RINGRITJA / Nevoja urgjente për mbështetës, Lilua ngre dolli me birra për këdo që fiton në televizor

14 Maj 2024, 17:09Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lilua duke bërë gëzuar me fituesit skocezë

TIRANË – Një seri videosh festive të hedhura ditët e fundit në rrjetet sociale si telegram, telegraf, lajm-thirrje, tiktok, taketuke, tak-fak etj, dëshmojnë se lideri i Partisë së Lirijes, Lilo Çepani, ka filluar fushatën e fortë për të ringritur partinë dhe shtuar aradhën e mbështetësve brenda dhe jashtë vendit. 

Videoja e parë ishte xhiruar në pikë të mëngjesit, dhe në sfond kishte ekranin e televizorit që po shfaqte ekipin e tij të zemrës, Sëlltikun e Gllazgout, duke ngrënë mëngjes. Me një shishe birre në dorë, Lilua fliste para celularit dhe trokiste shishen me televizorin. Dita vazhdoi me birra deri pasdite, kur u luajt ndeshja e vërtetë kundër Rejxhersave. Sëlltiku fitoi dhe Lilua e kuptoi se ky ishte shansi i tij. Xhiroi një tjetër video në kohë reale me birrë në dorë dhe e hodhi në rrjet. Videoja u bë virale sa hap e mbyll sytë: Mijëra like, miliona klikime nga gjithë bota. Madje disa emisione humoristike nëpër Europë dhe Amerikë kërkuan leje për ta përdorur videon në rubrikën ‘Dumb football fans’.

***

Lilua e kishte bërë helaq udhëheqjen e mëparshme të partisë, se nuk u ishin kushtuar rrjeteve sociale. “Të rinjtë janë rezervuari i anëtarësisë sonë. Ku janë liket, sherret, imoxhit? Çfarë keni bërë gjithë këtë kohë? Jeni të përjashtuar,” deklaroi ai para do kohësh, duke shkarkuar edhe të shoqen, Maria-Antuanetën.

Dhe filloi të hedhë në rrjet video duke bërë fizkulturë, ngjitur male, mbledhur lule, vjedhur tunele, shkruar blloqe… Por vetëm pas videos me Sëlltikun e kuptoi çelësin e suksesit.

Thirri Bilushin dhe i tha: “Dëgjo, duhet të filmohemi vetëm me fitimtarët. Njerëzia nuk të duan nëse të shohin me humbësit”.

Dhe vendosi të bëjë video me këdo që fitonte diçka në televizor, duke bërë gëzuar me ekranin.

***

Një nga videot më të bukura ishte ajo e fitores së superkupës së Taxhikistanit në futboll, mes ekipeve Istiklol dhe Ravshan Kulob. Fitorja e Istiklolit 2 me 1 e ekzaltoi Lilon. Kapi shishen e birrës dhe e përplasi me televizorin: “Aferim Istiklol! Hallall, za pobjeda tavarishi!” Pastaj iu drejtua Bilushit: “E filmove mirë?” 

“Po shef, pa merak” i tha Bilushi, “po videon tjetër le ta xhirojë Erisa se unë jam vonë për protestën e bashkisë”.

Në vijim, Lilua uroi nga televizori fitoren e një vrapuesi xhamajkan në 200 metra, tenisten amerikane Naomi Osaka, tre xhudiste kosovare, si dhe fitoren futbollistike të ekipit çeçen Akhmat Grozni, që triumfoi pasi lideri çeçen Ramzan Kadirov plagosi nga tribuna pa dashje me tre plumba në këmbë, gjyqtarin e ndeshjes Katran Katranov.

Emocione të veçanta dhuroi videoja e urimit të fitores në kriket, të kombëtares pakistaneze të udhëhequr nga talenti Mohammad Babar Azam. Për këtë rast, i kujdesshëm si gjithmonë, Lilua përdori birrë pa alkool.

Ai gjithashtu toku një gotë uiski me fituesin e famshëm Alaskan të garës së slitave me qen, Iditarod, kampionin Dallas Seavey. “Unë zakonisht dal në video me mace, por qentë e tu janë të jashtëzakonshëm,” i tha Lilua televizorit. 

***

Vetëm se në një nga fitoret televizive, pati një keqkuptim. Një nga këto ditë, teksa Lilua ishte në birrën e 20-të, turbull pa në televizor se një burrë bardhosh në moshë, pa flokë, por tip sportiv si ai vetë, ishte shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale.

Instinktivisht, Lilua hapi një shishe të re dhe e bëri gëzuar me ekranin: “Bravo! Një fitore e shkëlqyer demokratike, që paralajmëron edhe fitoren e Partisë së Lirijes! Përpara, Heil Heil!”

Shyqyr qëlloi që Bilushi sapo ishte kthyer nga një protestë në bashki. La trastat e pazareve në korridor, ia mori celularin nga dora, dhe fjalia e fundit që dëgjohet në video është: “Jooo shef, nuk bën! Ky që fitoi ishte Lad Putini…”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike, por jo në lartësinë e videove të Lilos

Video