
Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë njëherazi bashkëshortja e politikanit të ndjerë Sokol Olldashit, Enkeleda këto ditë i është bashkuar protestës studentore në Tiranë, ndërsa mësohet se sot ka mbetur e lënduar nga gazi lotsjellës që efektivët kanë hedhur në drejtim të qytetarëve pas tensioneve në "Rrugën e Durrësit".
Siç mund ta shikoni dhe në foton e mëposhtme, nkeleda Olldashi shikohet në një gjendje jo dhe aq të mirë shëndetësore, me fytyrë dhe sy të skuqur nga gazi lotsjellës.
Pavarësisht tensioneve të ashpra mes studentëve dhe efektivëve, Enkeleda Olldashi ka zgjedhur që të jetë krah studentëve.
Ndërsa, ditën e djeshme, në fjalën e mbajtur për mediat Kela Olldashi, duke përkrahur revoltën studentore u shpreh se veshët e politikanëve duhet t’i dëgjojnë ata.
“Shumë gjëra mund të ishin ndryshe te forca politike ku ai (Sokol Olldashi) ishte pjesë. Nuk është përgjegjësi vetëm e kësaj qeverie, por e gjithë establishmentit që nga ’91 deri tani. Kjo revoltë, ne jemi kundër shkatërrimit, por është një revoltë e akumuluar që veshët e të gjithë politikanëve të të gjitha ngjyrave duhet ta dëgjojnë.
Bojkoti është një sjellje vullnetare e studentëve dhe askush nga pedagogët nuk e stimulon atë, por ne e respektojmë. Kur studentët nuk janë në auditor, ne duhet të jemi aty ku janë studentët dhe ne jemi aty”, tha dje Enkeleda Olldashi në prononcimin e dhënë për mediat.