TIRANË – Atë ditë, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishin si në ethe. Do vinte të raportonte para tyre vetë kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, Hyxhym Dumani.
“Bo bo, do vijë të japë llogari kokërr më kokërr vetë zoti Duman,” thoshin ata me njëri-tjetrin duke u dridhur e parë me shqetësim orën, “të nxitojmë se duhet të jemi korrektë me orarin. S’është mirë të mbërrijë ai para nesh”.
Anëtarët e KLP-së me shami e leckë në dorë, fshinë karrigen e Dumanit, tavolinën, mikrofonin, ajrosën pak sallën, dhe porositën një kafe turke me pak, një copë llokum me shurup trëndafili dhe një kruasan, se pale, shefi mund të kishte dalë pa ngrënë nga shtëpia. Pastaj, për të qenë në rregull me protokollin, ngulën me gozhdë në mur, parullën e gjatë: “Të kritikojmë pa frikë, cilindo dhe me gërma të mëdha!”
Sapo Hyxhymi hyri në sallë, i shoqëruar nga dy zëvendës-Dumanët, truprojat dhe 20 gazetarë e kameramanë që i kërkonin autograf, e ndjeu tensionin e KLPsave dhe buzëqeshi.
“Po ç’kini mor të uruar,” i qetësoi ai, “këtu llogari do jap unë dhe jo ju. Jemi në shërbim të popullit, ndaj të më gozhdoni me pyetje të thella dhe të holla, dëgjuat?”
“Si të bëni ymër ju, zoti Hyxhym,” mërmëritën njëzëri këshilltarët.
***
Sapo u rehatua, kreu i SPAK rrufiti një hurbë kafe dhe nisi të rrëfejë fije e për pe, se ç’kishte bërë vitin e kaluar.
“Po rendis të gjitha punët që kemi bërë më 2023-in,” tha ai, “së pari, duam më shumë hetues për Byronë e Hetimit; së dyti, mos na vini të hetojmë korrupsione 500 euroshe se është turp, na ngarkoni kot. Nga SPAK, na keni bërë KAPS. Ne jemi themeluar të hetojmë korrupsionin e madh. Ja për shembull, ju si anëtarë të KLP-së, do merreshit me korrupsion 500 eurosh?” dhe u nguli shikimin këshilltarëve të lemerisur.
“Jooo zoti kujdestar!” thanë ata të turbulluar.
“Aha, domethënë ju merreni me korrupsion të madh?” ngriti njërën vetull Dumani.
“Po zoti…. Jooo zoti kujdestar,” u lemerisën KLPsat.
Pasi kujdestari, domethënë Dumani u sigurua se KLP-ja nuk donte ta hidhte nga shkallët, vazhdoi:
“Mirë, qetësohuni. Tjetra, duam të kemi mundësi të rikandidojmë për postet që kemi. Shteti dhe shoqëria amerikane kanë investuar shumë për ne, ndaj duhet të na shfrytëzoni sa më shumë. Se ne në popull i kemi rrënjët, apo jo more shokë,” dhe iu drejtua kolegëve spakistë, që miratuan me kokë duke qeshur.
“Kështu, besoj se mbaruam. Shifrat që ju kemi shpërndarë në letrat që keni përpara, tregojnë sa dosje kemi hetuar, që janë baraz me sa vendime ka dhënë gjykata e posaçme GJKKO. Se edhe gjykatat të popullit janë, dhe çfarë do populli do bëjnë, apo jo?” tha Dumani dhe bëri të çohej.
***
Mirëpo anëtarët e KLP-së nuk e lanë. Ata më në fund kishin gjetur kushedi se në ç’thellësi të stomakut, guximin për të folur.
“Prit, s’ke ku vete zoti Dumani,” i tha njëri nga ata, anëtari Barbar Tazaj, “deri tani ke folur vetëm ti. Tani, kam unë një pyetje: Si ka mundësi që nuk e vure në gojë fare atë kruasanin? Rrezik do ta kesh gojën helëm nga gjithë ato dosje korrupsioni. Nuk mund ta lësh veten pas dore kështu zotëri!”
Dumani u pre në fytyrë.
“Ahh, këtu më gozhdove,” pranoi fajin i dorëzuar, “për një moment më rrëmbeu arroganca dhe mendjemadhësia dhe nuk begenisa kruasanin e popullit të thjeshtë. Po e marr ta ha rrugës”.
Pasi e mbështolli ëmbëlsirën me kartopecetë, e futi në xhep dhe sa hyri në makinë, ja dha shoferit, “na vlla, çoja kalamajve!”
VINI RE: Më saktë, mos na e vini re. Patronazhisti është rubrikë satirike pro-reformë, pro-drejtësi e pro-Duman.