KOLEGËT / Çim Peka udhëzoi Takër Karlsonin si ta gjente Ladin për t’i marrë intervistë 

11 Shkurt 2024, 20:10Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Peka i tregon doktorit mbi komunikimin me Taken (majtas fotos)

TIRANË / MOSKË – Në fillim, kur i treguan fotografinë e Çim Pekës, gazetari trampist amerikan Takër Karlson u tremb se i ngjau me muxhahedin afgan. “Mua më thanë se ky specialisti ishte shqiptar, ç’e ka këtë mjekër si taleban që vuan nga kapsllëku?”, pyeti ai.

Por e siguruan se Peka ishte shqiptar safi dhe emrin e plotë e kishte Çlirim, dmth Liberation. Jo vetëm kaq, por ishte ekspert në gjetjen e zyrtarëve dhe udhëheqësve të arratisur apo të ngujuar, dhe në marrjen e intervistave mu në folenë e tyre.

Pasi më në fund u lidhën dhe nisën të komunikonin në çobançe, Takëri ja shpjegoi hallin.

“Mora vesh që ke gjetur ish zëvendëskryeministrin shqiptar në vrimë të miut, dhe i more intervistë. Dua të më ndihmosh se kam ndërmend të intervistoj Lad Putinin,” i tha ai.

Kështu nisi historia e bashkëpunimit të dy gjigandëve të gazetarisë globale, njëri aq shumë trampist sa ka trembur edhe vetë Trampin, ndërsa tjetri edhe vetë Berishën e ka distancuar nga berishizmi dhe e ka bërë pekist.

***

Çimi u tregua i gatshëm ta ndihmonte Taken – kështu i thërriste – por ja shpjegoi vështirësitë.

“Shiko Take, s’e ke menduar keq. Ladin doja ta intervistoja edhe unë, bile para se të fillonte luftën me Ukrainën m’u lut t’i jepja një mendje, ça t’bëj, a t’u bie, më tha,” e sqaroi Çimi, “por unë ja preva shkurt: Për punë lufte unë këshilloj vetëm Mul Nokën, i thashë. Ngeli pak keq shejtani, po nga unë nuk i mbet hatri atij”.

Në vijim Peka i shpjegoi Takes se së pari, duhet rënë dakord për pagesën. Por këtu amerikani u hodh përpjetë: Jo, tha, unë s’paguaj kokërr dollari!

“Prit shejtan,” ja ktheu Peka, “paguan intervistuesi, jo ti. Ai është nevojtari në këtë mes, apo jo?” Takja u qetësua.

“E dyta,” vijoi Çimi, “çfarë skandalesh ka Ladi? Ka bërë ndonjë incinerator, ka rindërtuar ndonjë tërmet, ka privatizuar ndonjë fabrikë buke? I kanë kapur ndonjë sekretare me tufa eurosh në tubin e aspiratorit? Se pyetjet duhen përgatitur me kujdes”.

Takja i shpjegoi se nuk merrej me këto detaje qesharake. Ai së pari do t’i çonte të falat e Donaldit, dhe së dyti do ta gozhdonte me ca pyetje mbi luftën, si për shembull pse u vonua kaq shumë të sulmonte Ukrainën. Por kryesorja ishte ta gjente se ku strehohej, ku rrinte, se tani Ladin e kishte shpallur në kërkim gjithë bota.

Çim Peka u mendua thellë. Pastaj i tha: “Dëgjo këtu. Bëj siç bëra unë me Tigrin. Merre në telefon dhe thuaji, dua të bëjmë një intervistë. Do thuash ti si ja gjeta numrin. E thjeshtë, e kishte Lilua”.

Takja u hodh përpjetë nga gëzimi. “Mirë të vajti mendja! As unë s’e kam numrin e Ladit, por besoj se ma jep Donaldi! Ndonjë sugjerim tjetër a ke?”

Megjithëse Peka nuk dëshironte t’ja ofronte në pjatë të gjitha sekretet e zanatit, vuri dorën në zemër për këtë rast të veçantë.

“Do ta them dhe një këshillë të fundit, o Take” i tha, “por me një kusht: Nëse Donaldi fiton zgjedhjet, t’ja heqë non gratën doktor Berishës”.

Amerikani i tha se nuk garantonte gjë, por do përpiqej.

“Okej, përpiqu,” iu përgjigj Peka, “shiko tani: Kur ta intervistosh Ladin atje në Kremlin, rrethoje dhomën me perde të zezë, që të mos merret vesh se është në Lugano të Zvicrës!”     

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike gazetarike anti-handikapatistike

Video