
TIRANË – Një pakujdesi e vogël që për pak mund të ishte kthyer në një dramë akoma më të vogël dhe pothuajse të parëndësishme për t’u raportuar, ka ndodhur dje në Tiranë, njofton Policia e Shtetit.
Sipas njoftimit për mediat, ngjarja ka ndodhur në një lokal tepër shik të kryeqytetit, ku hahet mirë, por çmimet nuk janë për të gjithë.
Policia saktëson se pronarët e lokalit në fjalë janë një burrë dhe një grua, ose një djalë dhe një vajzë (sepse në ditët tona koncepti i moshës ka ndryshuar, dhe shyqyr që erdhi kjo kohë, shton policia), me përqindje pronësie përkatësisht 55 dhe 45%, me të cilët ta ka ënda të bësh muhabet. Dinë edhe të të sajdisin po u solle si njeri, shton njoftimi zyrtar.
Po ashtu Policia e Shtetit saktëson se pronarët në fjalë kanë dhe një grill-restorant nga Liqeni i Thatë, ku po vajte një herë, do të të pëlqejë aq shumë sa do çosh aty gjithë miqtë dhe shokët, sepse ja vlen dhe nderohesh. Vetëm se problemi është që po ishe grup disi i madh, është e udhës të prenotosh paraprakisht se bën vaki dhe nuk gjen vend. Një telefonatë është, nuk të kushton gjë.
***
Ah, në lidhje me ngjarjen. Policia e Shtetit bën me dije se një shpërthim i fortë ka ndodhur në lokalin shik në fjalë – jo ai i Liqenit të Thatë, po tjetri – gjatë një festimi familjar, mesa duket ditëlindje. Nga kqyrja e vendngjarjes, u konstatua se gjysma e restorantit në katin e parë të një kompleksi luksoz pallatesh është kthyer në beach bar me pamje nga rruga, ndërsa gjysma tjetër i ka karriget dhe tavolinat në tavan dhe llampat e ornamentet e tjera tavanore në dysheme.
Pas ekspertimit të vendit të ngjarjes, u konstatua se shkak ishte një anti-tank pa leje që njëri nga pjesëmarrësit në festë e mbante me vete. Arma ishte shkrepur pa dashje teksa i riu e mbante hedhur pas krahut, thotë njoftimi, duke bërë që predha të bënte rikoshetë mbi dy kushërinj të tij, dhe të gërvishtte një tjetër kushërirë para se të ngulej në banakun luksoz të lokalit. Pikërisht në pikën ku predha hodhi banakun bashkë me murin përkatës në erë, duhej të kishte qenë një kamarier i cili për fat, kishte shkuar të punonte në lokalin tjetër të pronarëve, në Dhërmi.
Hë, se desh lamë nam, saktëson njoftimi i Policisë së Shtetit. Këta pronarët kanë dhe një tjetër lokal në Dhërmi, që punon full gjatë sezonin veror. Janë njerëz punëtorë, ç’i do llafet.
“Po ta kishim gjetur në vendngjarje, jemi të sigurtë se djaloshi që kishte anti-tankun pa leje do na kishte kërkuar falje njëqind herë dhe do pranonte se ishte treguar i pamatur,” shton raporti i Policisë së Shtetit, duke e mbyllur njoftimin me deklaratën: “Shyqyr që u mbyll me kaq”.
***
Lidhur me ngjarjen reagoi edhe Ministri i Brendshëm Baule Talla. Ai deklaroi me shqetësim se mes moshave të reja, përveç marrjes me vete në festa e tubime familjare të armëve të vogla si antitanqet, mitralozët, bombat e dorës dhe granatat e këmbës, kohët e fundit është vënë re edhe shkuarja në këto ngjarje festive me tanqe dhe autoblinda.
“Policia e Shtetit, dhe sidomos Drejtoria e Policisë Rrugore, do veprojnë me dorë të hekurt ndaj këtyre fenomeneve,” deklaroi ministri, “vetëm për të parkuar, një tank zë vendin e dy makinave. Kjo është e patolerueshme dhe prandaj janë parashikuar gjoba të majme. Do të ketë përjashtime vetëm në rastet kur me një tank, udhëtojnë 4 ose më shumë persona, duke ndihmuar trafikun dhe pakësuar ndotjen. Por në qoftë se tankisti kapet me alkool, atëherë të gjejë transhe ku të futet!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-festave familjare