E BUJSHME/ Pas atentatit të dështuar, Rama i ofron familjes Trump edhe ishullin e Korfuzit 

17 Korrik 2024, 23:03Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama me familjen Trump duke diskutuar për shtetin ligjor

TIRANË/SURREL/SAZAN – Kryeministri i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Edi Rama, u trondit thellë nga lajmi se kandidatit republikan amerikan për President, Donald Trump, i kishin bërë atentat gjatë një takimi fushate. Mori menjëherë në telefon Xhared Kushnerin dhe i kërkoi numrin e Ivankës.

“Numrin e Ivankës nuk ta jap dot, se ti je shejtan”, i tha Xharedi, “por e kam këtu, na foli”.

Edi i shprehu vajzës ngushëllimet më të sinqerta, bashkë me gëzimin se Donaldi kishte shpëtuar shëndoshë e mirë.

“Dëgjo Ivanka, se të kam si ministret e mia, Eliskën, Ogertkën dhe Belindkën. Bile tani që ma kujtove, kemi patur dikur edhe një udhëheqëse me emrin Lenka. Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër. Thuaji Donit të mos bëhet merak, se pas ngjarjeve dramatike vjen fitorja e zgjedhjeve. Edhe mua mu vranë katër vetë këtu në Tiranë, dhe pastaj fitova zgjedhjet. Ju shyqyr shpëtuat me gjysmë veshi”.

Ivanka e falenderoi dhe theksoi se ky mesazh merr vlerë të dyfishtë, sepse vjen nga një kryeministër i majtë.

“Kush, unë i majtë?”, reagoi Rama, “i majtë është ky karagjozi që e kam gozhduar majë dritares, Berisha, komunist safi. Unë kam qenë i djathtë dhe nuk i ndërroj bindjet e mia oksidentale, merr vesht”.        

Në fund, Rama i sugjeroi Ivankës: “Kur t’i mbyllni këto punë dhe të merrni presidencën, merr dhe tët shoq dhe hajde të mbarojmë këtë punën e Sazanit!”

*** 

Por pasi mbylli telefonatën, Edi nisi të mendohej. Gjithë ky president amerikan, tha me vete, dhe unë i jap vetëm një palo ishull ku nuk ka një pëllëmbë dheu, e ku mbijnë vetëm gjemba.

Thirri Belindkën. “Dëgjo,” i tha, “do ma studiosh mirë hartën dhe do më gjesh një ishull të hajrit për Ivankën. Sazani është qesharak, nuk është dhuratë por kusur.”

Belindka e studioi çështjen me themel. Piketoi Ishull Shëngjinin, Ishull Lezhën, katër gërxhet e Ksamilit, ishullin e pelikanit në Karavasta… asnjëri nuk bënte punë.

Befas u kujtua. I telefonoi Ramës.

“E gjeta shef,” i tha, “përballë Sarandës është një ishull gjigand, që rri kot. E kam parë vetë. Nuk ka asnjë koncesion, asnjë investim strategjik. Pyeta dhe Oltka Xhaxhkën, me tha që nuk ka asnjë interes biznesi aty. Pse të mos ja japim Trampëve? Korfuz quhet!”

***

Ramës i pëlqeu ideja. Tani, vërtet Korfuzi ndodhej në një pozicion gjeografik të diskutueshëm dhe mund ta pretendonte edhe Greqia, por ai e kishte një as nën poture. Do t’i bënte Qirjakos një ofertë që ai nuk mund ta refuzonte.

Mori në telefon Frrok Çupkën dhe i kërkoi numrin e Miçotaqkës. Ky ja dha menjëherë.

Në anën tjetër ra zilja. “Alo, Qirjako, ku je mo figurë. Edi jam. Shiko, më duhet Korfuzi se ashtu e kam punën. Po ta liroj Fredi Belerin te shkojë të betohet si eurodeputet në Strasburg, a ma jep? Ju keni njëmijë ishuj, çfarë prishi punë një më pak!”

Patronazhisti nuk ka informacion se çfarë përgjigje i dha Qirjakua, por të nesërmen Beleri po jepte intervista nga Strasburgu….

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike ishullore…  

Video