TIRANË – Që kur kryeministri Rama vendosi të vijojë dhe konsolidojë traditën e kryebashkiakut Rama, i cili eci në gjurmët e kryetarit të PS-së Rama, për të pasur më shumë bashkëpunëtore femra sesa meshkuj në rangjet e larta partiake dhe qeverisëse, nuk kanë pasur të sosur raportet lavdëronjëse ndërkombëtare për barazinë gjinore, mbështetjeten e gruas në vendimmarrje, respektimin e seksit të dobët etj.
Dhe në fakt, gratë ministresha kanë prodhuar më shumë volum pune, kanë qenë të shtruara e punëtore dhe e kanë ndriçuar imazhin e Shqipërisë në botë. Në entuziazëm e sipër, kryeministri e ka ngritur lart punën e tyre, duke e quajtur me përkëdheli herë njërën shtrigë, herë tjetrën kukumjaçkë, e herë një të tretë merhume, aq sa kjo e fundit ja ka plasur të qarit nga gëzimi në mes të parlamentit.
Por ja që çdo anë e ndritur ka edhe një anë të errët. Shkenca e psikologjisë shumë pak e ka analizuar frustrimin e bashkëshortëve apo partnerëve, kur femrat bëjnë përpjetë në karrierë. Sipas autorit të njohur të këtij lëmi, ekspertit Qafir Shejtanoglu, disa meshkuj nuk e përballojnë mirë këtë proces, dhe për kompensim psikologjik fillojnë të mbajnë nëpër xhepa sende metalike si krehra të vegjël alumini, prerëse thonjsh, lima thonjsh, lapsa sysh etj.
“Por këto simptoma të zakonshme mund të përkeqësohen, nëse ky sindrom lihet pa trajtuar,” shkruan Dr. Shejtanoglu në librin e tij bestseller “Të qafsha moj Shegë”. Dhe përkeqësimet përfshijnë mbajtjen me vete të objekteve të marangozisë akute si perona, gozhdë, kaçavida të drejta dhe kryq, e madje edhe zdruktha të vegjël xhepi dhe trapanë, në rastet më të rënda.
***
Kështu duke se ka ndodhur me burrin e ish-ministres së Ekonomisë, tashmë ministre e Shtetit për Sipërmarrjen, Krahëmarrjen dhe Shpinëmarrjen, Ibrahime Delinaj, siç po zbulojnë hetimet e pahetuara të prokurorisë.
I frustruar nga karriera e të shoqes, burri në fjalë – i cili dikur as kopsat e xhaketës apo zinxhirin e pantallonave nuk i kishte prej metali – nisi të mbajë nëpër xhepa objekte të vogla si prerëse thonjsh apo mbajtëse çelësash. Nuk është përcaktuar me saktësi kur ndodhi tranzicioni i rrezikshëm, por dikur bashkëshorti nisi të qarkullojë me gozhdë në xhepat e xhaketës. Të tjerë thoshin se gozhdët në fakt ishin biçaqe.
Dhe papritur e papandyer ndodhi e keqja. Një ditë të bukur, burri pa në rrugë një shok të vjetër, që rastisi të ishte shef agjencie në ministrinë e të shoqes. Aq i përmalluar ishte, sa u hodh ta përqafonte, mirëpo njëra nga gozhdët e shpoi tjetrin mu në brinjë.
Sigurisht që ishte një incident fatkeq, dhe policia në raportin e saj e theksoi qartë: Bëhej fjalë për një gozhdë qorre. Ose biçak shurdh. Megjithatë, zarari ishte bërë.
***
Kryeministrit nuk i erdhi mirë kur e mori vesh. Ai kujtonte se e kishte kopsitur aq mirë strukturën qeverisëse, sa nuk kishe ku të ngulje një gozhdë. Por ja që nuk qe e thënë. E mori Ibrahimen mënjanë, e kritikoi për burrin metalar dhe në fillim mendoi ta hiqte fare. Por e kuptoi që meseleja mund të merrte dhenë dhe t’i prishte më shumë punë, kështu që e çoi në një ministri tjetër për të fashitur historinë.
Por historinë e metaleve të vogla të burrave të ministreshave nuk e la me kaq. I dha urdhër policisë të kontrollonte rregullisht të gjithë bashkëshortët e grave me karrierë të lartë në qeveri dhe institucione të tjera kyçe.
***
Pas kësaj, dëshmitarë okularë nisën të vënë re grupe policësh që ndalonin burra të caktuar në mes të rrugës, në kafene apo bilardo, i kthenin me kokë poshtë dhe i shkundnin mirë e mirë. Në tokë binin lima thonjsh, thika zvicerane, gozhdë gjermane, biçaqe turke, karfica e mbajtëse çelësash. Uniformat i mblidhnin këto objekte, i fusnin në një qese me procesverbal, e kthenin mashkullin në pozicionin fillestar dhe largoheshin pa thënë asnjë fjalë. Operacioni u zgjerua deri aty sa bashkëshortët nuk lejoheshin as të dëgjonin këngë metal.
Aksioni i fundit ndodhi para dy ditësh. Duket se fushata ka funksionuar, sepse tre burrat e fundit u kapën vetëm me nga një prerëse thonjsh. Ata protestuan pranë drejtorit të policisë se nuk kishin bërë asgjë të paligjshme, dhe se prerësja u duhej, pasi u ishin rritur shumë thonjtë.
“S’ka gjë, le të rriten,” u tha drejtori Rrumbullak Strumbullaku, “luanit i kanë hije!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-metalike