TIRANË/PARIS/WASHINGTON – Kaosi politik në Francë ka shqetësuar kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili deklaroi dje në samitin e NATO-s se Franca është një vend i rëndësishëm për Aleancën dhe Bashkimin Europian, prandaj nuk duhet ndenjur duarkryq.
Burimet për Patronazhistin pohojnë se Rama vlerësoi elektoratin francez që e shmangu ardhjen e të djathtës ekstreme në pushtet, por ama e kritikoi të njëjtin elektorat që nuk i dha mjaftueshëm vota të majtës.
“Votuesi francez është i papjekur politikisht,” tha Rama, “sepse edhe sikur të kishte fituar Le Pen, unë do t’i kisha dhuruar që ditët e para disa piktura të miat, nga ato që i vizatoj mbi vendimet e konçesioneve, dhe ajo do bëhej super e majtë. Ja, shikoni miken time Meloni në Itali, që po bëhet gati të hyjë në Internacionalen Socialiste!”
Por Rama kishte në veçanti kritika për presidentin Emanuel Makron, duke e akuzuar se i doli situata jashtë kontrollit. Në këtë moment të pranishmit në samit u bënë dëshmitarë të një episodi të nxehtë.
***
Duke folur për Makronin, i cili e mbante kokën ulur nga turpi, Rama deklaroi se Emanueli, në vend të vinte vetulla, nxorri sytë.
“I kam thënë edhe kur erdhi në Tiranë, mos u fikso pas vetullave, janë detaj i mbivlerësuar. I ke parë vetullat e Vangjel Dules, i thashë, po të Fredi Belerit? I kanë nga dy gisht të trasha, po ja ku përfunduan. Hë mo, të thashë kështu apo jo?” dhe iu drejtua Makronit.
I shkreti Emanuel pohoi me kokë i sikletosur: “Eh, më the mor më the, po kujt ja the!”
Rama vazhdoi duke tundur gishtin: “Po pse mo kulish, me ju do merremi ne në çdo samit? Nejse, iku kjo tani,” dhe iu drejtua sallës:
“Të dashur zotërinj! Edhe unë kam patur një krizë elektorale në zonën e Himarës. Donin ta merrnin miqtë e mi grekë. E dini çfarë bëra? Përdora një armë sekrete. U bëra, si i thonë, një dhuratë greke. Merreni, u thashë, e juaja është. Ja, do kandidojë Vangjel Tavo, që është grek, dhe do fitojë. Ta gëzoni!”
Liderët e NATO-s, që po diskutonin se çfarë armësh t’i jepnin Ukrainës për të luftuar rusët, hapën veshët sapo dëgjuan për armë sekrete. Rama ngriti zërin: “E pra, po i them Makronit, të zgjidhë krizën elektorale dhe politike në Francë, pastaj të vijë e të na japë mend këtu. Përndryshe, unë zotëroj Tavon dhe nuk do hezitoj ta përdor!”
***
Burimet e Patronazhistit nuk mundën të mësojnë me detaje se çfarë ndodhi më pas. Por disa zëra thonë se Makroni vuri duart në kokë dhe ja futi të qarit, “Jooo, Tavon jooo!”
Disa udhëheqës të tjerë ndërhynë me lezet dhe e qetësuan. “Mirë mirë, se nuk e përdor Tavon Edi,” dhe i shkelën syrin.net kryeministrit shqiptar.
Por ndërkohë, mësohet se ka patur edhe raste të tjera kur Rama ka kërcënuar se do përdorë armën sekrete elektorale Vangjel Tavo.
Kështu, në kohën e krizës së lidershipit të PD-së mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, Rama paska urdhëruar palët të gjejnë zgjidhje, ndryshe do t’u lëshojë Tavon. Tavo ka qenë edhe një nga arsyet pse u ndanë Lilua me Monën.
Nga ana tjetër, Bullgaria që po përjeton disa zgjedhje rresht pa mundur të nxjerrë një mazhorancë të qëndrueshme, ka marrë javën e kaluar paralajmërimin e fundit. Presidenti Rumen Radev i bëri të qartë klasës politike të vendit se nëse nuk gjejnë ekuilibrat e brendshëm, do të huazojë nga Shqipëria mesfushorin me tipare sulmuese Vangjel Taveski.
Ndërsa arsyeja pse britanikët vendosën me shumicë dërrmuese të sjellin të majtën laburiste në pushtet, ishte pikërisht kërcënimi shqiptar se nëse kriza vazhdonte, Tirana zyrtare do lëshonte Tavon.
P.S. Gjatë punimeve të samitit, mësohet se Ramën e mori mënjanë presidenti amerikan, i mbaruari Xho Bajden. “Dëgjo Edi,” i tha Bajden, “ti e si se kam zgjedhje tani në nëntor. A ma jep mua Tavon sa të fitoj, dhe ta kthej prapë?” Rama u mendua pak dhe i tha:
“Sa të mbaroj punë me Himarën dhe ta jap unë. Ta garantoj, me Tavon fitoren e ke në tavë!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e fiksuar pas armëve sekrete dhe tavave