TIRANË – Kompania e njohur shqiptare e fluturakëve Albaxing siguron qindra pasagjerët e mbetur në tentative, se biletat e prera prej tyre gjatë muajve të fundit do të rimbursohen në masën 120%, vetëm se duhet pak durim.
Deklaratën e bëri presidenti i Albaxing, i mirënjohuri Shakator Hoxha, me buzëqeshjen e pandashme e cila konkurrohet deri diku vetëm nga Lulash Basha. Duke folur për Patronazhistin, Shakatori sqaroi se vërtet fluturimet me Italinë nuk ekzistojnë më, pasi linjat i ka marrë një kompani tjetër fluturake, por biletat online mund të priten rregullisht nga të gjithë shqiptarët kudo që janë, por edhe nga të huajt nga janë e nga s’janë.
“Politika jonë si kompani fluturake është që paraja duhet të lëvizë nga njëri xhep në tjetrin, ndryshe qelbet dhe bie erë,” deklaroi Shakatori, “prandaj ne i pranojmë me zemërgjerësi pagesat, paçka se fluturimet nuk ekzistojnë; qarkullimi i parasë është alfa e ekonomisë së tregut. Unë jam student i Dhjetorit, ne prandaj e rrëzuam diktaturën”.
President bëri me dije se biletat e paguara dhe të pafluturuara do të rimbursohen në mënyrë të atillë që blerësit të dalin të fituar.
“Unë kam dyqane rrobash firmato, ku pasagjerët e frustruar mund të qetësohen duke blerë me çmime të leverdisshme xhinse, fustane, çorape dhe këmisha bardhezi dhe me ngjyra. Nxitoni, nxitoni të bëni Xing me Albaxing,” tha duke buzëqeshur Shakatori.
***
Patronazhisti kujton se ishte një buzëqeshje e ngjashme Lulbashiane shumë vite më parë, që qetësoi si me magji blerësit e biletave të kompanisë Belle Air. Kompania kishte falimentuar, por sedra profesionale dhe morali i shëndoshë nuk i lejonte drejtorët të njoftonin pasagjerët se shitja e biletave ishte bllokuar.
Por presidenti Shakator Hoxha siguron gjithë tifozët e kombëtares se nuk është ky rasti me Albaxing. Madje ai pohoi se kompania po përgatit pilotë të rinj me kurse intensive 4 dhe 6 mujore, me çmime shumë të leverdishme.
“Përderisa Doktori përgati gjyqtarë dhe prokurorë për 6 muaj, pse të mos prodhojmë edhe ne pilotë aropllanash, për Shqipërinë dhe rajonin?”, deklaroi Shakatori.
Një mënyrë efikase rimbursimi për paratë e biletave, shtoi Shakatori, që të gjithë në lagje i thërrasin Shako, mund të ishte pikërisht frekuentimi i këtyre kurseve.
“Kush ka blerë bileta 300-400 euro, mund të ndjekë gjysmën e kursit të pilotit. Domethënë, të mësojë si të ngrejë avionin në ajër. Nëse do të mësojë edhe si ulet, duhet të paguajë dhe po kaq të tjera, dhe ne i japim certifikatën. Përndryshe do mbetet në ajër,” sqaroi Shakatori.
***
Dikur komentatori më i famshëm sportiv i ping-pongut, Shakator Hoxha vendosi ta hedhë pas krahëve zanatin, për t’i kushtuar një karriere të re: Do të kandidonte për president të Federatës Shqiptare të Hedhjes së Çekiçit.
Por mjekët e këshilluan se kështu mund të këpuste mish, pasi çekiçi ishte sport borgjez. Kështu që Shakatori kandidoi për Federatën e Futbollit. Në programin e tij, ai premtoi se do rindizte pasionin e shqiptarëve për futbollin, do shtonte prodhimin vendas të futbollistëve të rinj, do t’i shiste jashtë shtetit, ata do bëheshin të pasur, dhe pastaj shqiptarët e entuziazmuar do prisnin bileta avioni për të parë ndeshjet e tyre nëpër Europë.
Programi ishte shumë mallëngjyes, por Mandi i FSHF-së nuk e lejoi të fitonte. Shakatori e akuzoi menjëherë për trukime dhe mashtrime me votat.
“Nuk e kuptoj, në këtë vend të gjithë e kanë mendjen për të vjedhur mor vlla,” deklaroi i hidhëruar Shakatori, por menjëherë e mblodhi veten dhe riktheu buzëqeshjen.
“Megjithatë unë do rikandidoj për mandatin tjetër,” tha ai dhe përdori shprehjen lapidare kur komentonte ndeshjet e kriketit: “Edhe katër vite shtesë, katër vite shpresë, të nderuar miq! Rroftë Albaxing!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-fluturake