MARKETING / Tigri u bën reklamë produkteve në kamerën e fshehtë anti-korrupsion

3 Qershor 2024, 23:51Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
MARKETING / Tigri u bën reklamë produkteve në kamerën e fshehtë anti-korrupsion

LUGANO – Kur i thanë se ca gazetarë italianë që ai i pandehte për miq të sinqertë, e kishin filmuar fshehtas me zë dhe me figurë teksa po hanin në një restorant, në fillim Tigri bëri sikur u mërzit.

“Ç’është kjo punë,” u tha ai në konfidencë disa miqve të besuar zivceranë, të cilët ndërkohë po e regjistronin fshehtas njësoj si italianët. “nuk di njeriu kujt t’i besojë kur flet shpenguar dhe privatisht për krimin dhe korrupsionin qeveritar. Po varja. Të paktën, inshallah videoja bëhet virale dhe merr shumë klikime”.

***

Në fakt, Patronazhisti mëson se gjithë meraku i Tigrit ishte pikërisht që videoja të bëhej virale. Jeta në Zvicër (ose diku tjetër) ishte çuditërisht e shtrenjtë. Atë e kishte kapur nostalgjia për çmimet modeste të Tiranës; kafen 300 lekëshe që e pinte poshtë pallatit në sabah, duke shfrytëzuar orarin e pensionistëve; sufllaqen 1500 lekëshe të Shkolla e Bashkuar, 400 lekëshin e autobusit urban që të çonte ku të doje, apo ofertat që bënin super-marketet sa herë kishte festa (të gjithë në lekë të vjetra).

Tigri e kishte ndarë që ta fitonte jetesën ndershmërisht. Ekonominë dhe marketingun e njihte në majë të gishtave. Kur miqtë e RAI treshit i thanë që do ta filmonin fshehurazi, e vendosi: Do kontaktonte disa nga firmat më prestigjioze ushqimore në qytetin ku jetonte, për t’u kërkuar përqindje për publicitet produktesh.

***

Shumëkush e pa videon e fshehtë të Tigrit duke u përqendruar tek fjalët anti-korrupsion, anti-krim dhe anti-qeveri e korruptuar. Por të paktë ishin ata që vunë re një publicitet gati të padukshëm produktesh – mes tyre dhe Patronazhisti – që sipas gjasave, mund t’i kenë siguruar një vit jetese pa kokëçarje.       

Për shembull, kur Tigri hante makarona, një moment pëshpëriti, “mmm, shumë të mira këto bucattini-t e firmës Der Makaronen, provojini,” dhe çuditërisht hodhi shikimin nga kamera e fshehtë.

Duke vazhduar bisedën me skuthat gazetarë që po e filmonin tinëzisht, ai shtoi, “me salcën e markës Hajduten-shaft shkojnë shumë”.

Në sfondin e karriges ku ishte ulur Tigri, kishte disa shishe verë të stivuara në raft. Një moment Tigri kapi një shishe, e hapi, i mori erë tapës dhe tha:

“Kjo verë aromatike, e dashur por kapriçioze e markës Vino Vili, më kujton shijen e verërave kiliane që konsumoja kur studioja në Harvard për rindërtimin në rast tërmeti”.

*** 

Një muzikë e lehtë mezi dëgjohej në ajër, teksa Tigri rrufiste makaronat. Një çast ai la në mes denoncimin e kriminelëve që pini kafe në zyrën e të Gjatit, dhe tha: “Vetëm një gramafon i markës La Voce del Padrone mund të nxjerrë një tingull të tillë. Bravissimo”, dhe i nguli sytë pullës në xhaketën e gazetarit të maskuar të RAI treshit, ku besonte mund të ndodhej kamera e fshehtë, duke shtuar: “La Voce de Padrone: Muzikë për veshët tuaj!”

Më tej, Tigri ekspozoi ashtu si rastësisht orën e dorës, sepse aty ishte përqindja më e majme:

“More, kjo ora ime Hublot thotë se paska vajtur vonë. A do rrimë dhe shumë?”, dhe shtoi me zë të lartë: “Hublot, që të mos ju bëhet vonë!”

***

Gazetarët merhumë të RAI treshit në të vërtetë u çuditën nga këto shpërthime të befta të Tigrit. Por nuk ja vunë shumë veshin. Azilant, thanë, nuk ka faj, mbase do ketë ikur pak nga mendorja. Atyre u duhej denoncimi i mafias shqiptare të lidhur me të Gjatin, ndaj i shkuan pas terezisë Tigrit të shkretë.

Prandaj, kur Tigri një moment ngriti këmbën dhe tregoi këpucën e markës Vera Pelle, ai që kishte kamerën e fshehtë u ngrit dhe u afrua te këpuca dhe ngriti zërin: “Qenka vërtet Vera Pelle. Jeni njeri me gusto, signor Tigre!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-virale anti-kamerash gjasme të fshehta             

Video