MËSHIRA / Baz Gardhi i zgjat dorën e mirëkuptimit Bul Lashës

20 Mars 2024, 23:05Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Baz Gardhi (djathtas) kur ishte i gënjyer

TIRANË – Një gjest zemërbardhë sadakaje bëri vaki këtë të mërkurë brenda fraksioneve të Partisë Demokratike, i cili i zhbëri në dy sekonda të gjitha akuzat e dashakeqëve se gjasme Baz Gardhi ishte mosmirënjohës ndaj atij që i hapi dyert e karrierës në PD, domethënë ish-kryetarit Bul Lasha.

Deklarata e Bazit se ishte gati t’i linte një vend në komisionet e reja hetimore parlamentare, grupit të deputetëve të Bulit, bëri xhiron e shtypit ndërkombëtar. Radio Nepali raportoi se Baz Gardhi kishte thënë: “Një karrige në këto komisione që do hetojnë cilësinë e hellit të qiqrrave që po pjek qeveria e korruptuar e Ramës, e rezervojmë për deputetët e gënjyer të Bulit, meqë vetë ai nuk vjen dot se është i zënë. Le të thonë tani se jam mosmirënjohës ndaj ish shefit tim!”

Baz Gardhi më tej deklaroi se ka qenë edhe ai dy muaj me Ballin, domethënë me Bulin, por pastaj hodhi pushkën në sup dhe iu ngjit përpjetë rrugicës së Doktorit.

“Unë e kuptova gabimin dhe iu bëra gardh karrieristëve të shfrenuar anti-Doktor, që shitën gjyshin e madh për një karrige,” tha Gardhi, “por meqë e kanë fiksim, atë karrige po ua ofroj unë”.

***

Baz Gardhi mund të kishte mbetur një sekretaricë në ministrinë e Drejtësisë së Halim Këndimit, e pastaj do kishte kapur ndonjë ojf në ndihmë të burrave të dhunuar nga gjyshet, nëse nuk do kishin ndodhur ca ngjarje që e devijuan rrotën e historisë.

Kryesorja ishte Tenda e Lirisë, që solli teknikalitetin e qeverisë në maj 2017. Që nga ajo kohë, Gardhi ka nxjerrë konkluzionin se çdo gjë e Lirisë i sjell fat e mbarësi: Doktori i Lirisë, rruga e Lirisë… të mendosh se edhe Lilo Çepani arriti të njëjtin përfundim, kur e riemërtoi ndërmarrjen e vet, Partia e Lirisë.

“Nuk e di kush më hodhi trutë e gomarit, humba rrugën për ca kohë dhe i mbajta ison Bul Lashës e Alibej Agait,” do reflektonte më vonë Gardhi, “kur duhet ta kisha ngulitur në kokë që ku është Liria, është mbarësia”.

Shkurt muhabeti, rrota e historisë e mori kthesën me qeverinë teknike të beharit 2017 që e pa Baz Gardhin ministër Drejtësie. Pastaj erdhën me rradhë postet në PD, lënia e mjekrës dhe stërvitja për trashjen e zërit, që të ishte gati për stinën e protestave.

***

Por erdhi papandyer ngjarja që ja prishi ëndrrat: Amerika nxorri për Doktorin një ferman të zi dhe e shpalli kara-Doktor. Të gjitha ekuilibrat u përmbysën. Duhej mbajtur anë se s’bën. Dhe ai me mendjelehtësi zgjodhi Bulin, kryemashtruesin që as Doktorit nuk ja tha njëherë orën e saktë kur e pyeste sa është ora. Ç’është më e keqja, mëndjelehtësia u kthye në faj, kur ai nuk la gjë pa thënë për Doktorin, që e quajti “Babi i Zenit” duke aluduar për çunin e Doktorit, sikur ky i fundit kishte gisht në shpërthimin e Gërdecit ku ra shahit edhe kunati i Doktorit.

Faji u ngjit një shkallë më lart dhe u bë gabim, kur Gaz Bardhi e kuptoi që po të rrinte akoma me Bulin, e kishte të humbur deputetllëkun. Duhej marrë kthesa sa më shpejt. Bëri dhe një provë të fundit: Shkoi në Amerikë me shpresë se mos u mbushte mendjen amerikanëve ta vinin atë në vend të Bulit, por nuk doli gjë. Ata ja prenë shkurt: Nuk fitojmë gjë po të ndërrojmë një skuth me një tjetër!

Sa u kthye, e mbajti frymën te Doktori. “Më fal, u gabova. Nuk e dëgjova Gjyshin e Madh. Ah more!!!”, i tha dhe ja plasi të qarit.

***

Doktori e qetësoi. I tha Lirisë t’i bënte një çaj kamomili, ndërsa Argita i vinte kompresa me lëng boronice në ballë.

“Rëndësi ka që e kuptove gabimin,” i tha, “tani shko tek Edi dhe thuaji, më tha Doktori të bashkojmë votat dhe të bëjmë ndonjë lek punë, se po vijnë kohë të këqija. Me pesë kacidhe deputetët e Bul Lashës nuk ke gjë në vijë, thuaji. E mban mend?”

Baz Gardhi pohoi me kokë, fshiu lotët dhe u nis si flutur. Më tej punët rrodhën vaj.

Këto iu kujtuan kur i shtriu dorën e sadakasë Bulit dhe i ofroi karrigen për të tallur… kolltukun. Qeshi me vete, por befas iu rikthyen në kujtesë të gjitha pisllëqet që kishte thënë në adresë të Doktorit. I shkuan djersë të ftohta, se e dinte që ai nuk harronte kurrë…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike mirëkuptuese ndaj të gënjyerve

Video