LINGUISTIKË / Inxhinieri Kazan Huri shpjegon zhvillimet gjeopolitike me gjuhën shqipe 

24 Maj 2024, 17:44Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kazan Huri duke eksploruar disa pije pellazgjike

TIRANË – I ftuari në një emision televiziv për të folur mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, rajon dhe në botë, inxhinieri mjedisor Kazan Huri deklaroi dje se çdo detaj, toponim dhe emër i përveçëm që ka lidhje me zhvillimet e sotme gjeopolitike mund të shpjegohet vetëm me anë të gjuhës shqipe.

“A e kuptoni zotërinj, se shqipja lëviz të gjitha fijet e botës? Ja, Britania e Madhe shpalli zgjedhjet parlamentare. Por kush i shpalli? Kryeministri Rishi Sunak,” deklaroi Huri, dhe vazhdoi:

“A e patë që doli para mediave aty në shi? Rri në Shi, Rishi!”, tha ai, “pastaj vijmë tek mbiemri. Sunak shpjegohet me gegnishten: S’mund ti hyj në hak, SunHak. Por meqë kryeministri ka origjinë indiane, ata nuk e shqiptojnë H-në, prandaj bëhet Sunak. Shkurt, Mbretëria e Bashkuar drejtohet nga dikush që Rri në Shi, por që S’un i hysh në Hak!”

Më pas Kazan Huri u afrua gjeografikisht. “Kemi Italinë mike këtu përballë. Po nga vjen ky emër? Jua them unë. Në kohërat e vjetra, një shqiptar nga fshati Tale i Lezhës emigroi andej. Të gjithë vendasit thoshin: Ai i Tales. Kështu me kalimin e kohës u fiksua emri Itales, Italia”.

*** 

Sipas Kazan Hurit, mbiemri i presidentit amerikan Joe Biden ka tre shpjegime të vlefshme.

“Shpjegimi i parë është bideja, që njerëzit kujtojnë se është frëngjisht, por ata e kanë marrë nga ilirët. I dyti është Bidoni, sepse thuhet që të parët e tij janë marrë me tregti bidonash. I treti është Bedeni, që dihet se është pjesa e murit të kalasë ku bënin roje ushtarët. Sa më shumë bedena ka kalaja, aq më e mbrojtur është. Dikush do thotë se bedeni është turqisht, por e ka gabim. Turqit endeshin nëpër stepa kur iliro-pellazgët ndërtonin kala me bedena.”

Dhe Huri konkludoi: “Për mendimin tim, Biden ika të tria kuptimet brenda: Sepse një ushtar që rri në bedena, ndonjëherë ka nevojë për bide, dhe ujin ja sjellin me bidona!”

***

Një tjetër argument i Hurit për vjetërsinë e paarritshme të shqipes, është vetë fakti që shqiptarët “i shqiptojnë” fjalët.

“Pse nuk e kanë grekët shprehjen “ma greko pak këtë fjalë”, ose italianët, “nuk e italove mirë këtë shprehje”? Sepse janë gjuhë të reja, të sajuara me huazime nga pellazgjishtja ilirike,” deklaroi ai.

Në vijim, Kazan Huri kapërceu mijëra kilometra dhe u hodh në kryeqytetin kinez, Pekin.

“Unë e kam thënë se Pekin vjen nga Peqin, por ka edhe një shpjegim rezervë, që vjen prapë nga gegnishtja. Kur dikush udhëtonte nëpër botë dhe pastaj kthehej në vendlindje, e pyesnin: A Pe Kënd?, ku d-ja mbetet e pazëshme. Pastaj fjala u modifikua në Peken, Pekin”.

Sipas Hurit, në kohërat e vjetra kryeqyteti i Japonisë ishte një fshat i vetmuar, ku ata pak banorë nuk pranonin kurrsesi të ardhur të tjerë. “Tok Jo”, thoshin, sa herë dikush u lutej të vinte e të rrinin tok. “Tok Jo”, refuzonin ata, dhe mbeti Tokyo.

Në fund, shkencëtari mjedisor i linguistikës shpjegoi me guxim shkencor edhe emrin e vet.

“Po ju zbërthej kuptimin e emrit tim, që të mos thoni se marr nëpër gojë dynjanë. Meqë ra fjala, dynja nuk është turqisht, por shqip: Dy Një, dmth dy njësha, që simbolizon shumësin, pra shumë…

Atëherë, emri Kazan përmban shumë filozofi brenda. E keni dëgjuar shprehjen Ku Ka Za, s’Asht pa Gja? Kazan, dmth Ka Zë, prandaj unë nuk lodhem së foluri!”

Në entuziazëm e sipër, Kazani iu drejtua kameramanit të panikosur, “a e di ti kuptimin e zanatit tënd? Nënkupton bollëkun: Ka, Merr, Aman, domethënë Aman, merr se ka plot…”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pellazgjike anti-sharlatanistike   

Video