SAMITI/ Brukseli: Ejani të merrni para me thasë. Rama: Ja, sa të bëjmë tenderin e thasëve! 

29 Shkurt 2024, 17:29Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Komisioneri Varhelyi duke dëgjuar për rëndësinë e thasëve

TIRANË – Ajo që qeveria shqiptare kishte frikë, ndodhi. Në samitin e Tiranës, Bashkimi Europian ftoi vendet e Ballkanit Perëndimor të dërgojnë dikë në Bruksel brenda dhjetë viteve të ardhshme, për të marrë 30 miliardë euro që do ndahen sipas meritave. Jo vetëm kaq, por 6 miliardë të tjera duhet të merren sa më shpejt, brenda tre viteve të ardhshme.

Por me një kusht, më saktë dy: Të tregojnë përparim real në luftën kundër korrupsionit, dhe të paraqesin projekte konkrete, të besueshme dhe efikase për ekonomitë kombëtare.

Të gjithë kryeministrave të rajonit u shkëlqyen sytë si të maçokut kur dëgjuan për para. Vetëm Të Gjatit sikur nuk i bëri përshtypje lajmi, madje u duk sikur u pezmatua. Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, e pikasi trishtimin e mikut dhe e mori mënjanë.

“Edi, çfarë ke,” i tha, “më në fund kemi siguruar para me thasë, pjesa e Shqipërisë është goxha e majme. Pse je mërzitur?”

I gjati ja ktheu: “Dëgjo Vero, më ke ardhur mik në shtëpinë time. Ti e di që shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, se e kam thënë në çdo samit. Ti vjen këtu dhe më zë në gojë paratë? Po pse, për para e bëj unë këtë? Ky është ofendim mor burrë i dheut!”

Por hungarezi, që tashmë e njihte mirë Të Gjatin, i tha: “Lëri këto dëngla, po më thua si e ke hallin. Janë paratë stivë po të them, mbushni thasët dhe kthehuni të investoni!”

I Gjati psherëtiu dhe pa ç’pa, i hapi zemrën: “Ky është problemi vlla, nuk kemi thasë!”

***

Menjëherë pas kësaj bisede, I Gjati mblodhi qeverinë në Zoom dhe deklaroi prerë: Brukseli po na ofron miliarda, po s’kemi me çfarë t’i marrim. Duhet të bëjmë urgjent një tender thasësh!

Në vijim u diskutuan modalitetet. Për sa thasë bëhej fjalë? Nëse fabrika që do bënte thasët ngrihej me konçesion, pas sa vjetësh prona i kalonte shtetit shqiptar? A do ishin thasë prej letre, apo ekologjikë, nga ata që bio-degradohen, apo thasë të zakonshëm najloni që pas përdorimit do të groposeshin në inceneratorin e Elbasanit? Çfarë përmasash do kishin? Tenderi do bëhej me prokurim të drejtpërdrejtë, apo i hapur me tre a më shumë oferta? Nëse njëri nga pjesëmarrësit ankohej, a do pezullohej tenderi dhe gjyqi do ndiqte të gjitha shkallët, deri në Strasburg?

Të gjithë këto u rrahën mirë e mirë dhe çështja po shkonte drejt sheshimit, kur ministresha e Turizmit dhe Mjedisit tha: Po pse duhen patjetër thasë xhanëm? Marrim nga ato kovat e mëdha që kanë artizanët e reçelit në Përmet, i mbushim me para dhe pastaj ua kthejmë prapë…

Por ngaqë I Gjati e pa shtrembër, ajo nuk e zgjati më.

*** 

Mirë, tha I Gjati, e zëmë se kjo çështje u zgjidh. Tjetra është se duhet të paraqesim projekte serioze, se nuk na i japin paratë për sytë e bukur. Bashkë me eurot do vijnë kontrollorë, financierë, vëzhgues…

Në këtë pikë, të gjithë iu hodhën në grykë: “Pse, paratë tona do kontrollojnë ata? Mos pranoni zoti Kryeministër, kjo është shkelje e sovranitetit!”

“Ashtu mendoj dhe unë,” tha shefi, “këta kapitalistët duan që ne t’u shtrijmë dorën. Por ne edhe banane hamë, ama perimet nuk i shkelim. Do t’i bëjmë vetë të gjitha, siç po bëjmë portin e Durrësit, autostradën Thumanë-Kashar, Portin e Korçës, liqenin e Libohovës, marinën e jahteve në Librazhd, brezaret e portokalleve në Korab e të tjerat.”

Zoom’i oshëtiu nga duartrokitjet. Kur ovacionet reshtën, I Gjati i vuri pikat mbi y: “Kështu pra, dua që tenderi i thasëve të fillojë urgjentisht brenda pesë viteve të ardhshme,” dhe u shkeli synë ministrave. Ata u gajasën dhe formalizmi i mbledhjes u tret si kripa në ujë. “Je i madh për zotin,” i thanë ata shefit, që si shpërblim i llastoi me urdhrin përkëdhëlor: “Tani shpërndahuni, qafira…”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që s’ka mungesë thasësh, veçse s’ka me çfarë t’i mbushë

Video