E VËRTETA / Guvernatori i Bankës zbulon se cila nuk është arsyeja e rënies së Euros!

4 Maj 2024, 21:27Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shefi i Bankes Centrale duke sqaruar mediat

TIRANË – Afrimi me shpejtësi marramendëse i raportit të këmbimit të euros me lekun shqiptar në 1;100, ka detyruar guvernatorin periferik të bankës qendrore Bejko Sejko të ofrojë një shpjegim të hollësishëm për gazetarët e ekonomisë dhe gjithë publikun, pas shumë hezitimesh.

Duke prezantuar para mediave raportin e fundit të Bankës, guvernatori Mejko deklaroi:

“Pasi analizuam me kujdes të gjithë indikatorët, arritëm në përfundimin se dobësimi i monedhës europiane nuk ka asnjë lidhje me investimin e parave të drogës në ekonominë shqiptare, kryesisht në ndërtim e turizëm”.

***

Guvernatori Tejko pranoi se debatet kanë qenë të shumta, pasi anëtarët e bordit mbikqyrës hodhën për diskutim edhe teza të tjera, si mundësitë që në rënien e euros të mos kenë asnjë ndikim remitancat, turistët, informaliteti skandaloz apo vjedhja në shkallën 1 me 1 e tenderave publikë.

Por sipas Dejkos, këta faktorë kanë pasur oshilacionet e tyre përgjatë viteve, ndërkohë që vetëm një dukuri ekonomiko-financiare ka qenë e përhershme: Paratë e pashtershme të drogës në ekonomi.

“Prandaj themi me bindje, pasi kemi arritur një konkluzion të pjekur shkencor, se euroja e Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me euron e Europës dhe Amerikës Latine që vjen nga kokaina e transformuar në pallate, hotele dhe komplekse turistike,” deklaroi Vejko.

***

Për të elaboruar më tej tezën e tij, guvernatori Xhejko shpjegoi se kokaina është prej natyre, një substancë e papërshtatshme për ndërtim.

“Ju me siguri keni parasysh kokainën e kapur nga policia, ku ju dalin para syve disa pako të forta në trajtë tullash, dhe me të drejtë mund të mendoni se ato janë fiks materiali i duhur për ndërtim,” buzëqeshi Lejko me mendjelehtësinë e medias, “por jo. Që ta dini, vetë kokaina është si pluhur dhe nuk bëhet as llaç i mirë. Përkundrazi, prishet. Prandaj harrojeni që bumi i ndërtimeve dhe investimeve të vijë nga kokaina. Është fizikisht e pamundur”. 

***

Reporterët ndërkaq, me natyrën e tyre provokuese, kërkuan nga guvernatori periferik të dinë nëse Banka qëndrore e ka gjetur arsyen e rënies së Euros. Por morën këtë përgjigje:

“Po më çudisni, se ju jeni dhe me shkollë të lartë. Si gjendet se çfarë e shkakton diçka? Gjendet duke eliminuar së pari, faktorët që nuk e shkaktojnë atë. Dhe deri tani dimë se rënia e Euros – por dhe e Dollarit bashkë me Euron – nuk vjen nga inxheksionet e kokainës në ekonomi. Në qoftë se ekonomia jonë do merrte kokainë, do ta kishim kuptuar. Ajo do sillej euforike, si e shkalluar, mbushur me entuziazëm të shfrenuar, gjithçka do t’i dukej fushë me lule. Ku e vini re ju diçka të tillë? Ekonomia jonë mezi heq këmbët zvarrë...”

Vini Re: Patronazhisti dhe Banka Qendrore janë rubrika satirike       

Video