
Shikoni, proporcionaliteti është një parim themelor në sjelljen e çdo institucioni publik përballë individit, si mbajtës i lirive dhe të drejtave themelore.
Nuk ka asnjë diskutim që dhuna policore ndaj një demonstrimi paqësor është e paligjshme dhe joproporcionale.
Por, me të njëjtën logjikë ama, edhe përdorimi i forcës policore përballë dhunës së individëve është jo vetëm i ligjshëm, por edhe i domosdoshëm, për aq sa kërkohet për ta ndaluar atë.
Llogjika e proporcionalitetit kërkohet edhe në përdorimin e forcës përballë dhunës, por edhe në raport me kryerjen e detyrës publike.
Në një shoqëri të organizuar në shtet, monopolin e përdorimit të ligjshëm të forcës e ka pikërisht shteti. Ky monopol nuk i është dhënë rastësisht. I është dhënë për të shmangur talionin, atë logjikën primitive të reagimit sy për sy e dhëmb për dhëmb. Atë që sot e quajmë vetëgjyqësi.
Pra, shteti ekziston edhe që individët të mos detyrohen të mbrohen vetë nga dhuna e të tjerëve.
Tani, nëse shohim realitetin tonë të sotëm, policia shqiptare është ende larg një përgjigjeje efektive dhe proporcionale ndaj dhunës. Megjithse thotë se e dinte se çdo ndodhte, u gjet e papërgatitur.
Shihni statistikat e të plagosurve dhe kuptoni se kemi më shumë policë të dmtuar se dhunues.
Pra policia u gjet e papërgatitir në mënyrë ulëritëse. Po të ishte ndryshe, nuk do të shihnim kaq lehtësisht policë që goditen, prona që shkatërrohen dhe individë të dhunshëm që vazhdojnë veprimet e tyre.
Policia jonë, që ka harruar të bëjë tenderin eshkopinjve të gomës, skafandrave dhe mjeteve të tjera mbrojtëse, po performon keq në përmbushjen e detyrës për të mbrojtur rendin, pronën dhe vetë efektivët e saj. Pra mund ta akuzosh si të paorganizuar për këto gjëra, por jo që po ushtron dhunë eksesive.
Përballë këtij realiteti dëgjojmë vazhdimisht thirrjen: policia duhet të jetë proporcionale!
Po proporcionale me çfarë?!
Me dhunën që ushtrohet ndaj saj? Me shkatërrimin e pasurisë publike? Me grabitjen apo dëmtimin e pronës private?!
Proporcionaliteti nuk është privilegj i dhunuesit për të mos u penguar. Është detyrimi i shtetit për të përdorur forcën e nevojshme, pa e tejkaluar atë.
Në fakt, edhe mosveprimi i policisë mund të jetë joproporcional me detyrën e saj. Sepse një polici që nuk mbron dot as veten, si mund të garantojë mbrojtjen e qytetarëve?!
Tani, nëse policia nuk duhet të përdorë gaz lotsjellës sepse shkakton shqetësime, ujë me presion sepse lagen njerëzit, shkop gome sepse dhemb, apo forcë fizike sepse mund të shkaktojë dëmtime, më falni, por për çfarë policie po flasim?!
Për polici edukate morale?!
Natyrisht, asnjë prej këtyre mjeteve nuk mund të përdoret pa nevojë apo jashtë kufijve të ligjit. Aq më pak arma e zjarrit, përdorimi i së cilës u nënshtrohet kushteve jashtëzakonisht të rrepta. Megjithse sa më takon kam qenë e jam dakord në këtë pikë me rezënne Sali Berishës, që arma është dhënë për tu përdorur. Madje Berisha thoshte dikur se ishte gati ta përdorte edhe vetë për të mbrojtur zyrën e tij. Jam në një mendje me të edhe sot.
Por, përtej debatit mbi përdorimin e armëve të zjarrit, mjetet e forcës ekzistojnë pikërisht për situatat kur dhuna nuk ndalet me fjalë.
Forca e ligjshme e policisë nuk është e barabartë me dhunën e paligjshme të individit. Ngatërrimi i tyre është një absurditet juridik dhe logjik.
Ka edhe diçka tjetër.
Mosbindja civile është një formë kundërshtimi që mund të jetë paqësore. Por kur ajo zëvendësohet nga sulmet ndaj njerëzve, policisë dhe pronës, nuk është më thjesht mosbindje civile. Ajo është një ftesë e hapurnpër përplasje civile.
Nëse shteti nuk e ndalon këtë dhunë, krijon kushtet që përplasja politike të shndërrohet në përplasje fizike gjithnjë e më të rëndë.
Prandaj duhet kuptuar njëherë e mirë se proporcionaliteti nuk matet vetëm me forcën që përdor policia, por edhe me detyrimin që ajo ka për të ndaluar dhunën.
Një polici që përdor forcë të tepruar shkel ligjin. Por një polici që nuk përdor forcën e nevojshme për të ndaluar dhunën, dështon në zbatimin e tij dhe është po aq aq joproporcionale.
Në fund të fundit, shtetin e kemi krijuar pikërisht që të mos mbretërojë ligji i më të fortit. Sepse, kur shteti heq dorë nga forca e ligjshme, hap rrugën për forcën e paligjshme.
Dhe përpara se dhuna të kthehet në rregull, shteti duhet të kujtohet se ka edhe detyrimin ta ndalojë atë.
Se, siç thotë populli, përpara se të mbërrijmë te lufta civile, druri ka dalë nga xheneti…
Por në shtetin ligjor, ai nuk është instrument hakmarrjeje. Është mjeti i fundit i forcës së nevojshme për të mbrojtur rendin dhe lirinë e të gjithëve.