STUDIMI / Zbulohet lidhje e ngushtë mes Shëndetësisë Falas dhe lulëzimit të agjencive funerale

29 Qershor 2024, 15:35Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish Ministrja Manastirllesha duke studiuar fasadat e reja të QSUT

TIRANË – Një studim i fundit i shoqatës “Veresije për Shëndenë” i financuar nga një projekt 3 milionë eurosh i Bashkimit Aziatik, ka zbuluar ekzistencën e një lidhjeje të ngushtë mes Shëndetësisë Falas të qeverisë shqiptare, me lulëzimin e agjencive funerale në Tiranë dhe qarqe të tjera të vendit.

Rezultatet e studimit i bëri publike para mediave presidenti i shoqatës, Qylian Qylollari.

“Pas vrojtimeve dhe sondazheve sistematike, mund të themi me siguri se projekti largpamës i qeverisë ka ndihmuar jashtëzakonisht biznesin vendas. Konkretisht e kam fjalën për agjencitë funerale, të cilat nga biznese të vogla dhe të mesme, kanë kaluar në biznes i madh,” deklaroi Qylollari.

Të dhënat thonë se që nga viti 2013 kur qeveria Rama nisi përpjekjen titanike për t’i shëruar me zor shqiptarët pa kokërr leku, biznesi funeral po i pret lekët me gërshërë.

“Sipas statistikave, qeveria shqiptare ka harxhuar deri tani 5 miliardë euro për shëndetësinë falas. Me po të njëjtën shumë, është rritur xhiroja totale e agjencive funerale nga jugu në veri,” theksoi Qylollari.

*** 

Duke detajuar të dhënat me ndihmën e grafikëve, Qylollari nënvizoi disa momente kulmore gjatë këtyre mandateve qeverisëse, kur sa më falas bëhej shëndetësia, aq më shumë rritej xhiroja e agjencive funerale.

“Shohim se kur kryeministri Rama doli në një emision televiziv me një set të ndryshkur veglash kirurgjikale, për të treguar pse duheshin koncesionet falas në shëndetësinë falas, pronarët e agjencive në fjalë u mblodhën dhe bënë një festë të madhe,” tha Qylian Qylollari.

Momente të tjera kur pacientët shqiptarë fluturonin nga gëzimi dhe menjëherë më pastaj ngarkonin mushkat për në Shish-Tufinë, ishin inaugurimet e fasadave të reja në QSUT, lulishtet model në spitalet rajonale, apo restorantet cilësore për mjekët ngjitur me sallat e operacioneve.

“Një fasadë e re në QSUT, ka rritur me 25% shpenzimet e pushimeve të familjeve të pronarëve funeralë. Një deklaratë e buzëqeshur e ministres së Shëndetësisë Manastirllesha, në mes disa shefave pavionesh dhe një rektori, ka mbushur me kapacitet të plotë të gjitha prenotimet e drekave mortore,” nënvizoi Qylollari duke treguar grafikët.

Me këtë ritëm, deklaroi eksperti, është e udhës që në kalendarin e vizitave turistike të grupeve të huaja, të futen edhe agjencitë funerale. 

***

Pronari i agjencisë funerale “Tre Burra dhe një Këmbë”, Xhenaz Qivuri, pohoi për Patronazhistin pas publikimit të studimit, se kryeministri Rama do bënte shumë gabim nëse anullonte Shëndetësinë Falas dhe fuste atë me pagesë.

“Për mendimin tim, Rama duhet të vazhdojë siç e ka nisur. Ai po punon shkëlqyeshëm, por shqiptarët janë hala të varfër zotëri. Nuk mund të paguajnë edhe për shëndetin, edhe për varrimin. Po filluan pagesat për shëndetin, ne falimentuam! Apo doni të ikim edhe ne në Gjermani?”

Vini Re: Thellë-thellë, Patronazhisti është rubrikë satirike

Video