PRONAT / SPAK shpall në kërkim Pelikanin Kaçurrel, falsifikoi kadastrën e Karavastasë

28 Mars 2024, 17:43Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto arkive e familjes se Pehlikanit duke zaptuar nje ishull ne Karavasta

TIRANË – Batërdia shumëvjeçare me pronat në Shqipëri, më në fund po merr përgjigjen e shumëpritur nga drejtësia. Patronazhisti ka mësuar se arrestimi i kryebashkiakut në detyrë të Himarës Jorgo-Gjergji Goro, - i paditur nga pasardhësi i paardhur Fredi Beleri - është vetëm maja e akullores së vjedhjes së pronave në vend. Dihet se edhe më herët ka patur arrestime të ngjashme në Lezhë e Shëngjin, por rasti i Himarës është i veçantë.

Kjo, sepse sapo shkeli këmbë brenda në qeli, Goro ka ndjekur shembullin e pasardhësit të prapakthyer Beleri, duke paditur paraardhësin e tejvajtur Bollano, ky i fundit paraardhësin e tij e kështu me rradhë.

“Aktualisht jemi duke punuar për të marrë të pandehur kreun e komunës Himarë në kohën e mbretërisë së Zogut. Edhe ai ka gisht në këtë katrahurë,” pohuan burime anonime të SPAK-ut për Patronazhistin.

***

Por ngjarja më dramatike erdhi andej nga s’pritej, nga laguna e Divjakë-Karavastasë. Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka shpallur në kërkim as më pak e as më shumë, Pelikanin Kaçurrel, i cili për shumë vite e dekada ka pretenduar se është rezidenti autokton i lagunës. Pretendimi i tij jo vetëm që nuk është vënë asnjëherë në dyshim, por atij i është lejuar të ketë edhe një ishull të vetin brenda lagunës.

Padia në SPAK mësohet se është depozituar nga biznesmeni i Kosovës Behgjet Pacolli, i cili akuzon Pelikanin se ka falsifikuar letrat e kadastrës karavastaike duke zaptuar resortin e vjetër turistik të stërgjyshërve të Behgjetit. Madje për të imituar kushedi çfarë afërsie gjaku me biznesmenin, shpendi mashtrues kishte modifikuar edhe emrin në gjendjen civile, duke e kthyer në Pehlikan Kaçurolli. Duket se truku funksionoi për disa kohë, sepse edhe peshkatarët aborigjenë të zonës nuk e ngacmonin pehlikanin dhe familjen e tij, se “i kishte krahët e ngrohta”, pavarësisht se Behgjeti kompanitë e veta i ka regjistruar në Alpet e akullta të Zvicrës.

***

SPAK në padinë që ka regjistruar, nënvizon se Pelikani Kaçurrel nuk posedon kurrfarë dokumenti pronësor për Karavastanë, por e ka zaptuar territorin sipas parimit “asht e zanun”. Ai fluturoi, me gjasë, nga një grup ishujsh dalmatë në Kroaci, ku bënte më ftohtë dhe taksa e pronës ishte rritur pas anëtarësimit të vendit në BE. Por problematika të reja po shfaqen në horizont.

Pas njoftimit shokues të SPAK-ut, mësohet se kanë reaguar autoritetet kroate, që kanë akuzuar shtetin shqiptar për përndjekje të padrejtë të banorëve me origjinë kroate në Karavasta. “Ngulimi kroat i Karavastasë, i krijuar nga i mirënjohuri Pelo Kaçurreliç, po persekutohet nga të ashtuquajturit investitorë strategjikë që po grabisin pronat më të mira me leje të qeverisë. Shqipëria do hasë pengesa në fluturimin e saj drejt BE-së nëse vazhdon në këtë rrugë,” deklaroi qeveria kroate.

***

Por drejtësia shqiptare nuk ngjan të jetë kompleksuar nga ky kërcënim, ndërsa kryeministri Rama tha prerë se nuk mund të përzihet në punët e drejtësisë së posaçme të pavarur. “Po të ishte ndonjë drejtësi tjetër, për shembull, e përgjithshme dhe e varur, me gjithë qejf. Po kështu nuk mundem,” u shpreh Rama.

Ndërkaq kërkimi për Pelikanin vazhdon. Disa indicie flisnin për praninë e tij në Dubai, ndërsa dëshmitarë të tjerë ngulën këmbë se e kishin parë të maskuar, me puplat jo më kaçurrel, por të drejtuara. Madje disa thanë se Pelikani e kishte rruar kokën zero për të mos u njohur.

P.S. Dëshmitarë alternativë deklaruan se kaçurrelat nuk i kishte drejtuar Pelikani, por ish-ministrja Volta Llaçka, e cila si investimore strategjikse në Himarë vijon të jetë deputetse e Kuvendthit.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike kadastrike

Video