TIRANË - Edhe pse kishte dërguar Baz Gardhin për të negociuar triumfin e revolucionit me socialistët, Doktori nuk ndihej i qetë. I Gjati i kishte çuar llaf se ishte gati të hapte komisionet hetimore parlamentare për çfarë të donte ai, por pranimi i beftë e kishte vënë në siklet. Njësoj si ata kalamajtë që pasi ua ndalon ëmbëlsirat për një javë rresht, u vë përpara dhjetë lloje pastash e çokollatash dhe ata e humbasin toruan e s’dinë ç’të zgjedhin, edhe Doktori ndihej i çoroditur.
“Po si pranoi ai Rama maskarai?”, pyeste veten ai, “paska qenë mashtrues i madh”.
Si të mos mjaftonte kjo, arsyeja tjetër pse ndihej si i përhumbur, ishte se ditët e fundit Zeni i kishte tërhequr vëmendjen për diçka. Në fakt, vërejtja ishte me vend.
“Shiko bab,” i kishte thënë evlati, “revolucioni po ecën shumë mirë, se kam pa sondazhet e Pim Çekës. Por ka një problem: Ne thamë që do ta rikthejmë PD-në në shinat e konservatorizmit tradicional të së djathtës, por po humbasim lidhjet me këto shtresa!”
***
Doktori u zu pa mendje. E pa të birin, por e hoqi vështrimin se sytë e tij prej peshkaqeni sikur ja prishnin terezinë. Pa ma shpjego pak këtë, i tha. Dhe Zeni, i përgatitur për këtë çështje, nisi arsyetimin.
“Po i bie shkurt”, i tha, “se ti i sheh nga maja e dritares, natë është dhe nuk i dallon mirë: A e ke parë se cilët vijnë në tubimin e mbrëmjes? Përveç ish ministrave e deputetëve, mblidhen ca pabuksa që ndërrohen një herë në muaj dhe ndonjë aktor i fandaksur që ka luajtur dikur një rol budallai fshati në film, dhe kujton se është bërë i zgjuar. Mungon e djathta klasike, pronarët, funksionarët e dikurshëm, bejlerët… me pak fjalë, ata që s’i shohin dot me sy komunistët që zbritën nga mali”.
Doktori i dha të drejtë. Edhe pse vetë kishte zbritur nga mali dhe kishte qenë komunist i gënjyer për mbi 20 vjet, Zeni e kishte tamam. Por ja që edhe këta antikomunistët i kishin dalë llafit.
“E mban mend Alibeun?”, i tha të birit, “edhe bej ishte, edhe nip ballisti me damkë, edhe i persekutuar. Dac nga biografia, daç nga arsimi, daç nga mbiemri, ishte fiks për PD-në. Por ja që na e drodhi, shkoi e u bë me anglo-amerikanët”.
Zenit i shkëlqyen sytë, se plaku i doli në shteg.
“Lëre Alibeun, bab”, i tha, “se ai fshatar i mesëm është. Kemi Allajbeun ne, kapitalist me nam, ka miliona pothuajse sa unë, ai është fiks për PD-në. Plus që vjen nga sektori yt, nga mjekësia!”
Doktori ja preu: “Ai ka spitalin amerikan, është me ata që na shpallën non-grata, nuk më pëlqen. Po të kishte ndonjë spital rus, apo indian, apo kinez, ndryshonte puna!”
Por Zeni nuk e la të vazhdonte.
“Spitali vetëm emrin ka amerikan mor bab, Allajbeu është dora jonë. A të kam thënë që më ka ndihmuar me grumbullimin dhe eksportin e boronicave në Gërdec? Kemi bërë goxha punë bashkë. Bile te vendi i shpërthimit në fshat, kemi ndërtuar një shatrivan me lëng boronicash.”
Doktori sikur u kandis. “Po mirë, çfarë sugjeron të bëjmë me këtë beun e shëndetësisë?” e pyeti.
***
Pak minuta më vonë, Baz Gardhit i ra telefoni.
“Zoti Gardhi, Doktori jam. Shiko, kur të bisedosh me burrin e ish gruas së të Gjatit, me Çuçen apo si e ka ai, thuaji që s’ka nevojë të hetojmë për konçesionet e hemodializës dhe të laboratorëve në shëndetësi. Të dyja bashkë venë a s’venë 28 milionë euro. Ne duam të hetojmë korrupsionin e madh, thuaji, jo qindarkat e atij derëziut, Allajbeut. Dëgjove, shejtan?”
“Si urdhëron zoti Doktor,” u përgjigj Gardhi nga pas gardhit.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-komision, anti-korrupsion