ADMINISTRATA / Ftesa e parezistueshme për të rinjtë e talentuar: Ejani se nuk ju fusim në burg!

26 Prill 2024, 11:59Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Të rinjtë duke vlerësuar ofertën

TIRANA – Agencitë e lajmeve dhe mediat kryesore shqiptare i kanë bërë jehonë këto ditë lajmit se qeveria shqiptare ka mjaft vende bosh në administratën publike, të cilat kërkon t’i mbushë me të rinj të talentuar dhe të shkolluar që kanë një vokacion të brendshëm për t’i shërbyer vendit.

“Jemi në një fazë delikate, ku kërkohet të çojmë përpara reformat që më në fund, do të na shpien mu brenda në Bashkimin Europian,” deklaroi një ministër i rëndësishëm i qeverisë nga panairi i punës që u hap në Tiranë, “ndryshe nga perceptimi popullor, jo vetëm kompanitë private por edhe administrata publike ka me qindra vende bosh. Kemi bërë disa herë ftesa për të rinjtë shqiptarë të super-shkolluar brenda dhe jashtë vendit, por nuk e di pse hezitojnë”.

Ministri i rëndësishëm bëri një pauzë, pastaj lëshoi deklaratën e fuqishme që shënon një kthesë kyçe në sjelljen e kryeministrit dhe kabinetit ndaj punonjësve të administratës:

“Më saktë, unë besoj se e di pse hezitojnë. Kanë frikë se shefat i vënë të firmosin dokumente të paligjshme, që më pas i bëjnë ata fajtorë në sy të ligjit dhe përfundojnë në kokërr të burgut”.

Ministri mori frymë thellë:

“Ja ku po ju them: Me porosi të veçantë të kryeministrit, askush nuk do shkojë në burg këtej e tutje, ju betohem. Prandaj, aplikoni, aplikoni!”

***

Lajmi i mirë bëri një xhiro të plotë mediatike jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. Media prestigjioze në gjuhët angleze, italiane, gjermane, franceze etj, bashkë me lajmet e zakonshme për Maldivet e Ballkanit, Karabibet e Europës, Sekretin e fundit të Mesdheut dhe Mrekullinë e Hemisferës Perëndimore, i bënë jehonë edhe këtij lajmi të hatashëm, me tituj si “Shqipëria një hap më pranë BE-së: Jo më burg për punonjësit e administratës që firmosin tenderat e shefave!”

Prononcimet për shtypin perëndimor filluan të gëlojnë nga Italia, Franca, Anglia, Gjermania etj, nga studentë ekselentë në vitin e fundit të universitetit, apo edhe nga ish stafe ministrore që lanë punën dhe u larguan jashtë vendit.

Një ndër ta është dhe ish specialisti i Ministrisë së Energjetikës, Ermal Kukamçefti, sot një nga picierët më të mirë në Gent, Belgjikë.

“Ky është lajmi që unë prisja,” tha i riu Kukamçefti, “se me thënë të drejtën, unë erdha familjarisht në Belgjikë pasi më zuri frika se një kolegia ime ra në burg se e urdhëruan të firmoste diçka. Unë s’mbaja mend se çfarë kisha firmosur, kështu që ja mbatha paraprakisht. Por tani që s’ka më burg, jam gati të kthehem dhe të kontribuoj për reformat. Dua ta çoj vendin në BE. Unë tani jam personalisht në BE, por ndihem fajtor që lashë atdheun jashtë dhe vetë hyra brenda”.

*** 

E entuziazmuar për ftesën bujare u shpreh edhe e sapodiplomuara e universitetit të Sorbonës në Paris, 24 vjeçarja Elaga Selaga.

“Për shumë vite këtu në Francë mbizotëronte një përshtypje negative për shqiptarët. Por reformat e zotit Rama, dhe sidomos lajmi i fundit se qeveria është gati t’i mbajë punonjësit e rinj të administratës jashtë burgut, mjaft që ata të kthehen e të punojnë në Shqipëri, e kanë ndryshuar tërësisht imazhin e vendit,” tha Elaga.

Si ajo, edhe shumë të rinj e të reja me diploma që variojnë nga Kembrixhi e Oksfordi, te Harvardi, Stanfordi, Bocconi, etj, po bëhen gati të lënë punët prej disamijë eurosh (ose dollarësh) në muaj, për t’u kthyer në Tiranë.

Ja çfarë tha për agjencinë Reuters nga Madridi, inxhinieri elektronik Sotir Lumëmadhi.

“Shqipëria po ndryshon dita ditës. Të mendosh se unë kam jetuar për shumë vite aty, dhe nuk e dija se ata katër ishuj sa një kapak kavanozi në Ksamil, ku pronarët kuksianë rriheshin me atë dibranë për një metër plazh, ishin Maldivet e Ballkanit. Sa i cekët paskam qenë!”.

Lumëmadhi deklaroi se ai kishte dashur prej kohësh të fillonte punë në administratën publike shqiptare.

“Por nuk e di, ndoshta ngaqë jam llastuar këtu në Perëndim, ajo ideja e burgut sikur më frenonte. Ama tani, asgjë nuk më pengon të shkoj e të jap ndihmesën time”.

Patronazhisti ndërkaq ka mësuar se të rinjtë shqiptarë nëpër botë, që do vendosin të kthehen në atdhe për të punuar në administratë, do të japin edhe një kontribut tjetër, qoftë edhe pa dashje. Sapo të hyjnë në kufirin shqiptar, për shkak të pasaportave ata do shënohen si turistë të huaj.

 

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike me pasaportë vendi

Video