PREKËSE / Socialistët e emocionuar festojnë vulën e Partisë Demokratike

13 Qershor 2024, 17:56Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I Gjati, Shoku Gramoz dhe shoku Musa duke biseduar gjatë festës

TIRANË – 12 qershori 2024 shënoi një moment mjaft emocionues për Partinë Socialiste në pushtet, e cila atë pasdite vendosi të organizojë në selinë e partisë një festë që vazhdoi deri vonë. Njoftimin e shpërndau në formë virtuale sekretari i përgjithshëm Belbëzim Kosi, që u bëri me dije gjithë eksponentëve, deputetëve, ministrave dhe kryetarëve të degëve se me ftesë të kryetarit Të Gjatë, socialistët do të celebronin marrjen e vulës nga Partia Demokratike e Doktor Grata e Vinci-t.

***      

Në oborrin e PS-së ishin mbledhur të gjithë. Protokolli nuk kishte harruar as gardën e vjetër të partisë, ku binte në sy prania e shokut Gramoz, shokut Musa, shokut Namik dhe shokëve të tjerë.

“Nuk mund të mungoja,” tha për Patronazhistin shoku Gramoz, “marrja e vulës nga Doktori është fitorje e madhe për ne. Ky enthusiazmë që shoh këtu, më kujton përvjetorët e bataloneve dhe bregatave partizane”.

Mbërritja e kryetarit Të Gjatë, që për këtë rast të posaçëm kishte veshur pizhama dhe një robdëshambër të hollë veror, e shtoi harenë. Ai u prit me duartrokitje të stuhishme dhe menjëherë u rrethua nga ministra të thirrur nga SPAK, kryetarë bashkish kandidatë për t’u thirrur nga SPAK dhe drejtorë që sapo kishin dalë nga SPAK.

“Bravo kryetar! Ta gëzojmë vulën! Përpara për fitorje të ra!”, dëgjoheshin brohoritjet socialiste.

Kuptohet që i Gjati zgjodhi të qëndrojë më shumë me shokun Gramoz.

“Të lumtë krietar,” i tha veçmas shoku Gramoz, “megjithëse kishe kondra fllotën e gjashtë amerikane dhe ata prekurorët, prapë ia dole t’ja japësh vulën Doktorit. Më në fund gjikata bëri drejtësi!”

I Gjati shpjegoi se nuk ishte e lehtë.

“Nuk e di pse donin t’ja jepnin vulën Lules,” sqaroi ai, “unë ja thashë, edhe Macronit, edhe Melonit, se për mendimin tim vulën e meriton Doktori. Kështu të paktën në zgjedhjet e ardhshme do bëhet një garë e ndershme dhe le të fitojë më i miri!”

***

Patronazhisti mëson se pasi iku dielli, një grup i çuditshëm brohoritësish iu afruan oborrit të PS-së, me kërkesën për të festuar bashkë.

“Ne jemi të Doktorit,” u tha socialistëve kooperativisti Agron Gjeçbelanaj, “le të bashkohemi në këtë ditë të lume, se kemi sebep të përbashkët”.

Por I Gjati nuk pranoi. “Prenotimin për sonte e ka bërë ndërmarrja jonë, më vjen keq. Ju shkoni andej nga rrugica. Nuk besoj se Doktorit i kanë mbetur më kondicionerë për të hedhur nga dritarja,” i udhëzoi ai.

Gjeçbelanaj u skuq nga inati.

“Ashtu??? Ikim zotërinj, nuk rrihet me gjysmë-opingat. Ne jemi aristokratë,” tha me tërsëllëmë dhe iu kthye Të Gjatit, “Ta tregoj unë zgjedhjet e ardhshme”.

Të pranishmit u gajasën dhe ja kthyen: “Po ne për zgjedhjet e ardhshme po festojmë, o Goneeee”.

***

Festimet socialiste vazhduan derisa policia bashkiake u kërkoi të ulnin volumin e muzikës. Por ndërkohë burimet e njoftuan Patronazhistin se një mesazh i trishtuar i erdhi Të Gjatit në celular.

“Si ma punove kështu o katil, o zemërgur! S’paske pas nji pikë mëshireee…”.

Kryetari nuk u mendua shumë. I ktheu këtë përgjigje: “S’e paske kuptu hala lojën, moj Lule! Të kam thënë, kur të ta heqin vulën, apeloje vendimin dhe herës tjetër ta japim ty. Shife po nuk e la zemra Doktorin!”  

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa vulë

Video