EPISOD DHUNE / Lul Basha filmon Gazin dhe Gjekmarkajn që e godasin: Ju kam mbajtur me bukë!

6 Mars 2024, 23:29Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Luli duke filmuar femijet e traumatizuar

TIRANË – Një video dramatike ka rrjedhur nga sirtarët e organeve kompetente dhe ka marrë rrugët e medias, duke ekspozuar një rast të pazakontë dhune në familjen politike.

Videoja virale, mesa duket e filmuar me celularin e Lul Bashës, tregon Gazin dhe Gjekmarkajn duke e ndjekur celular-mbajtësin nëpër korridoret e PD-së. Pamjet shfaqin qartë Gazin në sfond duke mbajtur një statujë druri të Doktorit në dorë, ndërsa Gjeka i tund në fytyrë Bashës një libër të trashë, mesa duket të At Zef Pllumit.

Audio e filmimit është qartësisht e dëgjueshme. Gjeka i bërtet Lulit: “Po ta vërvita kët libër në kokë, nuk ke me rrnue për me tregue!” Ndërsa Gazi flet nga distanca: “Po nuk pranove të bashkohesh në diversitet, të piu gjarpri i zi, nepërkë borgjeze!”

***

Në fakt, videoja është e rëndë. Luli dëgjohet t’u thotë agresorëve se u ka hapur rrugën në parti, u dha karrierë, i bëri deputetë e ministra, dhe na si ja shpërblejnë.

“Ju kam mbajtur me bukë, mosmirënjohës! Im kunat, në katër tendera, një e ka hequr mënjanë për shpenzimet tuaja more morracakë! Thuajini atij Plakut se unë më mirë pranoj të diversifikohem në unitet, sesa të unifikohem në diversitet me Jago si juve”.

Luli e depozitoi videon në policinë e Shtetit, ku bëri kallëzim ndaj të tretëve me akuzën se tentojnë t’i marrin partinë. “Ky është rasti i disatë i dhunës në familjen tonë politike. Kërkoj masë mbrojtjeje për personin tim. Ata duan të marrin gjysmën e PD-së pas divorcit, por ajo më takon mua,” ka deklaruar Luli në polici.

Por kallëzimi ishte i dyfishtë. Edhe Gazi me Gjekën depozituan padinë e tyre. Ata deklaruan se Luli kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait politik, një 80 vjeçari të respektuar që e mori nga skërkat e Prishtinës dhe e bëri njeri.

Bile Gazi pohoi në polici se Basha kishte falsifikuar diplomën e shkollës së lartë.

“Mos e shifni kur buzëqesh dhe bën si i kulturuar. Është injorant, komplet rrugaç. Njëherë hapa zyrën dhe e gjeta të kthyer përmbys, më kishte grisur të gjitha çentrot dhe qëndismat që bëja në kohën e lirë,” akuzoi Gazi.

***

Ngjarja merr ngjyra edhe më serioze, pasi ka ndodhur në sy të fëmijëve, dmth të disa kalamajve të forumit rinor, të cilët u anëtarësuan me shpresë se do bëheshin drejtorë sapo të mbaronin shkollën e mesme. Luli i tha policisë se ata janë traumatizuar, dhe duke qarë kanë deklaruar se duan të ikin, të shkojnë te forumi socialist.

“A e kuptoni? Kjo është e tmerrshme! T’i rrisë kalamajtë e mi Edi Rama dhe t’u mësojë si të shkarravisin mbi dokumente qeveritare!”, u ankua Basha. Nga ana tjetër, ai mohoi të ketë ushtruar çfarëdolloj dhune ndaj babait politik, siç akuzuan Gazi me Gjekën.

“Përkundrazi, ka qenë plaku që ka marrë një statujë druri të Jozefinës dhe ma ka vërvitur këmbëve. Më ka grisur edhe xhupin që e kam blerë në Hollandë,” deklaroi ai.

***

Dhunë në familjet politike shqiptare është ngritur shpeshherë si problem edhe nga organizatat ndërkombëtare. OSBE, BERZH, BE, OKB, AKBN, FBI, NSHRRAK dhe organizata të tjera kanë bërë disa konferenca në Tiranë për këtë çështje, nga ato me pushim kafeje në orën 10 dhe një drekë pune në 1.30. Por deri tani, i vetmi sukses ka qenë arritja e barazisë gjinore në rrahje, duke vendosur që në politikë, gratë t’i shkulin ekskluzivisht leshrat njëra-tjetrës dhe burrat të bëhen lëmsh me shoshoqin. Baza ligjore për politikanët me prirje të ndërmjetme mbetet ende e paqartë.   

Vini Re/ Patronazhisti është rubrikë satirike republikane

Video