TIRANË – Edhe pse nuk ka dashur ta japë veten, kryeministri shqiptar Edi Rama ka qenë vazhdimisht i shqetësuar për largimin masiv të shqiptarëve nga vendi gjatë viteve të qeverisjes së tij, thonë burime konfidenciale për Patronazhistin.
Raportimet e pjesshme për ikjen e 200 mijë, pastaj 200 mijë të tjerëve, për arratisjen e infermierëve, pastaj të mjekëve, pastaj të studentëve e kështu me rradhë, ndërkohë që paradoksalisht, GDP-ja dhe të ardhurat për frymë të dhjetë biznesmenëve të mëdhenj vetëm rriteshin, e kanë munduar kreun e qeverisë aq shumë, saqë këshilltarët i sugjeruan një zgjidhje origjinale: Plasjen e skandaleve të njëpasnjëshme të korrupsionit për diversion.
Sugjerimet merrnin për bazë studimet më të fundit në psikologjinë e turmës, sipas të cilave, tërheqja e vëmendjes me një zinxhir skandalesh të bujshme do ta mbante të mbërthyer popullatën para televizorit. Ka patur plot raste kur familje të tëra e kanë shtyrë vajtjen për në Gjermani, vetëm nga kurioziteti për të parë se si do t’i vente filli çështjes së Arben Llallës; si do procedohej me dosjen e Ter Kokës; çfarë do bëhej me Ben Ahmetajn?
Dhe faktikisht, lajmi i arrestimit shtëpiak të Sali Berishës, sipas sondazheve të besueshme, realisht e frenoi arratisjen e shqiptarëve për tre muaj rresht.
Por rezultoi se edhe kjo ishte zgjidhje e përkohshme.
***
“Problemi zoti kryeministër, është te psikika shekullore e shqiptarëve,” i thanë këshilltarët, “populli nuk ka thënë kot, çudia më e madhe tre ditë zgjat. Kjo domethënë që adrenalina që stimulon një lajm skandaloz, pushon së prodhuari pas 72 orësh”. Shkencërisht, organizmi i njeriut kërkon një dozë gjithnjë e më të madhe, për të marrë të njëjtën kënaqësi nga substancat axhituese, siç është edhe adrenalina. Por skandalet nuk mund të ishin pa fund, megjithë përpjekjet e kryeministrit dhe stafit të tij.
Kapakun alarmit të Ramës ja vuri censusi i fundit i popullatës dhe banesave, që nxorri se Shqipëria nuk kishte më shumë se 1.5 milionë rezidentë.
I tha instaSTAT-it t’i mbajë sekret të dhënat derisa të mendojë një rrugëdalje. Dhe vendosi të luajë me reagimin e kundërt: Të xhelozojë popullatën e mbetur, me lajmin se qeveria do sjellë në vend 40 mijë punonjës të huaj. Vendi i origjinës u la mister, për të shtuar suspansin.
“Kështu jo vetëm që nuk do ikin më, por do kthehen edhe ca nga të ikurit,” deklaroi Rama.
***
Por çuditërisht, ikjet, aplikimet për ikje, kërkesat për leje qëndrimi e bile dhe kërkesat për azil politik, vijuan të shtohen. Kryeministri u dëshpërua. Burimet anonime pohuan se ai mendoi edhe hapin e fundit drastik: Të plaste një skandal të madh personal dhe të shkonte vetë në SPAK, me shpresë se njerëzia do rrinte edhe ca kohë në Shqipëri të ndiqte vazhdimin. Por u tërhoq çastin e fundit. Kishte hall se gjysmat e krizave të Ballkanit dhe disa çështje të ngutshme në BE, nuk kishte kush t’i zgjidhte.
Atëherë iu kujtua puna e tre-ditëshit.
“Dëgjoni çfarë do bëjmë,” i tha stafit të ngushtë, “meqë çudia më e madhe tre ditë zgjat, duhet të nxisim gjithë popullatën e ngelur, me hir a me pahir, të largohen nga vendi brenda tre ditësh! Kështu s’ka për të mbetur më njeri që të çuditet. Mund të rrinë ca italianë të call-centerave dhe dhjetë marinarë egjiptianë që janë në Vlorë, po ata nuk na prishin punë!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-emigrike pro-skandaloze