TIRANË – Të buzëqeshur, pa dashur t’ja dinë për të ftohtit dhe miqësorë me njëri-tjetrin, të gjithë të 78 protestuesit profesionistë, mbështetës të doktorit, e lanë parlamentin pasditen e të hënës – ku shkaktuan një uragan opozitar - dhe u mblodhën poshtë dritares së halesë në rrugën e Lirisë. Burime të sigurta për Patronazhistin thonë se vetë Muli, një ditë më parë i kishte ri-siguruar një për një për postet që do merrnin në qeverinë e ardhme demokrate.
“Vetëm aman se mos e bësh llaf me njeri,” u tha Muli kokë më kokë secilit prej pjesëmarrësve në protestë.
Siç mëson Patronazhisti, secila nga ministritë kryesore u është premtuar të paktën tre deputetëve të Doktorit dhe të Gaz Bardhit, ndërsa vetë Gazit, bashkë me Oerd Bylykbashin, Albana Vokshin dhe Petrit Vasilin u është premtuar posti i kryeministrit, “sepse doktori vetë nuk lufton për poste”. Nga ana e tij, vetë doktori ja ka premtuar kryeministrinë Mulit.
Por akoma më interesante janë premtimet që u janë dhënë protestuesve të tjerë.
***
Kështu, Zija Kollofruthi nga Shijaku tregoi në mirëbesim për Patronazhistin, kontratën që firmosi me Mulin për të drejtuar doganën e Durrësit.
“Unë shes poçe dhe qypa balte, kuaj me çizme meksikane dhe zhaba në allçi,” tha Kollofruthi, “ndaj kam njohuri mbi import-eksportet, mallrat me dhe pa akcizë. I thashë dhe Mulit: Unë ta qaj doganën e Durrësit, e bëj të mos pipëtijë as miza. Hallall, më tha, veç merr dhe ndonjë familjar më vete në protestë”.
Me entuziazëm foli për suksesin e protestës edhe Robert Çamçakizi nga Kruja.
“Amerika do ta anullojë vendimin non-grata për Doktorin,” dha garanci Çamçakizi, “çuni i hallës sime që punon në Departamentin e Shtetit – shpërndan pica për pastruesit në katin e parë – më siguroi se sapo të fitojë Trampi,do ta ftojë vetë doktorin ne Shtëpinë e Bardhë”.
Për këtë ndihmë, Berti pohoi se ka kërkuar thjesht Drejtorinë e Targave në Tiranë. “Unë s’kam pretendime, dua thjesht të marr pjesë në reformat strukturore të shtetit që ka përgatitur Zeni me Argitën,” shtoi me modesti Çamçakizi.
***
Për Nush Kacabunin nga Bërdica e Shkodrës, bashkia e Shkodrës është posti më i paktë që ai meriton. “Kam ardh rregullisht në çdo protestë,” thotë Nushi, “bile tre-katër netët e para kalova në depresion se nuk po shifsha askënd poshtë dritares së hales së doktorit. Pyeta Mulin në telefon, ku je mor firaun. Ja se po haj diçka, tha, dhe po vij të protestojmë bashkë”.
Bashkinë e Shkodrës, veç e veç, pohuan se do ta merrnin edhe Taf Çuçurrushi, Bardh Rrapatushi dhe Kiço Belaja nga Libohova. Ky i fundit tha se ka jetuar gjashtë muaj në Shkodër dhe është i bindur se i njeh me rrënjë problematikat e qytetit dhe rrethinave.
Ndërkaq, një i moshuar 78-vjeçar rrinte në fund të turmës 78-çe dhe duartrokiste gjithë folësit në heshtje.
“Nuk bërtas dot se jam ngjirur,” mezi pëshpëriti Bektash Këllira nga Skrapari për Patronazhistin, “por besoj se sakrifica ime ja vlen për drejtorin e përgjithshëm të tatim-taksave. Unë kam punuar normist në një brigadë pararojë në Poliçan, kam bërë dhe pesë vjet burg për kontrabandë, dhe ua di rradhën punëve të tregtisë. Ma garantoi dhe Muli, drejtor më të mirë se ty nuk gjejmë dot, tha: I pjekur, serioz, me eksperiencë…”.
***
Mes protestuesve megjithatë endet një re paqartësie, që sa vjen e shtohet, sidomos kur Muli i garantoi në megafon gjithë të pranishmit, se protestuesit do të shtohen, dhe ditët në vijim do mblidhen me mijëra.
“Nuk na duhen as qindra, as mijëra,” vërejti i shqetësuar Vasil Kaplloqja nga Korça, “më mirë kaq sa jemi, pak e saktë. Shteti aq vende pune ka. S’do bëhemi të gjithë drejtora, bre!”
Vini re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-opozicioniste, anti-mazokiste