BEFASIA / Ndryshimet në qeveri, Rama i shokuar: As unë nuk dija gjë!

30 Korrik 2024, 17:47Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mimika prej sfinksi e Belles dhe portreti i hutuar i Edit shpjegojne ndryshimet qeveritare

TIRANË – Të gjithë deputetët, ministrat dhe eksponentët socialistë e prisnin me qejf Kongresin elektoral të partisë, pasi Edi u kishte premtuar se salla do ishte me ajër të kondicionuar dhe ai nuk do zgjatej shumë. Edhe Bella Ballukja i kishte siguruar privatisht shumicën prej tyre: “Ja, sa të shtrojmë piketat për zgjedhjet e ardhshme dhe të pushojmë ca ditë si njerëzit!”

Prandaj të gjithë u zunë pa mendje kur kryetari Rama, në rolin e kryeministrit, njoftoi largimin e tre ministrave kyçë dhe zëvendësimin e tyre me tre emra që e bënë gjithë sallën të kërkonte në gugëll për të marrë vesh se cilët ishin.

Kamerat e televizioneve hynë në garë për të fokusuar sa më shumë fytyra të shokuara, kur Rama shqiptonte emrat e Baule Tallës, Piko Meleshit dhe Ervinit të Financave, që në PS e mbajnë mend vetëm se ngjan pak me Bashar al Asadin kur ishte i ri.

Gjithsesi, të paktën dy socialistët e vjetër Talla dhe Meleshi nuk e dhanë veten. Ministri i Brendshëm bëri një grimasë të kujdesshme, si për të thënë, “epo ça t’i bësh, durim”. Ndërsa Pikua deklaroi faqe kamerave se nuk dinte gjë, “por janë gjëra që ndodhin. Ministritë nuk i kemi me tapi, edhe po na lëvizën nga posti, partia jonë na lëviz”.

***

Por ajo që pakkush i kushtoi vëmendje, ishte se më i befasuari nga të gjithë për ndryshimet qeveritare, ishte vetë kryeministri. Patronazhisti mëson se pas kongresit, vetë Rama siguroi një rreth të besuarish: “As unë nuk dija gjë, më besoni. Nuk e kuptoj pse i hoqa, pa dhënë asnjë shpjegim nëse kanë punuar mirë apo keq, si, qysh, tek. Çudi e madhe!”

Ajo që e përforcon këtë sinqeritet të Ramës, është studimi i kamerave pas mbylljes së kongresit.

Pasi Rama bëri leckë opozitën dhe mjaft deputetë të vetët që nuk dilnin në terren, pasi deklaroi se do rrinte 100 vjet në pushtet se ky popull nuk ka ku gjen më të mirë; pasi kërkoi publikisht që të gjitha mbledhjet e NATO-s, BE-së, FMN-së, BB-së, BERZH-it, OKB-së, KNER-it dhe shumë akronimeve të tjera, të mbahen ekskluzivisht në Tiranë, Rama befas propozoi disa lirime nga detyra e ministrit dhe zëvendësimin e tyre me emra të tjerë.

Ishte momenti kur shumica e të pranishmëve po shkruanin në celular mesazhe të tipit, “ja se mbaruam”, “bëj gati valixhet se erdha,” apo “nisuni se ju pres në Rinas”.

Ndërsa nga goja e Ramës po dinin fjalët “propozoj lirimin nga detyra të ministrit të Brendshëm Baule Talla”, vetë mimika e tij shprehte habi për çfarë nxirrte nga goja. Kur tha se ministri i ri do ishte Ervin Hoxha, ai u rrudh si për të thënë “po ky nga doli?”.

Gjithnjë e më i pasigurtë, Rama njoftoi se largohej nga ministria e Mbrojtjes Piko Meleshi, ndërsa portreti i merrte trajtën e një pikëpyetjeje.

Një kamerë e veçantë pikasi se Rama në këto çaste kërkonte me sy Bella Balluken. Ajo ndërkaq e inkurajonte pa folur, me tundje koke dhe një buzëqeshje të lehtë, “kështu vazhdo, je në rregull!”

Ishin sekondat kur Rama do shqiptonte emrin e ministrit të ri të Financave, por ngeci. Ballukja e pa shefin e saj në sy dhe lëvizi buzët pa zë, “Petrit Mali”, emër të cilin Rama e tha menjëherë më pas si i hipnotizuar.

***

Kush ishte afër Bellës, sidomos ministrja Mirela Kumbaraja, e pikasën këtë komunikim okult. Menjëherë pas kongresit, Kumbaraja iu ngjit Bellës dhe nuk i shqitej. “Ua sa elegante qenke bërë mi goc’. Sa bukur je kombinu mi goc’. Sa të shkoka ky buzëkuq mi shoqe…”.

Por Kumbaraja nuk ishte vetëm. Bella u rrethua nga dhjetra komplimentues kongresmenë e kongresmene që i kërkonin foto me celular dhe e ftonin për pushime, “shiko shefe, tani në gusht do vish andej nga ne, mos të kemi llafe…”.

Ndërkaq Rama me pamje robotike doli nga salla i vetmuar dhe iu drejtua makinës. Të gjithë e panë sesi Ballukja ja bëri në shenjë, “mos harro, drejt e te Presidenti!”    

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e interesuar për fenomenet lenka-çukiste

Video