TIRANË – Nuk thonë kot, se gjërat e bukura nuk zgjasin përgjithmonë. Bella Ballukja ishte mësuar që vetëm të jepte nga vetja, asnjëherë të përfitonte. Edhe kur rastiste që nuk i ndodhej gjë me vete, jepte nga buxheti, ama nuk i dridhej dora. Nuk thoshte kot ai i bekuari Tigër: Populli të flejë i qetë se nuk do punojmë me paratë e tij, por me paratë e buxhetit.
E mbi të gjitha, Bella jepte mendje, dije inxhinierike të akumuluar nga vite e vite të tëra përvojë nëpër kompani telefonike, piar-e bashkish, apo Albkontrolle nga më të ndryshmet. Vërtet kompania e ndjerë telefonike tani nuk është më, bashkia e madhe ka ndërruar duar, ndërsa paratë e Albkontrollit po i ha Beketi, por ama bagazhi profesional kishte mbetur.
Prandaj të gjithë e ndiqnin me ëndje kur Bella si ministre, vinte një kapele inxhineri në kokë, vishte një jelek të verdhë dhe urdhëronte kamerat të filmonin. Pastaj niste t’i shpjegonte Berber Visit dhe nja dy teknikëve që mbanin shënime në bllok, sesi duhej ndërtuar ura, sa centimetra i trashë duhej hedhur asfalti, pse tuneli ku po bëheshin punime do të shembej pas dy javësh për të bërë një shtesë tenderi tjetër, në çfarë këndi duhej mbajtur lopata, pse buldozeri duhej të punonte me energji diellore e kështu me rradhë.
Në vijim, Bella sqaronte sesa turistë të jashtëm ishte llogaritur të kalonin nga filan rrugë, sa autobusa me vizitorë mbante fistëk urë, sa përqind do rritej turizmi etj. Ndihej e qetë shpirtërisht, sepse gjithë ai know-how (sa i pëlqente kjo fjalë) nuk shkonte kot, por u dhurohej shtresave në nevojë, sidomos Berberit Vis.
***
Kur mori vesh se Berberin e arrestoi SPAK-u, në fillim Bella deshi të reagonte flakë për flakë.
“Edhe po e arrestuan, drejtësia jonë e arrestoi!”, nisi të shkruajë në kompjuter. Por pastaj iu kujtua se kjo ishte shprehja e shokut Kadri në mbledhjen e Komitetit Qendror me shokun Enver dhe shokët e tjerë.
Prit njëherë, i tha vetes, sa të kalojë vala e parë. Pastaj, nuk kish pse shtyhej kaq thellë në histori. Po qe për të imituar, më mirë të imitonte shokun Edi. Mendoi dhe disa formulime.
“Ne socialistët erdhëm në pushtet për të qeverisur. Nëse disa prej nesh zgjedhin të hanë pjeshka pas shpinës sonë, le të dalin para drejtësisë!”
E bukur, po mbase disa mistrecë do keqkuptoheshin me pjeshkën. Duhej gjetur një frut tjetër, por jo nektarinë, se tek e fundit, edhe ajo pjeshkë pa lesh ishte.
“Ata që duan të hanë banane pas kurrizit tonë…”. As banania nuk ngjiste. Importi shqiptar i bananes me kontenierë seç kishte marrë një nam të keq.
“Kushdo që përtyp fara kungulli fshehurazi shokëve të një ideali…”. Nuk bënte as kjo. E kapi ankthi dhe e la fare.
***
Deshi të konsultohej një herë me ministren e Bujqësisë për llojet e frutave, por u kujtua që paraardhësja e saj AZHBR-iste u shkarkua pa ceremoni dhe nuk dihej si do vente puna e saj. Nuk kishte kujt t’i drejtohej. Por mbi të gjitha, i mungonin shpjegimet e detajuara të projekteve, jeleku i verdhë, kamera në lëvizje, Berberi që tundte kokën në shenjë miratimi…
E shkundi zilja e celularit. Ishte shefi!
“Më thuaj diçka se jam kurioz,” u dëgjua zëri bariton nga ana tjetër, “që ky Visi merrte përqindje kur u jepnit tendera kompanive të tjera, e kuptoj. Edhe që një pjesë të tenderave ja jepte kompanisë së vet, edhe këtë e kuptoj. Po nuk e di, a merrte edhe përqindje nga kompania e vet, përveç parave të tenderit?”
Bella e mblodhi veten shpejt. Kot nuk i thoshte shefi, shtrigë.
“Nuk e di zoti Kryeministër, unë kam mbetur e shokuar,” iu përgjigj me ton të trishtuar, “kujt ja merrte mendja se ai do hante ballokume pas shpinës sonë?”
I Gjati ja plasi të qeshurës: “Po pse moj vajzë, i mbaruat të gjitha frutat, që kalove tek kuzhina tradicionale? Mblidh mendtë, të kam thënë që unë nuk mbroj njeri kur vjen puna tek drejtësia. Më del e më tepron Doktori, dhe atij mezi po i dal zot!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike infrastrukturore