BERLIN, DYSELDORF – Pjesa dërrmuese e qeverisë shqiptare ndodhet prej dy javësh në Gjermani, në zbatim të programit qeverisës dhe axhendës së zhvillimit 2021-2031, të shpallur me solemnitet nga ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj. Siç të gjithë e mbajnë mend, pjesë e kësaj axhende ishte dhe ndjekja nga afër e ndeshjeve të kombëtares shqiptare të futbollit në rast se ajo do të kualifikohej për finalet e kampionatit europian të futbollit, EURO 2024.
Bashkë me kryeministrin, ministrat kryesorë të kabinetit dhe padyshim, me Presidentin e Republikës Barjam Beu, në qytete të ndryshme gjermane kanë qenë të pranishëm edhe deputetë të shumtë socialistë, të cilët me urdhër të brendshëm të kryetarit socialist Edi Rama, kanë ndërruar njëri-tjetrin me rrotacion, për të mos e lënë Shqipërinë fare bosh.
Por ndërsa entuziazmi futbollistik rritet, Patronazhisti mëson se një raport i fundit i institucionit global për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit terrorist, FATF, befasisht e ka futur Gjermaninë në listën e zezë të pastrimit të parave, bashkë me Mianmarin, Haitin dhe Korenë e Veriut.
***
“Nuk e di çfarë ka ndodhur,” u shpreh i shokuar kancelari Olaf Scholz, “ne çdo gjë e bëjmë me faturë fiskale, me transparencë, me rregulla. Me siguri këtu ka ndonjë gabim!”
Por raporti i FATF nuk linte vend për dyshime.
Gjatë prezencës së qeverisë shqiptare në Gjermani, në mënyrë misterioze u miratuan disa partneritete publik-privat për incenerimin e mbetjeve urbane. Në rivierën gjermane në Detin e Veriut, nisi befasisht një fluks i madh ndërtimesh turistike me hotele me 7 yje, ndërkohë që dhjetra leje ndërtimi për fshatra turistikë u dhanë në Alpet bavareze.
Një risi më vete përbënte dalja me video e ministrit gjerman të Infrastrukturës Andreas Scheuer me kasketë mbrojtëse në kokë dhe jelek të verdhë, duke udhëzuar inxhinierët e rrugëve mbi detajet e punimeve. Atyre që nuk e kishin mendjen, u binte me vizore në kokë.
Ndërkohë dy mega-gjeneratorë lundrues që ishin marrë me qera nga Honoluluja për të plotësuar me energji konsumin e rritur të popullatës gjatë europianit, ishin parkuar pa u ndezur asnjëherë në portin e Hamburgut.
Nga ana tjetër, tre kryebashkiakë gjermanë njëri pas tjetrit, u kapën në video të fshehta duke kryer akte të turpshme në zyrat e tyre, njëri syresh edhe me brekë të shpuara.
Një seri lejesh për kulla shumëkatëshe rezultuan të ishin firmosur brenda natës në qytetet kryesore gjermane, dhe askush nuk dinte ta shpjegonte si kishte ndodhur kjo.
Por më e çuditshmja ishte rritja fantastike brenda dy javëve, e konsumit të bananeve nga popullata gjermane: Importi nga Amerika Latine ishte rritur me 400%, ndërkohë që shoumeni i njohur gjerman Arditus Gjebrenkopf, nuk pushonte së reklamuari bananet në spotet publicitare.
***
Mësohet se raporti i FATF ka rënë si bombë në opinionin publik. Qeveria e kancelarit Scholz, që e kishte marrë një goditje të fortë në zgjedhjet e Parlamentit Europian, i ka ditët e numëruara. Por Patronazhisti mëson se meqë nuk ka ç’të humbasë, kancelari i ka kërkuar këshillë kryeministrit shqiptar.
“I dashur Edi, ti ja dole ta nxjerrësh Shqipërinë nga lista e zezë dhe ta fusësh në atë gri të pastrimit të parave. Më jep ndonjë mendje vlla!”
Lideri shqiptar u mendua pak, pastaj e pyeti Olaf ziun: “Po mirë, ke ndonjë hobi ti për kohën e lirë? Me çfarë merresh? A di të vizatosh?”
“Në klasën e pestë kam qenë mirë në vizatim, por pastaj e lashë,” iu përgjigj Scholzi.
“Filloje prapë,” e urdhëroi Edi, “dhe në krye të javës tjetër hap një ekspozitë në Berlin. Ke për të parë po nuk fitove zgjedhjet!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike kundër ndotjes së parave të pastra