OPINION / Ne vinim nga malet me blerim mbuluar!

14 Prill 2024, 16:03Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Deputetja Volta Llaçka duke i shpjeguar Kuvendit se është malësore

Nga Volta Llaçka

Vendosa t’i shkruaj këto rradhë jo sepse ndihem fajtore, as për t’i treguar xhaxhi Edit se edhe unë jam në gjendje të rendis dy mendime të njëpasnjëshme me kuptim, si shokët e tjerë. Ai e di këtë që kur erdhi e më shkuli me zor nga Amerika. I tha tim eti: Ma sill në Tiranë dhe brenda një mandati do ta bëj ose deputete, ose ministre, ose të dyja bashkë, se nuk mund t’ua lëmë amerikanëve një xhevahir të tillë.

Kur e pyeta – isha e papjekur atëherë – a ka shumë vajza partizane, më tha me elokuencën që e karakterizon: Plot ka, edhe pse unë vetë rri në fushë, në Tiranë; pse, çfarë kujton, atje në mal ka vetëm burra? Do ishte e tmerrshme…

Nuk e shkruaj këtë reagim as për të bindur shqiptarët se nuk kam gjë me ata që zbresin nga mali dhe ngulin çadrën në plazh. Shqiptarët e dinë ndershmërinë time dhe e kanë të qartë që as kam vjedhur, as kam përfituar diçka të paligjshme. Çfarë kam marrë deri tani, e kam sipas ligjit, atij të riut, që ndërruam para ca kohësh për investitorët strategjikë. Edhe tokën e kemi marrë sipas ligjit, atij të riut që vulosi Gorua në Himarë – asnjëherë s’e mora vesh, e quajnë Jorgo apo Gjergji… Pse nuk ka gjetur një të mesme dhe ta bënte Gjorg?

Jo, shokë. Këtë sqarim po e bëj vetëm për kolegët e mi ministra të mbrojtjes, të jashtëm, kryeministra e presidentë, atë derëzinjtë që zinin rradhë për të më takuar në OKB ose thjesht për të shtrënguar dorën, si falenderim për fjalimet e mia të fuqishme. Që ata të mos kujtojnë se kam zbritur nga mali, në kuptimin e keq të fjalës.

***

Sepse të dashur miq, edhe unë nga mali kam zbritur. Domethënë, origjina e familjes sime është malore, prandaj nuk kam asnjë paragjykim për këtë lloj terreni gjeografik. Bile në rininë e parë, mali im i preferuar ishte Gjallica. Hajde mal që ishte! Sa i lartë, sa i pasur! E kam fjalën, mali është ende aty, por s’është më aq i pasur.

Edhe xhaxha Servet Pllumi (e njihni besoj kryepriftin në pension të socialistëve), kur më shihte ashtu të zgjuar e të hedhur, më thoshte: “Ma bëre zemrën mal moj mbesë. Kot nuk bëhesh socialiste ti, tani që do iki unë. Eja se do jeni te parcela ime te PS-ja, bashkë me Arbenin, djalin tim”. Ai e thoshte ashtu kot, por ja që mali me malin nuk piqen, ndërsa Volta me PS-në po.

Por le të kthehemi në çështjen kryesore, zotërinj. Më akuzojnë se kam përfituar – duke qenë në konflikt interesi – një leje investitori strategjik për familjen time, për një resort turistik në Rivierën e jugut, që do ngrihet mbi një tokë që i është vjedhur shtetit me letra të falsifikuara. Ca më keq akoma, pretendojnë që ky paska qenë shpërblimi im për firmën që hodha si ministre e Mbrojtjes, për tjetërsimin e pronave të ushtrisë, përfshirë bazën detare të Limjonit në Sarandë.

Shpifjeeee! E para e punës, baza detare ishte katandisur në pikë të hallit, e kishte mbuluar uji, madje edhe dy anije të vjetra që kishin mbetur, ishin lagur e bërë qull nga poshtë. Vetëm iniciativa private mund t’u bënte derman.

E dyta, leja e resortit nuk më është dhënë mua, por tim shoqi, në bashkëpunim me një firmë prestigjioze amerikane të themeluar pesë ditë para marrjes së lejes nga e dashura e vëllait tim. Të poshtrit thonë se e fejuara e vëllaçkos nuk mund të quhet strategjike. Pa shkoni e thuajani këtë vëllait, t’ju hidhet në grykë. Ai edhe kur flet me të, nuk i drejtohet në emër, por i thotë, ‘strategjikja ime’. Pa më thoni, ku hyj unë këtu?

***

Të dashur miq, më kryqëzuan se bëra një lapsus dhe thashë, rëra e plazhit i takon burrit tim, person privat nga Firencja, si hotelier strategjik, të mos zbresin dhërmiqotët nga mali – ju e dini që vetë fshati është lart në mal – dhe të ngulin çadrat. Ja ku po ju them, ata janë të mirëseardhur kur të duan, bile nuk ka nevojë të marrin fare çadra. Me 50 euro shezllongu, mund të kënaqen në bregdet nga nëntori deri në prill, se njerëz janë dhe ata. Kjo është një ofertë bujare, sepse po ta kishin me kaq neps bregun e ujit, pse vanë e i ndërtuan shtëpitë e tyre aq lart? Apo donin jeshillëkun, donin blerimin e malit. Epo o njërën, o tjetrën…

Unë e kisha për banorët nga Mali, shtet në Afrikë. Ata nuk duhet të zbresin në Dhërmi, por të rrinë aty në kampin e Gjadrit sa t’u verifikohen dokumentet nga Italia.

Tjetra që dua të them, është se plazhi i Rivierës duhet të jetë pluralist; siç thotë dhe populli, Shqipëria e Shqiptarëve, Riviera e Kollovarëve. Nuk mund të ndërtojnë në bregdet vetëm demokratët se pastaj bëhemi si në monizëm; pse ne socialistët na ka bërë lopa? Jo se kam gjë kundër lopëve, mos më keqkuptojnë blegtorët. Por e kam me ata derra që nuk e kuptojnë sakrificën që kam bërë, duke lënë Amerikën për t’ju bërë njerëz si turqit e sotëm mor qafira! Po ju nuk më kini hak, ju po më lodhni, po më plakni…

Mesazhin e fundit e kam për kolegët e kaq sakrificave, kolegët socialistë. Mblidhni mënt e kokës, se po ma hoqët mua mandatin strategjik, nesër do vijë rradha juaj. Do ta kërkoni Dhërmiun, do bridhni si çifutët nëpër shkretëtirë. Po qëndruam grusht, mund t’ja bëjmë jetën malore cilitdo që vjen e na prish harmoninë si kolektiv pararojë!

Juaja

Vini re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa shezllongje

Video