokut, turbullirat në gjirin e PD-së dhe disa kriza gjinjsh të tjera, dhe prapë qëndrojnë në këmbë.

***

I pyetur nga një reporter mistrec sesi do të dilte pjestimi i GDP-së për frymë nëse në Shqipëri do ishin ende edhe të paktën një milion njerëz që kanë ikur dhjetë vitet e fundit, guvernatori Bejko Sejko u përgjigj duke lexuar pjesë nga raporti:

“Këtu, në faqen tre, paragrafi dy, thotë tekstualisht se po të kishte halla koqe, do t’i thoshim xhaxha. Domethënë, në gjuhën e financave nënkupton që kujt i plasi sa vetë kanë ikur? Ne numërojmë ata që janë këtu. Pra, edhe hallat të mira janë”.

Në vijim, Sejko sqaroi se edhe ata që kanë ikur, mirë kanë bërë sepse e para e punës, u sjellin remitanca familjarëve, dhe e dyta, kur vijnë në atdhe në behar për pushime, ose për të larë hesapet me njëri-tjetrin për pisllëqet që kanë bërë në Angli e Holandë, numërohen edhe si turistë.

Për të mos lodhur të pranishmit, guvernatori nuk përmendi nëse është bërë ndonjë llogaritje e përafërt se sa para droge injektohen mesatarisht çdo vit në ekonominë shqiptare, nuk foli për vështirësitë për të marrë një kredi nga sistemi bankar vendas, as për institucionet vampire kredidhënëse, për kurbën në rënie të euros në raport me lekun, riskun që sa vjen e afrohet, të skemës së dështuar të pensioneve në Shqipëri etj.

“Ç’tua rrokanis kokën kot, do kemi kohë herë tjetër, këtu jemi edhe dy mandate të tjera,” deklaroi me buzëqeshje shefi i bankës qendrore shqiptare, dhe duke tundur lezetshëm një biçak të hollë nga ata që zyrtarët e lartë i përdorin për të hapur zarfat, shtoi: “Hëëë, ka ndonjëri ndonjë pyetje tjetër?”       

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-ekonomike

Video