
Firma koncesionare që po shfrytëzon vendburimin e kromit në Bulqizë, apo edhe disa fabrika të ferrokromit në Klos, Burrel dhe Elbasan, është vënë në qendër të disa skandaleve, fillimisht me bilancet tepër të dyshimta dhe së fundmi me mbetjet kancerogjene, për të cilat ka filluar edhe një hetim nga Prokuroria e Elbasanit.
Dyshimet janë se, me manovra tepër kriminale, drejtuesit e kompanisë “Albchrome” po zhvasin pasurinë, duke mos paguar taksa, divident e helmuar popullatën e punëtorët, ndërkohë që vendimmarrja e kompanisë mëmë turke veçse sa shton aludimet për një aferë kriminale.
Në pjesën e parë të investigimit, Vox News publikoi foto dhe dokumente të disa personazheve që kryqëzohen me disa firma, të cilët me manovra dhe punë të pista, a kanë arritur që t’i shpëtojnë drejtësisë, ndërkohë që janë pasuruar në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Bëhet fjalë për administratoren e “Albchrome”, Teuta Üstündağ, e cila prej shumë vitesh zvarritje arriti të katapultohej në një nga firmat më fitimprurëse në vendin tonë.
Madje, me lidhje tepër të fuqishme me biznesmenë turq, ajo u emërua për gati 1 vit e 2 muaj në firmën që menaxhon minierën më të madhe të kromit si dhe zotëron koncesionin e uzinave të ferrokromit. Ish-sekretarja dhe ish-protokolluesja në disa kompani udhëhoqi këtë firmë si administratore, duke mbaruar disa punë (të pista) me lidhjet që kishte. Së fundmi, pas skandaleve të njëpasnjëshme te Albchrome, Teuta u largua si administratore.
Prej më shumë se 14 muajsh, njeriu më i rëndësishëm i kompanisë koncesionare “Albchrome” ka qenë Teuta Üstündağ, e cila fillimisht ka qenë administratore e parë dhe më vonë është dubluar nga firma mëmë, pas dyshimeve për abuzime. Emërimi i saj ka qenë “me porosi” të disa biznesmenëve të tjerë turq, të cilët me lidhjet e drejtpërdrejta me administratën shtetërore shqiptare, arritën që t’a bënin një faktor kyç, por shpërthimi i skandalit me mbetjet kancerogjene duket se ka qenë vetëm “maja e ajsvergut”.
Në datën 24 nëntor 2026, kompania koncesionare “Albchrome” ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit vendimin për “dorëheqjen” e Teuta Üstündag. Duket se, drejtimi i firmës koncesionare është shoqëruar vitet e muajt e fundit me skandale të njëpasnjëshme, njësoj si me firma të tjera koncesionare, që falimentuan, negociuan, hapën kompani të tjera apo edhe s’paguan taksa. Por, pika më kritike e vetë Teutës ka qenë helmimi i Elbasanit, ku në uzinën e Ferrokromit u gjetën sasi të mëdha të pluhurit kancerogjen.
Te “Albchrome” kishin gjetur njeriun e duhur për të bërë këto manovra, pasi vetëm disa muaj pas emërimit si administratore, Teuta ka nxjerrë një bilanc me humbje prej 15 milionë eurosh, ndërkohë që emërimi i administratorëve të tjerë veçse ka ngritur hije dyshimi për një skemë akoma më të sofistikuar. Ndërkohë, caktimi i një administratori të tretë (disa muaj më parë) dyshohet se ishte bërë për të krijuar një tjetër skemë sa më të sofistikuar për të humbur gjurmët, duke qenë se Sevgen njihet si “mjeshtri” i përpilimit të letrave, duke ndryshuar bilance apo duke bashkëpunuar me palën shqiptare.


Veprimet e dyshimta të firmës koncesionare janë shoqëruar edhe me kufizimin e kompetencave të Teutës te “Albchrome”. Në kulmin e skandalit të mjeteve kancerogjene nga fabrika e ferrokromit në Papër, shkodranes i janë hequr disa përgjegjësi, teksa tashmë është larguar përfundimisht, duke vulosur se ajo është shkaktarja e të gjithë skandalit.
Dyshimet janë se veprimet janë bërë në mënyrë për të mbrojtur Teutën, e cila nga ana tjetër ka një mbrojtës të fortë, të cilët negociuan që largimi të ishte në stilin e “dorëheqjeve”, por të kërkuara. Kjo mënyrë erdhi për shkak se Teuta u orientua që të bënte punë (të pista) te kompania Albchrome, e cila brenda disa muajve ka marrë tatëpjetën, me orientim nga sipër, për të zhvatur pasurinë. Deri më sot ia kanë dalë, ndërkohë që institucionet ligjzbatuese dhe ato kontrolluese, kanë mbyllur sytë...
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016