TIRANË – Burime gojëkyçura pohuan për Patronazhistin se prokuroria e posaçme anti-korrupsion, SPAK, ka pyetur deri tani rreth 85 mijë punonjës të të gjitha rangjeve të administratës publike, nga pushtetet qendrore e lokale, të zgjedhur dhe të emëruar, si “persona që kanë dijeni për çështjen”.
Nga të fundit që dolën të buzëqeshur nga zyrat e SPAK, ishte kryetarja e bashkisë së Durrësit, Dasmore Sako, e cila deklaroi për mediat se ishte ftuar nga prokurorët për të dhënë disa mendime mbi filmin Dasma e Sakos, si person në dijeni, njësoj siç kishin dijeni para saj ministra, kryebashkiakë, ish ministra e ish presidentë.
***
Jemi persona që kanë dijeni për çështjen, thanë me dhjetra e qindra mësues, policë, specialistë, llogaritarë, sekretarë e sekretarica, elektricistë, shefa IT dhe projektues digash. Ata deklaruan se nuk mund të jepnin më shumë detaje, pasi do kompromentonin ecurinë e hetimeve. Patronazhisti megjithatë, ka mësuar se çështja që po heton SPAK, nis nga tenderat e lapsave dhe letrave format A4, tek faqet e reja të internetit të institucioneve që kushtojnë mesatarisht nga 4 deri në 400 mijë euro, tenderat e lyerjeve, suvatisjeve, ndërrimit të prizave e çelësave, të karburantit dhe uniformave të policëve e ushtarakëve. E njëjta çështje, ka përfshirë edhe blerjen ose marrjen me qera stratosferike të makinave, kostot e riparimit të super-benzave që e kanë lënë kryetaren e Kuvendit me taksi, blerjen e tapeteve 100 mijë eurosh për zyrat e ministreshave, shtrimin e rrugëve të fshatit, super-stradave, marinave për jahte dhe ndërrimin e xhamave të thyer të shkollës “36 Gushti” në fshatin Greminas të komunës Humneras.
Sipas SPAK, në këtë aspekt me interes është edhe hetimi i shefave të policisë që shesin tek bandat kriminale lëvizjet e rivalëve përmes sistemit TIMS, apo edhe puna e tyre part-time pasditeve, si ekzekutorë të po këtyre bandave. Megjithatë, lidhur me këtë kategori të fundit reporterët janë ngatërruar disi, sepse policët janë paraqitur me veshje civile në dyert e SPAK, dhe kur kanë dalë, kanë deklaruar se janë bojaxhinj që kanë dijeni për çështjen.
***
I vetmi që doli nga skema e pasjes në dijeni dhe u paraqit para kamerave me një version origjinal, ishte gazetari i njohur Bastun Hanxhiu, i cili deklaroi se kishte hyrë në SPAK me kapele të rrasur mbi sy dhe syze dielli, për të marrë një intervistë. Vetëm se Bastuni i shkretë e prishi kur e pyetën se kë intervistoi.
“Nuk jam i lejuar ta them se kujt i mora intervistë, sepse mund të dëmtoj ecurinë e hetimeve,” i shpëtoi atij. Megjithatë gazetari me 17 mije euro rrogë në muaj si specialist marketingu i Spitalit Amerikan, nuk e humbi toruan dhe sot e kësaj dite vijon të debatojë gazetarikisht nëpër studio televizive. Bile Bastuni deklaroi se atë rrogë e meritonte, sepse i çonte spitalit klientë, domethënë të sëmurë. “Kam punuar si mushkë, madje kur nuk gjeja pacientë, disa miq të shëndoshë si molla i kam sëmurur për t’i çuar atje. Nga puna askush nuk duhet të ketë turp,” deklaroi asokohe Bastuni, duke ftuar mediat që mos t'i bëjnë hesapet pa hanxhinë.
***
Mësohet se pjesë e çështjes është edhe tenderi i 6 mijë flamujve kuqezi që u përdorën në tubimin madhështor të Athinës, 3 milionë eurot e gjetura tufa-tufa në shtëpinë e një emigranti shqiptar nga Durrësit që ka punuar murator në Zvicër, si dhe dhjetë stilolapsa që u gjetën në shtëpinë e një mësuesi fshati.
Ndërsa të gjithë personat janë duke u hetuar në gjendje të lirë, mësuesi në fjalë është arrestuar në flagrancë dhe ndodhet në qeli, pa të drejtë apelimi.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike empatike ndaj personave që kanë dijeni për çështjen