TIRANA - Një tjetër episod që dëshmon se pavarësisht unifikimit spektakolar brenda opozitës, marrëdhëniet mes eksponentëve më në zë të opozitës gjysmë të bashkuar pothuajse demokratike nuk janë aq vaj, ndodhi ditën e djeshme.
Ajo që u cilësua si përplasja e fundit mes Gaz Bardhit, kryetar i grupit të Gaz Bardhit në PD, dhe Mul Nokës, adjutant i grupit të Sali Berishës dhe imituesi më i talentuar i zërit të shefit në protesta, ndodhi kur të dy ishin duke nxituar me makinë për tubimin e mbrëmjes në rrugicën heroike të Doktorit.
Dëshmitarë në vendngjarje thonë se Gazi po i jepte gaz makinës për të mbërritur i pari në parkim, i gërryer nga ndjenja e fajit për kohën e humbur lart e poshtë nëpër Amerikë. U kishte kërkuar amerikanëve që ta bënin prapë deputet, në këmbim të mbështetjes së tij të pakushtëzuar për presidentin Joe Biden. Faktikisht, ata zyrtarë të Departamentit të Shtetit që takoi në hollin e hotelit në Uashington, teksa po hante një sanduiç, u hutuan disi nga oferta e Gazit, dhe kujtuan se ai donte të bëhej kongresmen në Amerikë.
“Na falni zoti Gaztor,” i thanë ata.
“Gazment, me t në fund”, i korrigjoi Gazi.
“Po, Gazment. Na falni zoti Gazment me t, nuk mund t’ju ndihmojmë të bëheni deputet këtu në Amerikë, domethënë kongresmen. Se ka disa kushte. Duhet të jeni shtetas amerikan,të keni rezidencë të përcaktuar qartë, numër sigurimesh shoqërore…”.
Gazi i sqaroi se donte të mbetej deputet në Shqipëri, jo në Amerikë. Por i thanë se nuk ja kishin haberin sistemit zgjedhor të Tiranës, megjithatë i premtuan se do flisnin njëherë me Edi Ramën. Kur dëgjoi këtë, Gazmenti i preu shpresat…
***
Edhe Muli ishte duke nxituar për në tubimin e mbrëmjes. Kishte marrë komplimente të shumta për imitimin fantastik të zërit të Doktorit në protestën për rrëzimin e bustit të Damian Gjiknurit. Të pranishmit e përmalluar nga mungesa e Berishës, dëgjonin Mulin dhe lëshonin kokrrën e lotit sa një luleshtrydhe. Por pati një problem. Ata qanë kaq shumë, sa kur doli vetë Doktori për të folur nga ekrani, u kishin mbaruar lotët dhe rrinin indiferentë.
Mulin e zuri paniku, sepse iu duk se edhe Argita me Zenin sikur e panë shtrembër. Sikur t’i thoshin, “ramë dakord ta imitosh babin, por jo kaq mirë!”
Mirë kjo, por tani kishte dhe hallin e Gazit. Mulit nuk i pëlqeu fare duartrokitja e stuhishme e të tubuarve të rrugicës për Gazin, kur u kthye nga Amerika.
“Punon larua dhe ha Balua,” tha me vete Muli, “unë kisha hall se mos më zinte vendin Jozi tani që u rikthye, kur na del Gazmenta”.
Duke menduar këto halle dhe duke ngarë makinën, Muli nuk e vuri re që Gazi sapo kishte mbërritur para tij, dhe i ra nga pas. Kishte rënë muzgu…
Çastin e parë, ata dolën të dy nga makina dhe nisën të bërtisnin: Ku i kishe sytë mër qelpsinë, apo të ka vënë Edi Rama të godasësh opozitën… Por pastaj dalluan njëri-tjetrin.
“Mulo, ti qenke?” “Gazo, po ç’bën a derëbardhë?”
Gjakrat u ulën menjëherë, dhe të dy nisën të këqyrnin dëmet.
“Më paske ra pak nga prapa,” vuri re Gazi.
“Ndalove papritur Gazo. Edhe ti më paske gërvishtur këtu përpara”.
Në fund, të dy i dhanë karar ta linin me kaq. Ç’bëri para, ç’bëri prapa, rëndësi ka fitorja, thanë dhe u nisën drejt rrugicës grusht-bashkuar.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike skeptike ndaj fërkimeve para-mbrapa